Dialogu Kosovë-Serbi, Haziri jep parashikimin se kur do të rifillojë – ka disa fjalë edhe për kryeministrin Hoti

Politika

Dialogu Kosovë-Serbi, Haziri jep parashikimin se kur do të rifillojë – ka disa fjalë edhe për kryeministrin Hoti

Nga: N. H Më: 12 qershor 2020 Në ora: 22:49
Avdullah Hoti

Vazhdimi i dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë në rrethanat aktual, pas pezullimit të masës së reciprocitetit nga ana e Qeverisë Hoti, po shihet tashmë si i mundur.

Edhe pse ky proces ishte lënë në harresë për muaj të tërë, qoftë nga akterët në bisedime - Kosova dhe Serbia - qoftë nga lehtësuesit e tyre - Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, zërat e fundit janë se dialogun do të fillojë së shpejti.

E, për të folur rreth pritjeve që do të ketë Kosova, nga ky proces, për gazetën “Bota sot”, ka folur njohësi i çështjeve politike në vend.

Analisti politik, Nexhat Haziri, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se pritjet janë që dialogu mes Kosovës dhe Serbisë të prodhojë një marrëveshje finale.

Image
Nexhat Haziri

“Nëse bazohemi në angazhimin e shtuar të SHBA-ve në rifillimin e dialogut Kosovë- Serbi, por edhe të Bashkimit Evropian dhe me gjithë presionin e shtuar edhe në Prishtinën zyrtare, po ashtu edhe ndaj Beogradit zyrtar, pritjet janë reale që ky proces të prodhojë një marrëveshje finale në mes Kosovës dhe Serbisë, që patjetër do të përmbante edhe njohjen reciproke në mes tyre, pasi pa këtë kriter, marrëveshja nuk do të kishte asnjë arsye dhe efekti i saj do të ishte zero sa i përket normalizimit të marrëdhënieve në mes dy shteteve fqinje dhe forcimit të stabilitetit politik dhe të sigurisë në rajon, dhe besoj shumë se për këtë janë të vëmendshëm Uashingtoni dhe Brukseli”, ka thënë Haziri

Sa i përket se kush do ta përfaqësojë Kosovën në këtë proces, Haziri deklaron se këtë e ka bërë tashmë të qartë me një mendim të dhënë edhe nga Gjykata Kushtetuese.

Kurse, për kreun e qeverisë së Kosovës, konsideron se në këtë dialog do të bëjë një përfaqësim të mirë, të drejtë dhe transparent.

“Gjykata Kushtetuese e thotë se ky proces është obligim për qeverinë duke u bazuar në kompetencat kushtetuese, dhe po ashtu i jep një rol monitorues dhe konsultativ edhe presidentit. Në këtë kontekst unë pres që Kosova të përfaqësohet nga kryeministri Avdullah Hoti, që mendoj se do të jetë një përfaqësim i mirë, i drejtë dhe transparent. Ne këto ditë i kemi dëgjuar edhe pikëpamjet e kryeministrit Hoti sa i përket dialogut me Serbinë, pikëpamje këto që janë në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, dhe kryeministri Hoti është një njëri që mbron dhe avancon interesat e shtetit tonë në këtë proces, duke mos e rrezikuar me asnjë veprim integritetin territorial dhe funksionimin e shtetit të Kosovës”, ka deklaruar Haziri.

Në fund, ai thekson se fillimi i vjeshtës do të jetë data kur do të rifillojë dialogu mes dy vendeve.

“Se kur mund të rifillojë ky dialog, unë mendoj se do të jetë fillimi i vjeshtës, kur edhe do të jetë një dinamike më e shpejte, pasi tani për tani, dinamikën e procesit e ngadalëson zgjedhjet në Serbi të cilat janë paralajmëruar të mbahen në fund të muajit qershor ose në fillim të Korrikut. Por gjithsesi mendoj se fundi i këtij viti do të na gjejë me një marrëveshje finale në mes Kosovës dhe Serbisë”, ka përfunduar Nexhat Haziri, në një prononcim për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat