Vendimet e Qeverisë Hoti, urdhra nga presidenti Thaçi

Politika

Vendimet e Qeverisë Hoti, urdhra nga presidenti Thaçi

Albulena Jahaj Nga Albulena Jahaj Më 19 qershor 2020 Në ora: 21:00
Kryeministri Avdullah Hoti dhe presidenti Hashim Thaçi.

Ditë më parë Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, ka bërë të ditur se Kosova ka heq dorë nga gjitha aplikimet për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare  për kompromisin shtesë të Kosovës për ndaljen e fushatës për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

Ai ka thënë se si kryeministër i Kosovës në shenjë të vullnetit të mirë dhe për t’i hequr Serbisë nga dora çfarëdo arsyetimi të mundshëm për evitimin e dialogut, është zotuar që deri më 27 qershor Kosova nuk do të aplikojë për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

Si kundërpeshë për këtë, Hoti thotë se Serbia është pajtuar që të ndalë fushatën kundër pavarësisë së Kosovës në prag të zgjedhjeve atje, ani pse një tentativë e Qeverisë se Kosovës në këtë drejtim është parë si me dyshim marrë parasysh edhe deklaratat e një pas njëshme të zyrtareve serb.

Takimi i paralajmëruar i këtij muaji në Uashington mes palës nga Kosova dhe asaj serbe duket se nuk do të kaloj pa polemika të shumta sidomos reagimet e ashpra nga Vetëvendosja e cila tashmë haptas ka dal kundër një takimi dhe mundësie që aty të arrihet një marrëveshje përfundimtare.

Dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë do të vazhdoj ani pse nuk dihet se çka saktësisht mund të sjell ky rifillim i dialogut dhe takimit në Ëashington i mbështeture fuqishëm nga SHBA-ja por jo edhe nga Bashkimi Evropian.

Hyseni: Qeveria ilegale dhe jolegjitime

Image
Alban Hyseni

Deputeti i Vetëvendosjes Alban Hyseni në një prononcim për “Bota Sot” ka thënë se një qeveri e cila është ilegale dhe jo legjitime nuk mund të impelemntoj asnjë marrëveshje që cenon integritetin territorial të Kosovës.

“Është shumë e rëndësishme te kuptohet që asnjë institucion i Republikës se Kosovës, aq me tepër një qeveri e cila është ilegale dhe jo legjitime nuk mund të implementoj marrëveshje që cenon integritetin territorial dhe atë funksional të Republikës se Kosovës. Në anën tjetër, Qeveria Koti me në krye z. Hoti, është pikërisht qeverisja lehtësisht e kontrolluar e tërësisht e nënshtruar që ju ka dashur Presidentit të Kosovës dhe Serbisë”.

“Pazaret e lojërat e tyre, të filluara tash e sa kohe, nuk do te mund të bëheshin me Qeverinë Kurti. Kjo e fundit ishte e vetmja pa varshmëri të drejtpërdrejtë nga Lista Serbe e po ashtu pa borxhe ndaj oligarkëve e krimineleve. Andaj, një qeveri e kontrolluar, që largon Reciprocitetin e qe nuk aspiron integrim në mekanizma ndërkombëtar, nuk mund të quhet ndryshe pos qeverisje e nënshtruar që po abrogon edhe vet shtetësinë e vendit”, ka thënë Hyseni.

Deputeti i Vetëvendosjes ka thënë se nuk beson që në këto takime, të ngutshme e ku ne jemi të përfaqësuar nga qeveri të nënshtruara e nga president pazaresh do te arrihet një marrëveshje.

“Por, nuk duhet harruar që edhe nëse arrihet një marrëveshje, ajo nuk do të mund të implementohet sepse një gjë është e sigurt që këta kleptokrat nuk ja duan të mirën vendit, e ketë po e dëshmojnë në vazhdimësi”.

Murati: Ka kohë që Kosova nuk ka aplikua për anëtarësim në organizata ndërkombëtare

Image
Valon Murati

Në lidhje me dialogun që Kosova pritet ta rifilloj me Serbinë me takim e radhës në Washington, Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati ka thënë për “Bota Sot” se Kosova e ka të pamundur anëtarësimin në organizata ndërkombëtare pa përkrahjen e shteteve aleate e mbi të gjitha pa përkrahjen e  SHBA-ve.

Kurse, në anën tjetër sipas tij, anëtarësimi në ato kryesoret, si në OKB e BE, por edhe NATO është i pamundur pa një marrëveshje me Serbinë dhe pranimin e kësaj marrëveshjeje nga Rusia dhe pesë anëtaret e BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën.

“Në këtë kontekst ky më shumë sesa një kompromis është një miratim i një kërkese të përkohshme të SHBA-ve në mënyrë që dialogu të vazhdojë. Po ashtu e kam përshtypjen që ka kohë që Kosova nuk ka bërë përpjekje anëtarësimi në organizatat e mëdha ndërkombëtare si Interpoli, UNESCO, Këshilli i Evropës etj. Më brengosëse është mungesa e konsensusit të spektrit politik për këto bisedime dhe mungesa e një projekti apo platforme më të detajuar për bisedimet e cila do të përmbante edhe rrugëzgjidhje e jo vetëm vija të kuqe. Kjo situatë mund të na vendos në pozita jo të favorshme gjatë bisedimeve shumë më shumë sesa çështja e aplikimit në organizata ndërkombëtare. Sepse siç e theksova nuk jam i sigurt se jemi duke aplikuar në ndonjë organizatë edhe pa këtë tërheqje momentale” ka thënë Murati.

Arsyetimi banal i qeverisë “Hoti”

Image
Rexhep Elezaj

E njohësi i çështjeve politike Rexhep Elezaj ka thënë se heqja dorë e qeverisë “Hoti” nga procesi i anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare, është pa dyshim, akt puro antikushtetues që ka mundur ta bën një qeveri e një shteti sovran dhe të pavarur. Ngase me heqjen dorë nga anëtarësimi, ose siç po thuhet, pezullimi i përkohshëm nga kërkesat për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare, me automatizëm nënkupton hiqje dorë nga obligimi shtetëror-kushtetues, që si vend sovran të bëhesh pjesë konstituive e organizmave ndërkombëtarë me status të plotë dhe të barabartë me vendet tjera sovrane e të pavarura!

“Arsyetimi banal i qeverisë “Hoti”, se këtë kusht duhet plotësuar me kërkesën dhe në marrëveshje me aleaten tonë kryesore, SHBA-të, është në fakt një dorëzim para kërkesës së Beogradit zyrtar, i cili e dinë mirë se çfarë nënkupton në aspektin juridik dhe diplomatik ndërkombëtar, kur një shtet sovran heq dorë nga e drejta e tij kushtetuese për t’u bërë faktor vendim marrës, i barabartë me shtetet tjera anëtare. Ky kusht është dashur të zëvendësohet me ndonjë akt që nuk prekë në esencën e sovranitetit të Kosovës, siç ishte heqja e tarifës doganore për mallrat nga Serbia, e jo vullnetarisht të suspendohet e drejta legjitime e shtetit të Kosovës për t’u bërë pjesë e barabartë në vendimmarrjet me karakter ndërkombëtarë..! Mendoj se ky nuk ka qenë kompromisi i parë e qeverisë “Hoti” i bërë ndaj Serbisë, sepse heqja dorë nga reciprociteti në gjitha raportet me këtë vend armiqësor ndaj shqiptarëve dhe Kosovës së pavarur, ishte hiç më pak se anulim i të drejtës sovrane dhe shtetërore të Kosovës, që ndaj Serbisë të ushtrojë masa të njëjta me ato që regjimi hegjemonist i Beogradit qe 20 vite i ka ndërmarrë kundër pavarësisë së Kosovës. Siç e dimë, regjimi fashist i Beogradit me veprime të tilla antishqiptare ka ndikuar që shumë shtete të botës të mos e njohin pavarësinë e Kosovës, përfshirë këtu edhe 5 shtetet anëtare të BE-së”, ka thënë Elezaj.

Sipas tij, heqja dorë e qeverisë “Hoti” me sugjerim (lexo: urdhër) nga presidenti H. Thaçi, nga anëtarësimi në organizatat ndërkombëtare, për t’ia plotësuar gjoja kërkesat z. R. Grenell, thënë më së buti, është hedhje hi syve opinionit shqiptar, se ne shqiptarët nuk duhet t’iu kundërvihemi shpëtimtarëve tanë amerikan si komb dhe si Kosovës, e që do të ishte krejt logjike, sikur pas veprimeve të HTH dhe kryeministrit të tij personal, AH, të mos fshiheshin qëllime ogurzeza politike dhe hileqare për përfitime personale, gjegjësisht përpjekja me çdo mjet që t’i shpëtohet Gjykatës speciale të Hagës me heqjen e akuzave për krime lufte, dhe këtë lojë bizare tani më e kanë kuptuar edhe zogjtë e malit të Qyqavicës.

Marrëveshja i hap rrugë Kosovës

Image
Ali Hertica

Edhe analisti politik Ali Hertica ka thënë se heqja dorë e Kosovës nga procesi i anëtarësimit në organizata ndërkombëtare, është kompromisi i parë, të cilin qeveria e ka bërë qysh para shkuarjes në Uashington më 27 qershor Institucionet e Kosovës janë kritikuan vazhdimisht për kompromiset që u bënë në proceset e kaluara politike. Secila marrëveshje duhet që të bazohet 100 për qind në substancën e Kushtetutës së Kosovës në të cilën thuhet që integriteti territorial është i pacenueshëm.

“Një marrëveshje eventuale parashihet që t’i hapë rrugë njohjes së Kosovës nga shtetet që ende se kanë njohur pavarësinë si dhe anëtarësim në organizata ndërkombëtare duke përfshirë edhe Organizatën e Kombeve të Bashkuara, dhe  paraprakisht plotësoi kërkesat e Serbisë për largimin e reciprocitetit dhe heqjen dorë nga shtetësia përmes ndalimit të procesit të njohjeve e anëtarësimit në organizata ndërkombëtare”.

“Pra tashmë Kosova është në një pozicion moral për të kërkuar një lloj kompensimi nga aleatët kryesorë të cilët në njëfarë mënyrë kanë qenë garantues të proceseve. Të qenit pezull për shtet ndërtimin e Kosovës dhe për forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar paraqet një rrezik të madh. Për këtë arsye është e nevojshme që Kosova të angazhohet në mënyrë ambicioze tanimë që ka një epërsi morale ndaj aleatëve, që të kërkojë së paku mbështetje për një avancim në disa nisma të tjera multilaterale. Një tjetër element qe duhet pasur parasysh është edhe nevoja e një perspektive më të gjerë  në politikën e jashtme të Kosovës duke synuar ndërlidhjen me të tjera rajone të globit. Kështu për të forcuar subjektivitetin ndërkombëtar do të ishte e arsyeshme që Kosova të përpiqej të anëtarësohej duke siguruar lidhje edhe me në vende të shumta të kontinenteve. Duhet theksuar se në një situatë të tillë të venitjes së perspektivës evropiane, forcimi i marrëdhënies me organizatat botërore merr një rëndësi veçanërisht të madhe për Kosovën” ka thënë për “Bota Sot” analisti Ali Hertica.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat