Deputetja e PDK-së: Qeveria e Kosovës nuk guxon që një komunitet ta mbipërfaqësojë në pozita

Politika

Deputetja e PDK-së: Qeveria e Kosovës nuk guxon që një komunitet ta mbipërfaqësojë në pozita

Nga: H.O. Më: 11 qershor 2020 Në ora: 19:15
Ariana Musliu Shoshi

Qeveria e re në krye me Avdullah Hotin si kryeministër, ka bërë disa lëshime ndaj Serbisë, duke i hequr taksat për t’i liruar rrugën dialogut në Bruksel e më pas edhe duke iu ofruar pozita qeverisëse, si partner të koalicionit të përbashkët, gjë që është kritikuar shumë nga opozita e njohës të politikës.

Kështu, deputetja e PDK-së, Ariana Musliu Shoshi në një prononcim për “Bota sot”, thotë se përfaqësimi i komuniteteve në qeveri është e paraparë me Kushtetutën e Kosovës, por kjo nuk do të thotë se një komunitet të mbipërfaqësohet e tjerat komunitete të mbesin jashtë funksioneve shtetërorë.

“Përfaqësimi i komuniteteve në Qeverinë e Kosovës është i paraparë me kushtetutën e Kosovës. Por, ky përfaqësim nuk do të thotë se qeveria të ofrojë pozita për një komunitet të caktuar në emër të votimit të saj dhe në emër të votave të tjera në kuvend. Qeveria e Kosovës nuk guxon që një komunitet ta mbipërfaqësojë në pozita e komunitetet e tjera t’i lë jashtë funksioneve shtetërore. Këtu nuk mund të bëj përjashtim as Lista Serbe, sepse asgjë nuk po ndërron me qeverinë Hoti, Lista serbe do ta ketë të njëjtën fuqi politike siç e kishte në Qeverinë Kurti”, vlerëson ajo.

Deputetja e PDK-së më tutje thotë se sa i përket taksës, Kosova duhet t’i kthehet sjelljes normale diplomatike dhe axhendës të përbashkët me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sepse demarkacioni, taksa dhe reciprociteti e po ashtu edhe dialogu u kepërdorën herë nga opozita, e herë nga disa parti politike në udhëheqje, për interesa të përkohshme elektorale.

“E keni parë se si në momentin që u vendosën në qeveri, ata i ndryshuan qëndrimet për taksën edhe për reciprocitetin. Për këtë arsye, Kosova ka nevojë që pas pandemisë të shkoj në zgjedhje, në mënyrë që Partia Demokratike t’i fitojë zgjedhjet e të qeverisë siç duhet me Kosovën”, vlerëson ajo./Bota sot

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat