Berisha: Thaçi duhet ta frenoj veten dhe ti analizoj qëllimet e errëta të Serbisë, ndaj territorit të Kosovës

Politika

Berisha: Thaçi duhet ta frenoj veten dhe ti analizoj qëllimet e errëta të Serbisë, ndaj territorit të Kosovës

Nga: D.B. Më: 10 qershor 2020 Në ora: 17:05
Hashim Thaçi

Presidenti i Republikës së Kosovës Hashim Thaçi është protagonisti i më i madh i idesë për arritjen e marrëveshjes mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë e cila prej tij interpretohet si një mundësi e mirë për rivendosjen e marrëdhënieve të ndërprera mes dy vendeve pas konfliktit të përgjakshëm të armatosur të viteve 1998/99 në Kosovë, i cili shpërtheu si rezultat i agresionit të të ashpër dhe të egër të kryer nga Serbia ndaj territorit dhe popullatës së Kosovës.

Kështu ka vlerësuar analisti politik Ejup Berisha i cili në një prononcim për gazetën “ Bota sot” ka thënë se jashtë Republikës së Kosovës në Serbi protagonist kryesorë të arritjes së marrëveshjes së njëjtë janë dy persona e ata janë Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç dhe ministri i jashtëm i këtij shteti Ivica Daçiç.

Image
Ejup Berisha

“Presidenti Hashim Thaçi një kohë të gjatë në opinionin  e Kosovës, po flet për mundësinë dhe nevojën e korrigjimit të kufijve mes dy shteteve fqinje. Ai ka shprehur dëshirën që Kosovës ti bashkëngjitet lugina e Preshevës ndërsa Serbia një kohë të gjatë ia ka vënë syrin një pjese të territorit të Kosovës në Mitrovicën veriore. Presidenti i Kosovës lidhur me çështjen e rivendosjes së marrëdhënieve me Serbinë ka të drejtë vetëm në kërkesën dhe nevojën që të bëhet çështja në fjalë sepse është e nevojshme që të ndërpritet armiqësia e gjatë disa shekullore Serbo-Kosovë”, ka thënë analisti politik Ejup Berisha.

Ai konsideron se popujt dhe shtetet zhvillohen dhe përparojnë vetëm se në paqe dhe duke bashkëpunuar mes vete e jo duke u konfrontuar dhe duke luftuar.

“Thaçi gjithashtu ka të drejtë të kërkoj bashkimin e Luginës së Preshevës me Republikën e Kosovës për shkak të lënies pas dore nga ana e autoriteteve shtetërore të Serbisë të këtij territori dhe të popullatës shumicë shqiptare që jeton në këtë territor. Por mendoj se Presidenti Hashim Thaçi gabon që ngutet shumë për të arritur marrëveshje me Serbinë dhe për idenë e korrigjimit të kufijve sepse ai duhet njëherë ti sheh dhe ti analizoj rrethanat dhe kushtet me të cilat do të zhvillohen këto dy procese të vështira, komplekse dhe shumë të dhimbshme për Kosovën dhe popullin shqiptar. Pra ajo që është e pakuptimtë është çështja se pse Presidenti Hashim Thaçi po ngutet shumë në këto dy çështje. Ai konsideroj se bën gabim që ngutet sepse i njëjti nuk është duke këmbyer bumbone dhe karamele në tezgën e lagjes së tij porse me Serbinë duhet të lidhë rivendos marrëdhënie të vështira sepse Serbia është partner i vështirë dhe i paparashikueshëm në bisedime. Pra këmbimi i territorit nuk është çështje aq e thjeshtë shkel e shko. Pra Kosova me Serbinë duhet të këmbej territor që është pjesë përbërëse e integritetit dhe sovranitetit shtetëror të Republikës së Kosovës. Këtë sjellje të pakuptimtë dhe fëmijërore duhet patjetër ta sqaroj Presidenti Hashim Thaçi se përndryshe ai me këto sjellje dhe gjeste po e dëshmon papjekurinë dhe fëmijërinë politike të tij. Apo dhe mund të lindin dyshime për keqpërdorime të këtij procesi nga ana e tij. Apo dhe mund që i njëjti të jetë i shantazhuar nga ana e Serbisë”, ka thënë analisti politik Berisha.

Sipas tij, Hashim Thaçit duhet bërë me dije apo dhe sqaruar se liderët e pjekur dhe serioz politik nuk nguten asnjëherë ata punojnë dhe veprojnë ngadalë gjithmonë duke i pasur parasysh interesat e popujve dhe shteteve të tyre.

“Prandaj Presidenti i Kosovës duhet ta frenoj shumë vetveten dhe të ulet e të analizoj te mendoj dhe të veproj me mençuri me pjekuri, më gjakftohtësi dhe të jetë i kujdesshëm me Serbinë posaçërisht me këtë të fundit sepse ky shtet përherë ka pasur qëllime të errëta dhe të dyshimta ndaj territorit të Kosovës. Prandaj duke e pasur parasysh këtë përvojë të kamotshme me Serbinë Presidenti i Kosovës duhet të jetë më i përmbajtur dhe më i frenuar. Sepse territori i një shteti është i shenjtë i paprekshëm ndërsa integriteti dhe sovraniteti i saj janë të paprekshëm dhe të panegociueshëm. Ndërsa Presidenti i shtetit moralisht edhe juridikisht ka obligim dhe detyrim që të kujdeset dhe ti ruaj ato si sytë e ballit të tij e jo të ngutet që ti këmbej ato pa pasur garanci bindëse dhe të fuqishme se Republika e Kosovës do të del fituese në procesin e korrigjimit të mundshëm të kufijve. Prandaj edhe njëherë Presidenti i Republikës së Kosovës o duhet ta frenoj veten o duhet ta frenojnë qytetarët e Kosovës sepse një fjalë popullore thotë Kush ngutet mund të fëlliqet”, ka thënë analisti politik Ejup Berisha.

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat