Heqja e reciprocitetit, eksperti i ekonomisë tregon a ishte vendim i drejtë dhe çka dëshmoi Hoti me këtë

Politika

Heqja e reciprocitetit, eksperti i ekonomisë tregon a ishte vendim i drejtë dhe çka dëshmoi Hoti me këtë

Nga: G.B Më: 10 qershor 2020 Në ora: 18:02
Avdullah Hoti

Qeveria Hoti me të marrë detyrën e ka hequr reciprocitetin ndaj Serbisë, të cilin e kishte vendosur Qeveria Kurti, pas heqjes së taksës.

Për këtë pati reagime të shumta kundër.

Por, a ishte vendim i drejtë heqja e reciprocitetit, që u mundëson mallrave serbe të hyjnë në Kosovë, duke mos e konsideruar Kosovën shtet të pavarur?

Lidhur me këtë, eksperti i ekonomisë, Mustafë Kadriaj, ka thënë për gazetën "Bota sot" se është jetike ruajtja e marrëdhënieve me miqtë ndërkombëtarë, sidomos SHBA-në.

"Duke marrë parasysh rrugëtimin e Kosovës si shtet, vlerësoj që çdo lider partiak që pretendon që të merr përgjegjësi dhe të udhëheq me vendin, duhet të ketë të qartë ruajtjen e partneritetit ndërkombëtar dhe veçanërisht me partnerin strategjik SHBA, është jetike përndryshe do të penalizojë vetveten dhe më e rëndësishmja perspektiven e Kosovës. Jemi të vetëdijshëm që mund të përballemi me padrejtësi nga faktori ndërkombëtar por një gjë është e qartë që falë këtij partneriteti me miqtë ndërkombëtarë, Kosova përkundër sfidave ka arritur që të krijojë besim dhe të radhitemi në mesin e shteteve tjera", është shprehur ai.

Image
Mustafë Kadriaj

Sipas tij, heqja e reciprocitetit është veprim i drejtë, sepse për të siguruar një ulëse në OKB, duhet të bëjmë marrëveshje me Serbinë.

"Duke qenë të vetëdijshëm që për të siguruar ulësen në OKB duhet të kemi një marrëveshje përfundimtare me fqinjin verior Serbinë, njëherësh do jenë bisedime sfiduese për Kosovën por Kosova duhet të dëshmojë që është pro bisedimeve dhe fqinjësisë së mirë ku edhe në këtë rast përkundër atakimit të Serbisë lidershipi i Kosovës për hir të partneritetit ka vepruar drejt duke larguar të gjitha masat e reciprocitetit për faktin që më jetike është sigurimi i ulëses në OKB. E them këtë sepse me të siguruar ulësen në OKB tani e tutje Kosova mund të ngritë zërin dhe të protestojë si anëtare e Kombeve të Bashkuara. Duhet të kemi të qartë që ne si vend provuam me masa të reciprocitetit dhe më taksë por rrezikuan partneritetit, bllokuam të ardhmen politike dhe ekonomike dhe njëherësh i dhamë rast Serbisë që të relaksojë veten para botës demokratike dhe më e rënda duke paraqitur Kosovën si jo bashkëpunuese dhe si vend problem", ka vlerësuar Kadriaj.

Ai shton se me këtë veprim, Hoti dëshmoi se është pro dialogut.

"Pra në këtë rast vlerësoj që kryeministri Hoti dëshmoi para miqve ndërkombëtar që është pro dialogut duke rikthyer besimin e Kosovës tek partneri strategjik siç janë SHBA-të ku në këtë rast kryeministri dha prova të një lidershipi liberal duke i dhënë përparësi dialogut për një marrëveshje finale që pa marrëveshje finale dhe pa siguruar ulësen në OKB gjithnjë do jemi të atakuar nga fqinji verior si në aspektin politik diplomatik dhe ekonomik", ka deklaruar Mustafë Kadriaj për "Bota sot".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat