Tradhti kombëtare futja e Listës Serbe në Qeveri

Politika

Tradhti kombëtare futja e Listës Serbe në Qeveri

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 10 qershor 2020 Në ora: 20:10
Qeveria e Kosovës

Tashmë Qeveria e re Kosovës e udhëhequr nga Avdullah Hoti ka shënuar një javë që nga votimi i saj në Kuvendin e Kosovës. Mënyra si ka ardhur në pushtet kjo Qeveri është kritikuar, përveç kësaj është kritikuar edhe për një çështje tjetër, e cila është përfshirja e Listës Serbe.

Koalicioni i Lidhjes Demokratike të Kosovës  me Listën serbe po quhet si tradhti kombëtare dhe për këtë po kërkohet edhe shqyrtimi urgjent i saj.

Sipas, ekspertëve politika e Serbisë ka ndikim në të gjithë politikën e rajonit, dhe kanë paralajmëruar politikisht po fiton politika e vjetër dhe kjo është një klimë në të gjithë rajonin.

Vata: Mes shqiptarëve ka tradhtarë të interesave Kombëtare

Njohësi i çështjeve politike, Ilir Vata, në bashkëbisedim me gazetën “Bota sot” ka komentuar zhvillimet e politike në Kosovë që nga rrëzimi i Qeverisë së udhëhequr, nga Albin Kurti e deri tek formimi Qeverisë së re.

“Koalicioni VV dhe LDK ishte një format i gjetur politikisht pasi dy kahe politike me diversitet gjetën mundësinë e bashkëpunimit për qeverisje dhe pas një pritje relativisht të gjatë formatohet qeveria e Albin Kurtit. Të gjithë e pritën si një mundësi të re, si një barrierë për marrëveshjet e fshehta me Serbinë në dem të Kosovës, si një mundësi për më shumë transparencë me dialogun Serbi Kosovë, si një qeverisje e vogël që do luftonte korrupsioni, por ishte jetë shkurtër?”

Pse ra Albin Kurti? Kjo është dilema që po diskutohet sot në politikën shqiptarë?!

Image
Ilir Vata

“E para politika rajonale hyri në një vorbull pa krye me shengenin ballkanik, ku Kosova u përjashtua dhe kjo erdhi pas publikimit të fakti se ekziston një marrëveshje e fshehtë për ndarjen e Kosovës. Pas lançimit të kësaj padrejtësie shqiptarët kërkonin shpëtim nga padrejtësia dhe koalicion VV LDK ishte jo vetëm gjetje politike por pjesa që zgjedhën qytetarët e Kosovës për t’i drejtuar.

Më pas, ndodhi ajo që askush se priste dhe dëshironte, qeveria Kurti bie dhe politika kthehet te ish-gjeneralët që u vendos nga Gjykata Kushtetuese.

Në aspektin demokratik Kurti është fitues dhe duhet të qeverise vendin pas zgjedhjeve duke arritur të mblidhte korumin e duhur të votave në Kuvend për të qeverisur dhe pas rrëzimit, Gjykata kushtetuese legjitimoj palën tjetër duke i dhënë mundësi krijimit të një koalicioni tjetër.

Pra në aspektin ligjor, Gjykata Kushtetuese i ka hequr të drejtën, dhe askush nuk mund të interpretojë vendimin e gjykatës.

Politikisht, mendohet se palët në Kosovë, apo politika e gjeneralëve që është jetëgjatë në pushtet u bë bashkë kundër Kurti, të tremburi nga korrupsioni, nga Gjykata Speciale, madje dhe pazari në kurriz të Kosovës për të rrëzuar Kurtin, madje filluan fushatë të bindnin qarqet diplomatike se Kurti është antiamerikan”, ka thënë Vata për “Bota sot”.

Gjithashtu, ai është shprehur se një arsye e fortë që erdhi në këtë gjendje,  dhe se mes shqiptarëve ka tradhtarë të interesave kombëtare dhe qeveria Kurti u bë preh e tradhtisë.

“E drejta do ishte që qytetarët ti drejtohen zgjedhjeve, pra duhet që Kosova ti ishte drejtuar sovranit për të vendosur se kush duhet ta qeveris Kosovën, por fatkeqësisht qeveria Kurti u bë pre e politikës së gjeneralëve, që tregojnë që jo vetëm janë të pushtetshëm, por morën një mandat tjetër për të përmbyllë atë që projekt, marrëveshja Kosovë-Serbi, që me shumë gjasa nuk do të jetë e largët dita kur të bëhet realitet, por ajo që nuk dihet është çfarë kosto do paguajnë shqiptarët.

Për herë të parë në historinë shqiptarë, politika e Kosovës dhe e Tiranës zyrtare nuk ka qenë aq larg dhe aq e ndrirë se sa sot dhe ky është jo vetëm një trishtim, por një arsye e fortë që erdhi në këtë gjendje, pra druhem se mes shqiptarëve ka tradhtarë të interesave kombëtare dhe qeveria Kurti u bë preh e tradhtisë”, ka potencuar Vata për “Bota sot”.

Gjithashtu, ai ka shtuar se qytetarët e Kosovës nuk do pranojnë pakicën ti qeveris.

“Pavarësisht situatës, shumë gjëra do të sqarohen sepse nuk mund të ndodh në demokracia që shumica të jetë opozitë, kjo është hera e parë që ndodh në demokraci, por që në fakt do vlejë më shumë, pasi qytetarët e Kosovës nuk do pranojnë pakicën ti qeveris”.

Gjithashtu, ai flet edhe për përfshirjen e Listës Serbe në Qeverinë e re të Kosovës, ku sipas tij, po mendohet se qeveria Hoti është me afër me Serbinë se qeveria Kurti, dhe këtë e quan realitet.

“Ndërsa sa i përket Listës Serbe në koalicion, kjo është një shkartisje politike për ti dhënë të kuptojë botës se ne po bashkëjetojmë, të tjerë e mendojnë se qeveria Hoti është me afër me Serbinë se qeveria Kurti, dhe kjo tashmë është realitet. Politika e Serbisë ka ndikim në të gjithë politikën e rajonit, për shkak të lidhjeve të saj të vjetra me Rusinë, komunizmin dhe diktatura dhe asnjë qeveri në Ballkanin Perëndimorë nuk ka ardhur në pushtet pa bekimin e Serbisë, pra të Rusisë”, ka theksuar Vata për “Bota sot”.

Më tej, ai ka paralajmëruar se ndikimi amerikanë kohët e fundit po dobësohet në rajon.

“Ndikimi amerikanë kohët e fundit po dobësohet në rajon dhe politikisht po fiton politika e vjetër dhe kjo është një klimë në të gjithë rajonin, fatkeqësisht”,  është shprehur Vata për “Bota sot”.

LDK-ja nuk ka dalë si parti fituese

Ndërkaq, publicisti Rexhep Elezaj, ka deklaruar se Qeveria e re e Kosovës është ilegjitime, pasi që LDK-ja nuk ka dalë si parti fituese nga zgjedhjet e 6 tetorit 2019.

“Edhe qytetarët e thjesht të cilët nuk merren me politikë e kanë kuptuar, se Qeveria “Hoti”, është qeveri ilegjitime, antikushtetuese dhe e formuar në kundërshtim të plotë me vullnetin dhe votën e shumicës së elektoratit shqiptar, sepse LDK-ja nuk ka dalë si parti fituese nga zgjedhjet e 6 tetorit 2019, veçse si parti e dytë sipas përqindjes së votave të marra nga elektorati votues! Është qeveri antikushtetuese, sepse me Nenin 95. 5 të Kushtetutës si dhe me vendimin e GJK të vitit 2014, në mënyrë të prerë partia dytë nuk ka të drejtë ta uzurpojë mandatin e partisë së parë fituese, në këtë rast të LVV-je, që të formojë qeveri tjetër, pa marrë parasysh shkaqet e rrëzimit ose të dorëheqjes së qeverisë së formuar nga partia fituese, siç ndodhi me qeverinë “Kurti”, e cila vetëm pas 52 ditësh qeverisje u rrëzua me mocion të mosbesimit nga Isa Mustafa dhe partia të cilën ai e mbanë peng, LDK-në, që nga viti 2010 kur me puç erdhi në krye të saj..!?”, ka thënë Elezaj.

Image
Rexhep Elezaj

Gjithashtu, ai ka shtuar se është shkelur brutalisht vullneti i 220 mijë votuesve të LVV-je, të cilët me votën e tyre e nxorën atë parti fituese në zgjedhjet e 6 tetorit.

“Ta rrëzosh partnerin e koalicionit bashkë qeverisës me të cilin vullnetarisht ke hyrë në bashkëqeverisje, dhe atë vetëm pas 52 ditësh qeverisje, vërtetë ky akt nuk mund të konsiderohet ndryshe, veçse një veprim tradhtie, ligësie dhe pafytyrësie. Mbase, prishja e koalicionit me LVV-je në kohë pandemie si dhe pa asnjë shkak të fortë politik dhe juridik, por vetëm nga  motivet hakmarrëse dhe inatet personale, ose nga frika për mundësinë e ballafaqimit me dosjet e veta (I. M.) të cilat që disa vite gjenden në sirtarët e gjykatave në Prishtinë, se pas miratimit të ligjit të ri për Wettingun dhe ligjin për verifikimin e pasurive të paligjshme, duhet të kenë qenë në fakt shkaqet që I. M. e kishin detyruar që ta përgatis skenarin e fshehët në koordinim të ngushtë me presidentin Thaçi, që pas rrëzimit të qeverisë “Kurti” ta formon qeverinë tjetër, ashtu siç edhe ndodhi dje, me 3 qershor 2020..!? Prandaj, nuk ka asnjë dyshim, se formimi i qeverisë tjetër me mandatarin i emëruar nga LDK-ja, pra me Avdullah Hotin kryeministër, është shkelur brutalisht po ashtu edhe vullneti i 220 mijë votuesve të LVV-je, të cilët me votën e tyre e nxorën atë parti fituese në zgjedhjet e 6 tetorit, dhe, në këtë mënyrë është dhunuar edhe akti më i lartë juridik i Republikës së Kosovës, pra Kushtetuta dhe normat e saja të definuara në mënyrë të qartë!”, ka thënë Elezaj.

Ai e ka komentuar edhe përfshirjen e Listës Serbe në Qeverinë e Kosovës, ku ka kërkuar urgjentisht të jetë objekt shqyrtimi i ASHAK-së.

Ndërsa, sa i përket përfshirjes dhe marrëveshjes së LDK-së me “Lista Srpska” për të bashkë qeverisur me të, duke ia dhënë edhe postin e zv/kryeministrit, kjo është pa dyshim, një kaptinë e zezë në vete, e cila duhet urgjentisht të jetë objekt shqyrtimi i Akademisë së shkencave dhe arteve të Kosovës (ASHAK), e spektrit të gjerë politik dhe medial, e forumeve dhe OJQ-ve dhe shoqërive civile dhe e Avokatit të popullit, për ta analizuar dhe verifikuar mirë këtë akt tradhtie kombëtare, sepse asnjëra parti shqiptare në këto 20 vite nuk e ka rikthyer regjimin e Serbisë në Kosovë, siç bëri tash LDK-ja e udhëhequr nga komunisti sllavo-nostalgjik dhe mik i serbëve, siç u tregua Isa Mustafa!”, ka potencuar ai për “Bota sot”

Po ashtu, Elezaj përfshirjen e Listës serbe e quan tradhti kombëtare.

“Prandaj, kjo çështje besoj se do shqyrtohet ditët dhe javët në vijim, në mënyrë që të jepen vlerësime të sakta për këtë akt të  tradhtisë kombëtare, si dhe të merren masa politike dhe ligjore ndaj I. M. dhe partisë së tij për kthimin e regjimit të Beogradit zyrtar në institucionet e Republikës së Kosovës, duke e zbatuar kështu në praktikë Rezolutën e KS të OKB-së 1244 për Kosovën..!”, ka përfunduar Elezaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat