“Heqja dorë nga reciprociteti është heqje dorë nga dinjiteti shtetëror”

Politika

“Heqja dorë nga reciprociteti është heqje dorë nga dinjiteti shtetëror”

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 13 qershor 2020 Në ora: 12:02
Ilustrim

Lëvizja Vetëvendosje ka dorëzuar interpelancë mbi heqjen e masave të reciprocitetit ndaj Serbisë në Kuvendin e Kosovës.

Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga kryeministri Avdullah Hoti, në mbledhjen e saj, në javën e kaluar ka shfuqizuar masat për reciprocitetin ndaj Serbisë, të cilat ishin vendosur nga Qeveria e kaluar e cila në krye të saj kishte Albin Kurtin.

Mirëpo, veprimi i partisë së Kurtit, ishte i menjëhershëm. Lëvizja Vetëvendosje, ditë më vonë, ka dorëzuar në Kuvendin e Kosovës, kërkesën për interpelancë për heqjen e reciprocitetit ndaj Serbisë.

“Heqja e masave të reciprocitetit, është heqje dorë nga subjektiviteti shtetëror, kurse lejimi nga Qeveria e paligjshme dhe jolegjitime i emërtimeve jo kushtetuese në kohën përkundër se kishte filluar të respektohej emërtimi kushtetues Republika e Kosovës, është zmbrapsje e dëmshme politike dhe tregtare për shtetin e Kosovës”, thuhej në njoftimin e VV-së.

Ndërkaq, Drejtoria për media dhe marrëdhënie me publikun në Kuvendin e Kosovës, kanë konfirmuar se kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka përcjellur interpelancën e VV-së kryeministrit të vendit, Avdullah Hoti.

Ndërsa, sa i përket asaj se kur do të mbahet seanca nga Parlamenti i Kosovës në një përgjigje me shkrim kanë thënë se do të procedohet sipas rregullores së Kuvendit.

”Do të procedohet sipas nenit 44 pika 5 e Rregullores së Kuvendit”, thuhet në përgjigjen e Drejtorisë për media dhe marrëdhënie me publikun.

Basha: Heqja dorë nga reciprociteti është heqje dorë nga dinjiteti shtetëror

Lidhur më këtë çështje, gazetat “Bota sot”, ka kontaktuar me deputetin e Vetëvendosjes në Kuvendin e Kosovës, Dimal Basha, i cili ka shpjeguar arsyen pse e kanë bërë këtë kërkesë në Kuvendin e Kosovës.

Image
Dimal Basha

Gjithashtu, deputeti Basha ka thënë se Qeveria Hoti nënshtrimin ndaj Serbisë e vlerëson si akt guximi, e jo turpërimi.

“Arsyeja pse kemi kërkuar është sepse heqja e reciprocitetit është heqje dorë nga dinjiteti shtetëror, përkundrazi nga nënçmimi që po i bëhet nga qeveria Hoti e kontrabanduar nga Hashim Thaçi, e cila nënshtrimin ndaj Serbisë e vlerëson si akt guximi, e jo turpërimi”, ka thënë Basha për “Bota sot”.

Ndërkaq, deputeti i VV-së nuk ka komentuar se a i ka votat e mjaftueshme partia e tij për këtë interpelancë .

“Interpelanca e LVV-së nuk pritet të kalojë në Kuvend”

Ndërkaq, njohësi i çështjeve politike dhe juridike, Islam Krasniqi, në një prononcim për “Bota sot”, nuk është shprehur optimist rreth kësaj çështje.

Image
Islam Krasniqi

“Kërkesa e LVV-së e dorëzuar në Kuvendin e Kosovës për interpelancë pas vendimit për heqjen e masës së reciprocitetit nga Qeveria aktuale nuk sjell ndonjë rezultat nëse bazohemi në të kaluarën ku pushtetarët në momentin e rehabilitimit në ekzekutiv nuk ju intereson për asgjë tjetër”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Për më tepër, Krasniqi thekson se nuk mund të ketë rikthim të reciprocitetit, për me tepër ka shpjeguar pse nuk mund të ndodh një gjë e tillë.

“Gjithashtu LVV-ja kërkon që të rikthehet reciprociteti i larguar nga qeveria Hoti gjë që nuk mund të ndodhë, pasi që ata (qeveria Hoti) janë deklaruar së për arsye të moslargimit të masave të reciprocitetit po dalin nga qeveria duke i arsyetuar së SHBA-ja po e kërkon një gjë të tillë”, ka deklaruar ai për “Bota sot”.

Po ashtu, ai ka thënë se Interpelanca e LVV-së nuk pritet të kalojë në Kuvend, si dhe ka përmendur edhe çështjen e peticionit të ngritur nga kjo parti.

“Interpelanca e LVV-së nuk pritet të kalojë në Kuvend, dhe në vendin tonë akoma ka një demokraci të brishtë e cila nuk i merr për bazë kërkesat e qytetarëve të cilat i shprehin përmes peticioneve, akoma tek në qytetarët janë larg vendimmarrjes në forma të peticioneve apo formave tjera, pasi që peticionet e kaluara kanë shkuar dhe kanë mbetur nëpër sirtar ku i ka mbuluar pluhuri dhe s'janë hapur për t'u shqyrtuar asnjëherë mira  kërkesa të qytetarëve”, ka potencuar Krasniqi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat