Zhvillimet dramatike në LDK, thirrja e analistit: Vjosa Osmani duhet të krijojë fraksion brenda LDK-së

Politika

Zhvillimet dramatike në LDK, thirrja e analistit: Vjosa Osmani duhet të krijojë fraksion brenda LDK-së

Nga: N. H Më: 20 qershor 2020 Në ora: 14:24
Vjosa Osmani dhe Isa Mustafa

Lidhja Demokratike e Kosovës kësaj radhe ka zgjedhur të marrë masa ndaj nënkryetares së saj, Vjosa Osmanit, e cila hapur dhe disa herë me radhë kundërshtoi vendimet e organeve të partisë.

Tashmë në media është duke qarkulluar një dokument me të cilin kryetari i partisë, Isa Mustafa, hedh në votim shkarkimin e Vjosa Osmanit dhe zëvendësimit të saj me Avdullah Hotin që tani është kryeministër.

E, lidhur me këtë, analisti dhe njohësi i çështjeve politike në vend, Faton Mehmeti, ka komentuar veprimin e fundit të Isa Mustafës. ndaj kryetares aktuale të Kuvendit, njëherit nënkryetare e LDK-së, Vjosa Osmani.

Ai konsideron se ky veprim i fundit nga kreu i LDK-së, është me mendësi komuniste, dhe të tilla metoda kishte përdorur edhe Enver Hoxha.

Image
Faton Mehmeti

“Fatkeqësisht për Lidhjen Demokratike të Kosovës që vazhdon të udhëhiqet nga një kryetar me mendësi komuniste, aty ku mendimi ndryshe nuk konceptohet si vlerë, për më tepër ata që mendojnë ndryshe largohen. Këtë mendësi dhe metodë e ka përdorur Enver Hoxha”, ka thënë Mehmeti, për gazetën “Bota sot”.

Tutje, ai thotë se kryetarja aktuale e Kuvendit të Kosovës, duhet të krijojë fraksion brenda LDK-së, për të rrëzuar komunizmin që ka zënë vend në partinë e presidentit Rugova.

“Fatkeqësisht, kjo mendësi është instaluar në një parti si LDK, që për ironi të fatit ka lindur si kundërshtim ndaj komunizmit. Isa Mustafa, mbase ka harruar se Vjosa Osmani e shpëtoi nga debakli i 6 tetorit. Largimi i Vjosa Osmani nga pozitat e LDK vetëm sa do shtojë pakënaqësitë ndaj Isa Mustafës, dhe do ndikojë që LDK të përçahet. Vjosa Osmani duhet të krijojë fraksion brenda LDK-së, për të rrëzuar komunizmin që ka zënë vend në partinë e të madhit Ibrahim Rugova”, ka thënë në fund, analisti dhe njohësi i çështjeve politike në vend, Faton Mehmeti, për gazetën “Bota sot”.

Ndryshe, sipas dokumentit, votimi do të zgjas vetëm sot gjatë ditës dhe mbyllet në orën 19:00, ku pritet të dihet nga Këshilli i Përgjithshëm nëse janë për shkarkimin e kryeparlamentares Osmani.

“Situata me COVID 19 nuk lejon akoma të mblidhemi në një takim të Këshillit të Përgjithshëm, prandaj kërkoj të vendosim në mënyrë elektronike”, thuhet në letrën e Isa Mustafës, ku tregon edhe opsionet që janë zgjedhja e Avdullah Hotit si nënkryetar dhe shkarkimi i Vjosa Osmanit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat