Vjen paralajmërimi për LDK-në, PDK-në, AAK-në e NISMA-n: Vetëvendosje ka rritje të mëdha – analisti zbulon pse partitë nuk po shkojnë në zgjedhje

Politika

Vjen paralajmërimi për LDK-në, PDK-në, AAK-në e NISMA-n: Vetëvendosje ka rritje të mëdha – analisti zbulon pse partitë nuk po shkojnë në zgjedhje

Nga: N. H Më: 13 qershor 2020 Në ora: 18:54
Foto ilustrim “Bota sot”

Lëvizja Vetëvendosje, ditën e djeshme ka mbajtur një tubim në 15 vjetorin e themelimit të saj si parti.

Në këtë tubim, përkundër se edhe me tej vendi po përballet me pandeminë Covid- 19, ra në sy numri i madh i qytetarëve nga i gjithë vendi që iu përgjigjen pozitivisht kësaj thirrjeje.

Mijëra aktivistë dhe simpatizantë të Lëvizjes Vetëvendosje u mblodhën në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë për të shënuar 21-vjetorin e çlirimit të Kosovës nga forcat serbe si dhe përvjetorin e krijimit të kësaj partie.

Për njohësin e çështjeve politike në vend, masa që përkrahi ditën e djeshme Lëvizjen Vetëvendosje, është një tregues së kjo parti ka rritje të mëdha.

Faton Mehmeti, për gazetën “Bota sot”, ka thënë se rritja e madhe që ka partia e Kurtit, është një argument se pse partitë tjera nuk kanë guxim që të shkojnë në zgjedhje të reja.

Sipas Mehmetit, tubimi i djeshëm wshtw mbajtur si për t’u futur frikën edhe më shumë kundërshtarëve politik.

Image
Faton Mehmeti

“Pothuajse të gjithë e kuptojnë se Lëvizja Vetëvendosje ka rritje, këtu besoj se s’ka diskutim. Prandaj, edhe asnjë parti sot nuk ka guxim të shkojë në zgjedhje duke ditur se Vetëvendosje është e para, dhe me rritje të theksuar. Edhe dje në tubimin e saj, u pa se kishte shumë njerëz, si për t’u futur frikën edhe më shumë kundërshtarëve politik”, ka thënë analisti politik, Faton Mehmeti, të shtunën për gazetën “Bota sot”.

Tutje, Mehmeti ka folur edhe për zgjedhjet, të cilat edhe janë kërkesë e vazhdueshme e partisë së Kurtit, pasi ky i fundit po konsideron se pushteti i është ‘vjedhur’.

Mehmeti thekson se parti e Kurtit do të dalë e para, kurdo që do të mbaheshin zgjedhjet e reja.

“Kurdo që mbahen zgjedhjet, Vetëvendosje do të dalë para, me partitë tjera që do garojnë për mos të pësuar debakël. Koha flet në favor të Lëvizjes Vetëvendosje, e cila rrezikun më të madh e ka nga rritja e saj, një rrezik që rrezikon t’i kthehet bumerang nëse nuk dinë ta menaxhojë siç duhet. Gjithsesi tani për tani Lëvizja Vetëvendosje është e vetme me vota sa gjithë të tjerat”, ka përfunduar analisti dhe njohësi i çështjeve politike në vend, Faton Mehmeti, për gazetën “Bota sot”.

Ndryshe, i pari i Vetëvendosje, Albin Kurti, ditën e djeshme tha se ata që e kanë kapur shtetin u kapën bashkë kundër qeverisjes së mirë, e sipas tij shteti i kapur nuk e duron qeverisjen e mirë dhe të korruptuarit nuk e durojnë drejtësinë.

“Presidenti nuk bashkëpunim të Vetëvendosje por gjeti të LDK, udhëheqja e së cilës e braktisi qeverisjen e mirë dhe qytetarët që u premtoi qeveri të ndryshimit. E tani janë bashkë në një qeveri Koti qe për kumbar e ka presidentin. Mirë qe janë bashkë sepse bashkë kanë qenë që 21 vjet në vjedhje e zhvatje e korrupsion”, tha Kurti.

Kurti tha se në ketë kohë ranë maskat e një kaste politikanësh të korruptuar. Ai tha se është një sistem politik në Kosovë ku blihet e tregohet vota e deputetëve.

Kujtojmë se Lëvizja Vetëvendosje dhe lideri i saj Albin Kurti, humbën qeverisjen e vendit në fund të muajit mars pas një mocioni mosbesimi në parlament.

Ish-kryeministri Kurti e ka quajtur Qeverinë Hoti si të jolegjitime dhe kërkon zgjedhje të parakohshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat