A ka guxim Qeveria Hoti t’i ‘shtrëngojë dhëmbët’ para Serbisë!?

Politika

A ka guxim Qeveria Hoti t’i ‘shtrëngojë dhëmbët’ para Serbisë!?

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 11 qershor 2020 Në ora: 20:27
Avdullah Hoti

Qeveria e re në krye me Avdullah Hotin e LDK-së, menjëherë filloj ndryshimet, qysh në ditët e para. Kështu, hoqi taksën për Serbinë, duke e ndryshuar këtë vendim nga qeverisja e kaluar.

Madje e njëjta qeveri është krijuar poashtu në një koalicion me Listën Serbe. Këtyre të fundit si partner koalicioni, ua dhanë edhe disa pozita të rëndësishme, si pozitën e zëvendëskryeministrit, në të cilën është emëruar Goran Rakiq, ish kryetari i Mitrovicës së Jugut. I njëjti mban pozitën edhe të ministrit të Pushtetit Lokal.

Kësisoj, Kosova ka bërë disa lëshime ndaj Serbisë, duke i hequr taksat për t’i liruar rrugën dialogut në Bruksel e më pas edhe duke iu ofruar pozita qeverisëse, si partner të koalicionit të përbashkët, gjë që është krijuar shumë nga opozita e njohës të politikës.

Musliu Shoshi: Qeveria e Kosovës nuk guxon që një komunitet ta mbipërfaqësojë

Kështu, deputetja e PDK-së, Ariana Musliu Shoshi thotë se përfaqësimi i komuniteteve në qeveri është e paraparë me Kushtetutën e Kosovës, por kjo nuk do të thotë se një komunitet të mbipërfaqësohet e tjerat komunitete të mbesin jashtë funksioneve shtetërorë.

Image
Ariana Musliu Shoshi

“Përfaqësimi i komuniteteve në Qeverinë e Kosovës është i paraparë me kushtetutën e Kosovës. Por, ky përfaqësim nuk do të thotë se qeveria të ofrojë pozita për një komunitet të caktuar në emër të votimit të saj dhe në emër të votave të tjera në kuvend. Qeveria e Kosovës nuk guxon që një komunitet ta mbipërfaqësojë në pozita e komunitetet e tjera t’i lë jashtë funksioneve shtetërore. Këtu nuk mund të bëj përjashtim as Lista Serbe, sepse asgjë nuk po ndërron me qeverinë Hoti, Lista serbe do ta ketë të njëjtën fuqi politike siç e kishte në Qeverinë Kurti”, vlerëson ajo.

Deputetja e PDK-së më tutje thotë se sa i përket taksës, Kosova duhet t’i kthehet sjelljes normale diplomatike dhe agjendës të përbashkët me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sepse demarkacioni, taksa dhe reciprociteti e po ashtu edhe dialogu u keqpërdorën herë nga opozita, e herë nga disa parti politike në udhëheqje, për interesa të përkohshme elektorale.

“E keni parë se si në momentin që u vendosën në qeveri, ata i ndryshuan qëndrimet për taksën edhe për reciprocitetin. Për këtë arsye, Kosova ka nevojë që pas pandemisë të shkoj në zgjedhje, në mënyrë që Partia Demokratike t’i fitojë zgjedhjet e të qeverisë siç duhet me Kosovën”, vlerëson ajo.

Millaku: Qeveria aktuale është shembulli më i keq

Image
Drita Millaku

Ndërkaq, ish deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Drita Millaku thotë se fillimisht koalicioni me Listën serbe është i dëmshëm për Kosovën duke e ditur se kjo listë është e varur nga Beogradi.

“Me këtë veprim paraprakisht janë bërë koncesione Serbisë kur dihen kushtet që janë vënë nga kjo listë për të qenë pjesë e qeverisë. Negociatat do të sjellin koncesione tjera për serbët që për ne do të thotë se ka hasur thika në asht. Thonë qeni i keq ta sjell ujkun në torisht. Qeveria aktuale është shembulli më i keq i qasjes ndaj interesit shtetëror këta kanë interesa të ngushta të cilat e kanë lënduar tashmë interesin shtetëror dhe kombëtar veprimet e pritshme nga ta do të jenë fatale për ne ndaj është detyrë që t’i heqim sa më parë nga pushteti”, vlerëson ajo.

Ajo thotë më tutje se fatkeqësia më e madhe është se për 20 vjet pas luftës politika e Kosovës ka qenë defanzive karshi Serbisë.

“Duhet ta kuptojnë të gjithë se nuk do të ketë marrëveshje pa një dialog të mirëfilltë, por më e rëndësishmja është se nuk do të lejojmë marrëveshje në dëm të Kosovës. Edhe pse po tentohet për një marrëveshje në këtë vit jam e bindur se sivjet nuk do të ketë marrëveshje, këto 3 muajt e ardhshëm janë vendimtare, andaj do të rezistojmë fuqishëm”, vlerëson Millaku nga Vetëvendosje.

Njohësit e çështjeve politike e shohin këtë qeveri si të ‘kërcënuar’ nga Serbia, pasi në momentin që kjo qeveri tregon ‘dhëmbët’ ndaj saj, rënia e saj është e menjëhershme. Madje sipas tyre, lëshime ndaj Serbisë do të bëhen edhe më tepër dhe se gjendja veç se është kthyer prapa me heqjen e taksave, ndonëse ishte negociuar për shtatë vite.

“Lëshimet ndaj Serbisë do të jenë edhe më të mëdha”

Image
Faton Mehmeti

Kështu, Faton Mehmeti, njohësi i çështjeve politike thotë se fakti që kjo qeveri varet nga Lista Serbe, nënkupton të mos pasurit guxim për të treguar qëndrim të denjë karshi Serbisë.

“Në momentin që qeveria tregon "dhëmbët" ndaj Serbisë, rënia e saj nga pushteti është e pashmangshme. Heqja e tarifës pa kushte është hapi i parë i lëshimeve të mëdha, me kalimin e kohës ato vetëm sa do të shtohen. Kjo është qeveri e Grenellit dhe Thaçit, dhe si e tillë nuk mund të jetë në favor të vendit tonë, por të realizimit të skenarëve të tyre për përfitime personale. Lëshimet ndaj Serbisë do të jenë edhe më të mëdha, për të cilat do habiten edhe zogjtë e malit. S’keni pa gjë akoma”, vlerëson Mehmeti.

“Këtë nuk e ka merituar Kosova”

Image
Blerim Burjani

Ndërkaq, Blerim Burjani, njohës i çështjeve juridike, thotë se gjendja është kthyer prapa nga shtatë vite bisedime.

“Gjendja veç u kthye prapa, nuk ka pas ndonjë ndryshim nuk kishte taksë dhe ishte negociuar me Serbinë që shtatë vjet, tash kërkesa ishte të mos ketë taksë dhe asnjë formë tjetër që do të pengonte rinisjen e dialogut, Serbia e shfrytëzoj këtë fakt pa kushtëzime për dialog, po të ishim pyete ne vështire se do të kishte me bisedime me Serbinë, por po pyetet e drejta ndërkombëtare, politika ndërkombëtare. Krijimi i stabilitetit të qëndrueshëm në Ballkan është episodi i fundit i një seriali të gjatë konflikti në mes shqiptarëve dhe serbëve, ky serial sipas fuqive të mëdha SHBA dhe BE duhet të i vije fundi të normaliziohen raportet dhe të njihen reciprokisht dhe të vazhdoj jeta në Ballkan si duhet”, vlerëson analisti Burjani.

Ai thotë më tutje se kjo është sakrifica që po e paguan populli i Kosovës.

“Këtë nuk e ka merituar Kosova dhe shqiptarët të varen nga normalizimi i raporteve me Serbinë e të mbeten pa liberalizim të vizave. Duket se liberalizimi nuk po lejohet për dy gjëra së pari Kosovën nuk po e njohin pesë shtete të BE dhe e dyta gjendja në një rend dhe ligj në Kosovë”, thekson analisti i çështjeve juridike, Blerim Burjani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat