Marrëveshja përfundimtare Kosovë-Serbi, cili do jetë fituesi?

Politika

Marrëveshja përfundimtare Kosovë-Serbi, cili do jetë fituesi?

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 18 qershor 2020 Në ora: 21:12
Arkiv

Më 27 qershor pritet të mbahet takimi i radhës ndërmjet palës së Kosovës dhe asaj të Serbisë, pasi ato ishin ndërprerë kur Qeveria aso kohe e udhëhequr nga Ramush Haradinaj kishte vënë taksën 100% për produktet serbe. E me heqjen e kësaj takes, nga qeveria e re, e udhëhequr nga Avdullah Hoti, u hap rruga për vazhdimin e bisedimeve.

Kësisoji, diplomati amerikan, Richard Grenell i ka ftuar të dyjat palet të përfaqësuara nga dy presidentët dhe dy kryeministrat shqiptarë dhe serbë, në ëashington D.C.

Ndonëse nuk dihet se kur do të ketë një marrëveshje finale ndërmjet të dyja palëve, zyrtarët e Kosovës shprehen se nuk do të nënshkruajnë asnjë marrëveshje që do të dëmtoj Kosovën, derisa nga ana tjetër, zyrtarët serbë deklarojnë se kjo marrëveshje nuk do të jetë në favor të tyre.

Basha: Serbia fituese

Image
Dimal Basha

Deputeti i Vetëvendosjes, Dimal Basha në një përgjigje për “Bota sot” thotë se Serbia do të fitoj qysh në fillim, duke qenë se është në bisedime me një qeveri ilegale të Kosovës. Sipas tij, derisa Kosova ka pranuar të heq taksën dhe reciprocitetin, kjo do të thotë se është ulur në një tryezë të nënshtruar.

“Me këtë qeverinë ilegale dhe jo legjitime, Serbia që në start është e fituar. Derisa Kosova ka pranu me hjek taksën dhe reciprocitetin, tregon që ka pranu me u ulur në tryezën e nënshtruar. Kurse me pranimin e një marrëveshje me Serbinë që Kosova as mos të kërkoj anëtarësim në organizata ndërkombëtare, është nënshtrim dhe poshtërim që Kosova të operoj në rrafshin ndërkombetarë si e pavarur. Po besoj këto dy akte tregojnë qe kjo Qeveri që në start është humbëse me Serbinë”, thekson Basha.

Bytyçi: Serbia përfiton nga marrëveshja

Image
Enver Bytyci

Profesori universitar, Enver Bytyҫi në një prononcim për “Bota sot” thotë se prej disa javësh presidenti i Serbisë, Vuçiq dhe ministri i Jashtëm Daçiç, si edhe politikanë të tjerë serbë flasin për një “dështim” të Beogradit në marrëveshjen e re që do të nënshkruhet në fund të dialogut me Kosovën.

“Nisur nga eksperiencat e mëparshme duhet thënë se deklaratat e liderëve serbë kalkulohen në interes të Serbisë dhe jo në përputhje me realitetin. Në politikën serbe realizmi është një frymë dhe metodë që nuk i kovenon realizimit të politikave në interes të vendit të saj. Për këtë arsye Beogradi historikisht dhe në kohët e sotme aplikon një lloj politike dhe diplomacie të bazuar në imagjinatën e miteve dhe jo në realitetet aktuale e historike. Nisur nga ky arsyetim nuk është për të besuar se deklaratat e sotme rreth përfundimit të dialogut me Kosovën janë realiste. Si presidenti, kryeministrja apo ministri i Jashtëm operojnë me taktika diplomatike e politike, të cilat i sjellin përfitime territoriale, ekonomike dhe të tjera Serbisë”, thekson ai.

Bytyҫi thotë më tutje se, Serbia përfiton nga një marrëveshje me Kosovën në kushtet e sotme, këtë e provon fakti që në Beograd për herë të parë nuk refuzohet dialogu dy palësh.

“Udhëheqësit serbë nuk e kanë për gjë të refuzojnë çdo dialog me shqiptarët, nëse ata shohin se nuk kanë shanse të mëdha për përfitime. Në rastin konkret ata pretendojnë madje për përfitime territoriale në Kosovë. Dhe ka shumë gjasa se do t’ia arrijnë këtij synimi, sepse në një linjë me Beogradin janë gjithashtu presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, si dhe personalitete të tjera politike e mediatike shqiptare. Ndërkaq, të gjitha shenjat janë se administrata Trump do të përkrahe një zgjidhje të favorshme për Serbinë, çka do të thotë të dëmshme për Kosovën. Kjo po ndodh për tri arsye: E para se presidenti do të arsyetohet me faktin që presidenti i Kosovës është dakord me një zgjidhje të tillë. E dyta, se presidenti amerikan e sheh Kosovën si trashëgimi të kundërshtëve të tij, përkatësisht dinastisë Clinton, kur në fakt ajo është po aq edhe trashëgimi i Bushëve presidentë.  Dhe e treta, se presidenti Trump e sheh Kosovën si shans për Europën, me të cilën është në konflikt më të ashpër sesa me Rusinë, edhe pse shumica e vendeve europiane bën pjesë në Aleancën Atlantike”, vlerëson profesori Bytyҫi.

Hoti të refuzon marrëveshjen që cenohet integriteti i Kosovës

Profesori thotë më tutje se ‘nuk do të donim të besonim se politika amerikane do të pësonte këtë kthesë sa i përket Kosovës. Por presionet që Grenell i bën Prishtinës dhe lëshimet që ia bën Beogradit të çojnë në përfundime të tilla’.

“Gjithashtu mbështetja që Grenell u jep forcave ekstremiste në Europë është e njëjtë me mbështetjen që Putin u jep këtyrë forcave për ta shkatërruar Bashkimin Europian. Ndërkaq unë jam i sigurt se interesi kombëtar i shqiptarëve në Kosovë e kudo në Ballkan nuk është forcimi i forcave ekstremiste të djathta e të majta në Europë, të cilat tradicionalisht janë aleatë të Kremlinit, por forcat e qendrës së djathtë dhe të majtë të Bashkimit Europian.  Gjithkush prej nesh do të donte që më 27 qershor në Shtëpinë e Bardhë të kishim një rezultat konkret në dobi të së drejtës që ka Kosova për shtetësi në të gjithë territorin e saj. Dhe nëse është kështu, do të kishim të drejtën e Zotit të thërrisnim me sa fuqi kemi “Rroftë Amerika dhe presidenti Trump”! Por nëse nuk ndodh kjo, atëherë duhet që së paku kryeministri i Kosovës Abdullah Hoti ta refuzojë një marrëveshje që cënon integritetin territorial të Kosovës dhe shtetësinë e saj në të gjithë territorin. Sa për Thaçin shpresat janë shumë të pakta se do ta bënte një gjë të tillë”, vlerëson tutje profesor Bytyҫi.

Ai thotë më tutje se më 27 qershor do të shohim se çfarë do të ndodhë dhe se cili është qëndrimi i saktë amerikan rreth Kosovës dhe dialogut të saj me Serbinë.

“Po atë ditë do të shohim se sa realiste dhe sa e shprehin të vërtetën deklaratat e udhëheqësve serbë në Beograd. Nëse do të ndodh që të cënohet sovraniteti e integriteti shtetoror dhe institucional, madje edhe nëse Thaçi e Hoti do ta nënshkruajnë një marrëveshje të tillë, atëherë shqiptarët në Kosovë nuk duhet ta pranojnë atë. Kundërshtitë janë e mund të jenë të formave të shumta. Me rëndësi është që Serbia të dëbohet përfundimisht nga Kosova. Por këtë nuk mund ta bëjnë politikanët që janë peng i Beogradit”, thekson profesori universitar, Enver Bytyҫi.

Zogaj: Serbia do heq dorë nga trojet etnike shqiptare

Image
Skender Zogaj

Ndërkaq, njohësi i ҫështjeve politike, Skender Zogaj, thotë se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisē është një e keqe e domosdoshme, që duhet të ndodh, sepse, Kosova duhet ta kurorëzoj shtetin e vet të lirë dhe të pavarur, në tokën e vet etnike.

“Pra e drejta gjeografike, historike dhe hyjnore janë në anën e Kosovës, prandaj Kosova në bisedime nuk ka pse shkon e shqetësuar! Gjithçka është plotësisht e njohur dhe e përcaktuar, me hapësirën territoriale dhe kufirin aktual, të Republikës së Kosovës të pranuar ndërkombëtarish, duhet të jenë të panegocueshëm! Duke qenë se ky është qëndrimi i Qeverisë së Kosovës, që po e përkrah edhe bashkësia ndërkombëtare, fundi i dialogut është qartë i ditur! Normalisht që Serbisë nuk i konvenon, prandaj ish okupatorët e Aleksanar Vuçiqit përmes deklaratave përpiqen të kalkulojnë me publikun e tyre dhe miqtë e tyre të origjinës, duke u shtirrur se po u cënohen të drejtat në Kosovë! Kjo është farsë e politikës serbe, e cila po vajton sepse, nëse shqiptarët do të dinë ta bëjnë si duhet shtetin e Kosovës, Serbia ka me heq dorë nga të gjitha trojet etnike shqiptare, sepse, e dinë se, toka dhe qielli deri te Nishi i sotëm, gjaku i shqiptarëve ende nuk është tha! Ky është shqetësimi i Serbisë, e cila të vetmen shpresë e ka te mosuniteti i shqiptarëve dhe hardallishet e partive politike që për pushtet po e shkelin interesim kombëtar”, vlerëson Zogaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat