Ftesa e Grenellit, Haziri e ‘zbulon’ nëse do të arrihet marrëveshja e madhe mes Kosovës dhe Serbisë më 27 qershor

Politika

Ftesa e Grenellit, Haziri e ‘zbulon’ nëse do të arrihet marrëveshja e madhe mes Kosovës dhe Serbisë më 27 qershor

Nga: N. H Më: 15 qershor 2020 Në ora: 22:07
Richard Grenell dhe Hashim Thaçi

I emëruari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell, njoftoi se qeveritë e këtyre dy vendeve janë pajtuar që të takohen më 27 qershor në Shtëpinë e Bardhë, pasi palët janë pajtuar që t'i heqin pengesat për dialog.

Përmes një postimi në Twitter, Grenell tha se Serbia u pajtua që të pezullojë përkohësisht fushatën e çnjohjeve të pavarësisë së Kosovës dhe Kosova u pajtua të pezullojë përpjekjet për t'u anëtarësuar në mekanizma ndërkombëtarë.

“Lajm i mirë. Sapo pranova angazhimin e qeverive të Kosovës dhe Serbisë për të pezulluar përkohësisht fushatën e çnjohjeve dhe anëtarësimet në mekanizmat ndërkombëtarë, me qëllim që të takohemi në Uashington DC, në Shtëpinë e Bardhë më 27 qershor, për të biseduar për dialogun. Nëse njëra palë nuk është e kënaqur me bisedimet e 27 qershorit, ato mund të kthehen sërish në status quo, pasi të largohen nga Uashingtoni. Siç kemi thënë vazhdimisht, ne së pari duhet të bëjnë përparim në rritjen e ekonomive. Ky është fokusi. Mirëpres këto diskutime”, ka shkruar Grenell.

E, lidhur më këtë çështje, për gazetën “Bota sot”, ka folur analisti i njohur.

Analisti dhe njohësi i çështjeve politike në vend, Nexhat Haziri, ka thënë se caktimi i datës për 27 qershor kur do të takohen Kosova dhe Serbia, e publikuar në vigjilje të vizitës së Miroslav Lajçak, sipas tij, duket sikur garë në mes Uashingtonit dhe Brukselit se kush po e marrë autorësinë e arritjes së marrëveshjes.

Haziri po ashtu shprehet se nuk pret që më këtë datë të kemi një marrëveshje në mes dy vendeve, pasi analisti konsideron se të dy vendet edhe me tej nuk janë të gatshme për një gjë të tillë.

Image
Nexhat Haziri

“Caktimi i datës për 27 qershor kur do të takohen Kosova dhe Serbia nga administrata Amerikane, në Uashington, e publikuar në vigjilje të vizitës së Përfaqësuesit të Posaçëm i Bashkimit Evropian, për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak në Kosovë dhe në Serbi, duket paksa një garë në mes Uashingtonit dhe Brukselit se kush po e marrë autorësinë e arritjes së marrëveshjes finale në mes Kosovës dhe Serbisë. Unë nuk pres që data 27 qershor do të jetë datë kur do të kemi një marrëveshje në mes dy vendeve, për shkak se as Kosova dhe as Serbia nuk janë të gatshme për një akt të tillë”, është shprehur Haziri.

Tutje, Haziri ka shtuar se ky takim i paralajmëruar më 27 qershor, më shumë do të jetë një takim ku palët do të shprehin gatishmërinë e tyre për vazhdimin e dialogut, dhe paraqitja e pozicioneve të dy vendeve.

“Takimi i Uashingtonit, do të jetë një takim më shumë ku palët do të shprehin gatishmërinë e tyre për vazhdimin e dialogut, do t’i shfaqin pozicionet dhe pikëpamjet e tyre sa i përket procesit të bisedimeve, dhe kjo do t’i shërbej administratës amerikane rreth ndërtimit të strategjisë për t’i dhënë epilog kësaj çështje dhe kompromiset në të cilat do t’i shtyjë palët drejtë një marrëveshje përfundimtare e cila sipas mendimit tim, nuk mund të arrihet para vjeshtës së këtij viti”, ka përfunduar analisti dhe njohësi i çështjeve politike në vend, Nexhat Haziri, për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat