Analisti politik parasheh rrezikun e madh për Kosovën nga Thaçi e Mustafa

Politika

Analisti politik parasheh rrezikun e madh për Kosovën nga Thaçi e Mustafa

Nga: G.B Më: 18 qershor 2020 Në ora: 16:49
Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa

Presidenti e Kosovës e kundërshtoi si përfaqësues të BE-së për dialog Miroslav Lajçk, megjithatë e priti atë në takim. E Lajçak u takua edhe me krerët e tjerë të shtetit dhe me liderët e partive.

Pavarësisht se është ndërmjetësues për dialogun Kosovë-Serbi, ai tha se nuk e di nëse do të jetë i pranishëm në Shtëpinë e Bardhë me 27 qershor, ku do të diskutohet për dialogun.

E këtë vizitë të tij në Kosovë, e ka quajtur të  vonuar, njohësi i çështjeve politike, Rexhep Elezaj, ka thënë për gazetën “Bota sot”, derisa thotë se pas zgjedhjeve BE duket se i harroi obligimet e saj ndaj Ballkanit Perëndimor.

“Mendoj se vizita e djeshme e ndërmjetësuesit të BE-së në dialogun Kosovë-Serbi, z. Mirosllav Lajçak në Kosovë, ishte gjithsesi e mirëseardhur, por mjaft e vonuar, sepse BE-ja pas zgjedhjeve për Parlamentin evropian në fund të vitit të kaluar, duket sikur i harroi obligimet dhe kujdesin që e ka ndaj vendeve të Ballkanit perëndimorë, jo vetëm në aspektin e zhvillimit social- ekonomik, por në veçanti, në aspektin e sigurisë dhe stabilitet midis vendeve të këtij rajoni, pjesë kyçe e të cilit program është edhe përfundimi i procesit të bisedimeve Kosovë-Serbi për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare dhe juridikisht të qëndrueshme midis tyre”, është shprehur ai.

Elezaj thotë se udhëheqësit shtetëror të Kosovës do të duhej të ishin më insistues në kërkesat e tyre ndaj BE-së.

Image
Rexhep Elezaj

“Prandaj, udhëheqësit shtetëror të Kosovës është dashur të jenë shumë më insistues në kërkesat dhe vërejtjet e tyre ndaj neglizhencës së BE-së ndaj vendit tonë, duke ia thënë hapur qysh para ca viteve qëndrimin e Kosovës për mosinteresimin e mjaftueshëm të saj, kur është fjala sidomos për vazhdimin dhe përmbylljen e dialogut Kosovë-Serbi, si akt kyç për normalizimin e marrëdhënieve të acaruara midis tyre, si dhe njoftimin e plotë të BE-së për qëndrimin gjithnjë armiqësor dhe agresiv të Beogradit zyrtar kundrejt pavarësisë së Kosovës, dhe jo vetëm..!?”, ka vlerësuar ai për “Bota sot”.

Ai përmend qëndrimin e presidentit Thaçi, që thotë se ka pasur rol mjaft negativ në qëndrimin e BE-së ndaj Kosovës, si dhe injorimi i rolit të BE-së në dialog nga ana e presidentit.

“Mirëpo, këtu duhet cekur faktin e domosdoshëm, se në qëndrimin inert të BE-së ndaj Kosovës ndikim mjaft negativ ka pasur qëndrimi agresiv, ekskluziv dhe abuzues i presidentit Thaçi ndaj rolit të saj, duke marrë anë vetëm ndaj miqve tanë amerikanë, pra duke injoruar dhe përjashtuar rolin e BE-së në dialogun e Kosovës me Serbinë. Natyrisht, se injorimi dhe minimizimi i rolit të BE-së në këtë dialog nga ana e H. Thaçit, nuk ka guxuar të ndodhë në asnjë mënyrë, sepse vendi ynë gjeografikisht është pjesë e pandashme e kontinentit të Evropës, por edhe politikisht është çështje e pandarë nga agjenda politike e institucioneve më të larta të BE-së, PE-në si dhe gjitha mekanizmave tjera të tyre, anashkalimi i të cilave është sa i palogjikshëm, po aq i dëmshëm! Se është kështu, më së miri këtë e ka dëshmuar veprimi i koordinuar i NATO-s, pra të gjitha vendet anëtare të saj në vitin 1999 bombarduan bashkërisht regjimin kriminal të Serbisë, i cili po bënte gjenocid mbi 2 milion shqiptarët e Kosovës, gjë që ky veprim i tyre i përbashkët me SHBA-të, kur është fjala edhe për Kosovën dhe raportet e saj me Serbinë, siç është tash dialogu, duhet të zhvillohet dhe përmbyllet në koordinim dhe harmoni të plotë midis BE-së dhe SHBA-ve”, ka shtuar tutje Rexhep Elezaj.

Ai thotë se nuk duhet të ketë një marrëveshje finale në mes të Kosovës dhe Serbisë, pa një koordinim të mes të SHBA-së dhe BE-së.

“Çdo zgjidhje tjetër apo vendim i njëanshëm i cilës do palë, që mund të çon në marrëveshje përfundimtare midis Kosovës dhe Serbisë, nuk do jetë e qëndrueshme, as e gjithanshme, as përfundimtare, sepse pa garancat nga BE-ja, pjesë e të cilës një ditë duhet të bëhet edhe Kosova, nuk mund të ketë pajtim dhe marrëveshje historike dhe as të pranuar nga dy palët në një konflikt shekullor, siç janë akoma shqiptarët dhe serbet..!?”, ka vlerësuar ai.

Elezaj thotë se Lajçak nuk do të jetë në Shtëpinë e Bardhë me 27 qershor nëse nuk është ftuar e nëse nuk ka një koordinim të SHBA-së me BE-në, ku thotë se fillon dhe rreziku për një marrëveshje në mes të dyja vendeve.

“Zoti Mirosllav Lajçak, jam i sigurt se nuk do jetë në Shtëpinë e Bardhë në Ëashington me 27 qershor, po qe se administrata e presidentit D. Trump nuk është e koordinuar me BE-në, pra nëse nuk e ka ftuar të marrë pjesë në atë takim, ku pritet të vazhdojnë bisedimet Kosovë-Serbi, dhe ky është ai rreziku i cili mund t’i ndodhë Kosovës muajt në vazhdim, nëse me Serbinë do arrihet çfarëdo marrëveshjeje pa pjesëmarrjen aktive të BE-së! Se cilat janë ato rreziqe të mundshme nga përjashtimi eventual i BE-së nga negociatat Kosovë-Serbi, është hapësirë e vogël këtu të sqarohen shkaqet, por ato i dinë shumë mirë analistët e mirëfilltë të politikës miope të H. Thaçit dhe Isa Mustafës, të cilët duke anashkaluar BE-në nga zgjidhja e mosmarrëveshjeve me regjimin hegjemonist të Serbisë në krye me çetnikun Aleksandar Vuçiç, pa asnjë mëdyshje, kauzës nacionale të Kosovës dhe asaj shqiptare në Ballkan, do i shkaktojnë dëme të pariparueshme në vetë kauzën dhe qenien etnike, politike dhe kombëtare të kombit shqiptar”, ka deklaruar ai.

Ndërsa, sa i përket atij takimi, Elezaj nuk pret ndonjë rezultat konkret për Kosovën, pasi sipas tij administrata amerikane i njeh interesat e shqiptarëve, duke shtuar se nuk mund të ketë marrëveshje para zgjedhjeve në SHBA.

“Sa i përket takimit në Shtëpinë e Bardhë në Ëashington me 27 të këtij muaji, jam gati i sigurt, se nga ai takim nuk do ketë ndonjë rezultat konkret për Kosovën, edhe pse në takime diplomatike të këtij lloji nuk përjashtohen befasitë, në stilin; “Merre ose le..”, por që unë nuk besoj në këtë variant të njëanshëm të presidentit Trump, sepse administrata amerikane, mike e Kosovës, i njeh mirë interesat nacionale të shqiptarëve, andaj nuk besoj se mund do bie “viktimë” e udhëheqësve ilegjitim të Kosovës, të cilët interesat e Kosovës i kanë vetëm si alibi për realizimin e interesave të tyre personale, dhe këtë e kanë dëshmuar së paku në 10 vitet e fundit, ngase po t’i kishin pasur prioritet interesat e Kosovës, jam i sigurt se marrëveshja finale me Serbinë do ishte tani një çështje e së kaluarës..!? Unë, nuk besoj se para zgjedhjeve në SHBA do ketë arritje të marrëveshjes gjithëpërfshirëse, të qëndrueshme juridikisht dhe politikisht, e përfundimtare midis Kosovës dhe Serbisë për shumë arsye, por ajo më kryesorja për një dështim të mundshëm të takimit të ardhshëm në Ëashington do ishte me siguri, përjashtimi i BE-së nga ky takim si dhe bisedimet në të ardhmen..!?” ka përfunduar Rexhep Elezaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat