Stop linçimit, Vjosa është e pastër si kristali!

Politika

Stop linçimit, Vjosa është e pastër si kristali!

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 9 qershor 2020 Në ora: 08:59
Vjosa Osmani

Në rrjetet sociale së fundi kanë qarkulluar disa fotografi, kinse babai i Vjosa Osmanit ishte pjesë e Policisë Serbe.

E lidhur me këtë, ka reaguar ashpër kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani. Osmani në shkrimin e saj ka theksuar se ky sulm ka qenë i pritshëm ndaj saj.

“Përkrahësit e tregtarëve të kufijve paskan gjetë një fotografi të dy policëve serbë dhe pa fije turpi gënjejnë se njëri nga ta në foto është babai im Raif Osmani”, ka shkruar ajo.

Pas publikimit të këtyre fotografive, kanë reaguar edhe disa nga përfaqësuesit e skenës politike. Ndër ta ishte edhe kryetari i LDK-së, Isa Mustafa.

E gjithë kjo po konsiderohet si një luftë speciale ndaj kryetares aktuale të Kuvendit të Kosovës.

Njohësit e politikës në vend konsiderojnë së një fushatë linçuese përmes rrjeteve sociale, si një lloj lufte special ndaj kryetares së Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, përveç që është e papranueshme dhe tejet primitive, është poashtu pasqyrë e nivelit të ulët të debatit shoqëror në Kosovë.

Ata janë të mendimit se organet e drejtësisë në vend duhet të merren me njerëz të tillë, dhe aktet e tilla mos të përsëriten më.

Mehmeti: Vjosa Osmani është e pastër si kristali

Image
Faton Mehmeti

Analisti politik, Faton Mehmeti, lidhur me sulmet ndaj Vjosa Osmanit, shprehet se janë të papranueshme, dhe janë krejtësisht jashtë traditës së shqiptarëve.

Ai për gazetën “Bota sot”, vlerëson se kryetarja aktuale e Kuvendit të Kosovës, është e pastër si kristali.

 “Sulmi ndaj familjarëve të Vjosa Osmanit është i papranueshëm, dhe si i tillë është krejtësisht jashtë traditës së shqiptarit, dhe moralit njerëzor. Të sulmosh dikë në moral, në nder, në familje është gjëja më ë ulët që dikush mund të bëjë, dhe kjo vepër besoj se është e orkestruar nga ata që Osmanin si konkurrente politike nuk mund ta sulmojnë pasi kryetarja e Kuvendit të Kosovës është e pastër si kristali”, ka thënë Mehmeti.

Me tej ai shprehet se kundërshtimet politike janë të pranueshme, përderisa ato nuk përbëjnë fyerje e kërcënime.

“Gjuha e tillë me sulme, me linçime dhe kërcënime nuk duhet të bëhet pjesë e skenës tonë politikë, e ligjërimit tonë politike. Kundërshtimet tona politike janë të shfrytëzueshme, përderisa ato nuk përbëjnë ofendime, fyerje dhe veprime të tilla”.

Mehmeti thekson se organet e drejtësisë në vend duhet të merren me këtë rast, në mënyrë që mos të përsëriten më.

“Sulmi ndaj prindit të Vjosës është vepër e ulët, dhe si e tillë vetëm sa shpërfaqe ligësinë e atyre që bëjnë veprime të tilla, të cilat nuk i bëjnë dëm aspak Vjosa Osmanit. Organet e drejtësisë të merren me njerëz të tillë, dhe aktet e tilla mos të përsëriten më”, është shprehur analisti politik, Faton Mehmeti, për gazetën “Bota sot”.

Elezaj: Lufta speciale ndaj Vjosa Osmanit bëhet nga koha e zgjedhjes së Thaçit si president

Image
Rexhep Elezaj

Edhe analisti tjetër politik, Rexhep Elezaj, shprehet se lufta speciale ndaj Vjosa Osmanit është e papranushme, gjersa mendon se kjo mund jetë që nga koha kur LDK-ja bëri koalicion me PDK-në , kohë kur kryetarja aktuale e Kuvendit ishte kundër zgjedhjes së Thaçit në krye të vendit.

“Është e vërtetë e madhe që kundër Vjosa Osmani, kryetare e Kuvendit të Kosovës, një patrioteje të madhe të çështjes kombëtare, po bëhet një propagandë dhe luftë speciale, mbase që nga koha kur LDK-ja bëri koalicion me PDK-në  në vitin 2014, dhe kur ajo e zgjodhi Hashim Thaçin për president të Kosovës, e që siç dihet Osmani ishte kategorikisht kundër një koalicioni të tillë por edhe kundër zgjedhjes së Hashim Thaçit, dhe që ajo nuk e ka votuar”.

“Pra, që nga ajo kohë ndaj Osmani bëhet luftë speciale, e cila disa herë nga vetë shefi i partisë, Isa Mustafa, është anatemuar, kritikuar dhe diskriminuar siç ishte radhitja e saj nën numrin 81 në listën për deputet në zgjedhjet e vitit 2017, pastaj presioni i paparë ndaj saj dhe 7 deputetëve të LDK-së, të cilët kundër vullnetit të tyre u detyruan ta nënshkruajnë marrëveshjen për demarkacionin me Malin e Zi, me të cilën Kosova i humbi mbi 8270 hektarë toka tona në trevën e Rugovës, nga vijë unë, dhe kështu me radhë”, ka thënë analisti politik, për gazetën “Bota sot”.

Ai gjithashtu konsideron se duke e emëruar si kandidate për kryeministre, Vjosa Osmani i solli subjektit të saj mijëra vota më shumë në zgjedhjet e 6 tetorit 2019, pra e vetme mbi 173.000 vota, mirëpo përkundër këtij suksesi, sipas Elezajt, ajo, nga kolegët e saj më të afërt në parti u degradua.

“Por, në vend se ky presion dhe kjo luftë e paskrupull kundër saj të ndërpritej, Isa Mustafa me njerëzit hileqarë afër tij, pasi që e shfrytëzuan dhe e keqpërdorën paturpësisht autoritetin e saj, duke e emëruar si kandidate për kryeministre, dhe e cila LDK-së i solli me mijëra vota më shumë në zgjedhjet e 6 tetorit 2019, që këtë e dëshmon qartë numri më i madh i votave që ajo i mori nga votuesit, pra e vetme mbi 173.000 vota , në vend se të shpërblehej nga kreu i partisë dhe të emërohej në postet më të larta të shtetit, ajo, nga kolegët e saj më të afërt në parti, u degradua, madje as që e bënë pjesë të bisedimeve për arritjen e marrëveshjes për koalicion me LVV-je, veçse e larguan nga çdo angazhim, duke u injoruar nga të njëjtit të cilët para zgjedhjeve e kishin nominuar për kryeministre, nëse LDK-ja del fituese e zgjedhjeve”, tha ai.

Tutje, Elezaj ka shtuar se Vjosa Osmani në vazhdimësi është përbuzur dhe shantazhuar nga vetë krerët e partisë së saj, para, gjatë, dhe sidomos pas zgjedhjeve dhe marrjes së postit të kryeparlamentares.

“Dihet se posti i kryetarit të Kuvendit me kushtetutë i takon partisë fituese të zgjedhjeve, pra LVV-je, kështu që Vjosën mezi e emëruan në postin që ajo e mbanë tani, natyrisht me pëlqimin e Albin Kurtit, ngase ai post i takon partisë fituese të zgjedhjeve. Me një fjalë, Osmani në vazhdimësi është përbuzur dhe shantazhuar nga vetë krerët e partisë së saj, para, gjatë, dhe sidomos pas zgjedhjeve dhe marrjes së postit të kryeparlamentares, derisa jemi dëshmitarë se para pak ditësh ajo u kërcënua edhe me largim nga partia, për shkakun e vetëm se e përkrahte programin e koalicionit mes LVV-je dhe LDK-së, me të cilin program qeverisës ishin paraparë ndryshime të reja në Kosovë, siç ishte ç’kapja e shtetit nga hajnat, lufta kundër krimit të organizuar, kundër korrupsionit, etj., dhe, mu për këtë krerët e partisë së saj e trajtonin më shumë si “pjesë të LVV-së”, sesa e LDK-së, deri në fyerje, shpifje dhe etiketime më banale”, konsideron ai.

Elezaj thekson se kulmi i acarimeve me bashkëpartiakët e saj për Osmanin arrin nga momenti që kjo e fundit shfaqet publikisht kundër rrëzimit të Qeverisë Kurti.

“E gjithë kjo hajkë dhe acarim në marrëdhëniet e saj me udhëheqjen e partisë, kulmin do e arrin, kur Vjosa Osmani në mënyrë kredibile, me përkushtim dhe sens patriotik ndaj votuesve të LDK-së dhe atyre të VV-së, (425.000) të cilët kishin votuar për ndryshime të reja si dhe largimin e kastës së vjetër dhe të korruptuar nga pushteti, me të drejt do e kundërshton vendosmërisht rrëzimin e qeverisë “Kurti”, i iniciuar nga vetë krerët e partisë së saj”, thekson Elezaj.

Ai madje i ashpër shprehet edhe ndaj liderit të LDK-së, të cilin e quan si patericë të presidentit Thaçi.

“Ky qëndrim i saj si dhe kundërshtimi i prerë i Vjosës që LDK-ja pas rrëzimit të qeverisë “Kurti” ta merr përsipër formimin e qeverisë tjetër me Avdullah Hotin, kryeministër, e që ishte një akt i qartë antikushtetues, ashtu siç edhe vepruan më pas Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi, me “ndihmën” e Gjykatës Kushtetuese, e gjithë kjo e ka bërë të qartë qëndrimin e saj kundër vendimeve absurde të partisë që i takon, duke i ndarë rrugët e saj definitivisht nga një qeveri mercenare e formuar pikërisht me iniciativën e LDK-së dhe kreut të saj, Isa Mustafa që shquhet në opinion si patericë e Thaçit”, potencon Elezaj për “Bota sot”.

E, se kush mund të jetë iniciuesi i gjithë kësaj lufte ndaj Vjosa Osmanit, Elezaj shprehet se nuk beson se dikush nga partia e saj mund të ketë marrë hapa kaq radikal, por thotë se mund të jenë inspiruar nga një frymë e tillë linçuese.

“Prandaj, unë nuk them se dikush nga partia e saj ka ndërmarrë hapa kaq radikal kundër Osmanit, duke shpifur gjëra të paqena për babanë e saj, por jam shumë i sigurt se nga qëndrimet fyese, etiketimet si dhe fryma negative e krijuar brenda LDK-së kundër saj, dikush (gjithmonë mbetet anonim) mund të jetë inspiruar nga një frymë e tillë linçuese, për të lansuar në opinion shpifje të tilla makabre, kundër personalitetit dhe imazhit të ndritur të Vjosa Osmanit në popull si dhe në arenën ndërkombëtare”, ka nënvizuar Elezaj.

Haziri: Nuk reagoi askush përpos liderit të LDK-së, Isa Mustafa

Image
Nexhat Haziri

Kurse, Nexhat Haziri, njohës i çështjeve politike në vend, shprehet se kjo është një pasqyrë nivelit të ulët të debatit shoqëror në Kosovë.

“Një fushatë linçuese përmes rrjeteve sociale, si një lloj lufte special ndaj kryetares së Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, përveç që është e papranueshme dhe tejet primitive, është poashtu pasqyrë e nivelit të ulët të debatit shoqëror në Kosovë. Ky diskurs aspak human që tashmë po e shohim në rrjetet sociale, por jo vetëm këtu por edhe në disa nga mediat, sidomos në portale të afërta me parti të caktuara politike është si rezultat i polarizimit të skajshëm shoqëror të cilin e prodhuan vet partitë politike”, shprehet Haziri, për gazetën “Bota sot”.

Ai me tej shpjegon se si po mbështetet edhe në shoqëri ky diskurs i rrezikshëm, pa asnjë argument, pa asnjë përgjegjësi morale e penale.

“Është e habitshme se si ne si shoqëri po e mbështesim këtë diskurs shumë të rrezikshëm në komunikimin tonë ku me një lehtësi, pa asnjë argument, pa asnjë përgjegjësi morale e penale, sot mund t’i thuash kujtdo tradhtar, UDB, bashkëpunëtor i Serbisë, Rusisë, dreqit e t’birit. Ndërsa në anën tjetër organet e sigurisë dhe të drejtësisë janë të heshtur përballë kësaj “harlisje” shoqërore e cila është mjaftë e rrezikshme”, shpjegon ai.

Në fund, Haziri deklaron se është e habitshme se si përveç kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa, nuk reagoi askush tjetër, e as nga Vetëvendosje më të cilën Osmani është më e afërt se sa me partinë ku ajo vazhdon të jetë nënkryetare.

“Të bëhen linçime të tilla publike të përkrahura edhe nga turma të tjera, është sikur të shkosh në mal, të shënjosh lisat, dhe më pas është vetëm çështje kohësh se kur do të priten ata. Po ashtu për tu habitur se ndaj linçimit të kryetares së Kuvendit të Kosovës, që lirisht mund të themi se ishte në një farë forme edhe kërcënim për familjen e saj, nuk reagoi askush përpos liderit të LDK-së, Isa Mustafa, ku Osmani është nënkryetare e partisë. Nuk patëm reagim as nga parti të tjera, sidomos nga LVV-ja më të cilën Osmani është më e afërt se sa me partinë ku ajo vazhdon të jetë nënkryetare, pra në LDK-në, nuk reaguan as qeveria e as presidenca”, tha në fund Haziri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat