Profesori ndërkombëtar: Ja shqetësimi i Hashim Thaçit për marrëveshjen përfundimtare Kosovë-Serbi

Politika

Profesori ndërkombëtar: Ja shqetësimi i Hashim Thaçit për marrëveshjen përfundimtare Kosovë-Serbi

Nga: N.Sh Më: 20 qershor 2020 Në ora: 14:40
Hashim Thaçi

Samiti i 27 qershorit në Shtëpinë e Bardhë – Uashington është një risi në përpjekjet e Perëndimit për zgjidhjen e konfliktit midis Kosovës dhe Serbisë.

Kështu pohon profesor dr. Enver Bytyçi, që sipas tij, në fakt është pasojë e faktit se Bashkimi Evropian për 9 vite nuk mundi të gjejë ose imponojë një zgjidhje për këtë konflikt.

Ai shton se, kjo është edhe pasojë e fushatës elektorale në SHBA dhe me këtë rast presidenti Trump duket se është në kërkim të një trofeje në politikën e jashtme.

“Në këtë takim marrin pjesë të njëjtët aktorë që ishin në tryezat e Frederica Mogherinit në Bruksel: Dy presidentët, ai i Kosovës dhe ai i Serbisë. Këta të dy u bënë njësh me Mogherinin dhe sa kohë punonin në të njëjtën linjë me komisioneren evropiane ata nuk pranonin ndërmjetësinë e Amerikës. Kur BE ndryshoi qasjen, e ndërkohë u vonua me rivendosjen e dialogut, administrata Trump shpejtoi hapat. Presidenti amerikan ngarkoi zotin Grenell me detyrën e ndërmjetësimit të dialogut midis Prishtinës e Beogradit”, thotë Bytyçi për gazetën “Bota sot”.

Sipas tij, zoti Grenell, pas dy marrëveshjeve, për transport tokësor e atë ajror, i ka thirrë delegacionet në Shtëpinë e Bardhë me qëllim që t’i jepet një zgjidhje këtij konflikti.

Image
Profesor dr. Enver Bytyçi

“Sipas tij, në këtë samit do të diskutohen tema ekonomike e të investimeve si parakusht për të shkuar te zgjidhjet politike. Ka euforikë që përmendin miliarda dollarë amerikanë investime në Serbi dhe ne Kosovë. Madje ka nga ata që pretendojnë se “Serbia do të marrë si shpërblim pranimin në NATO”! Ndërkohë që Serbia ende e konsideron NATO-n armike të saj dhe është në sinkron me politikat e dezintegrimit të Kremlinit!”, shton ai.

Profesori mendon se nuk do të ketë një marrëveshje finale Kosovë – Serbi në Uashington.

“A mund të nënshkruhet një marrëveshje finale? Nuk e besoj se do ndodhë një gjë e tillë, edhe pse presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi po shfaqet i shqetësuar nëse nuk do të ndodh kjo. Ai po deklarohet se duhet të ketë marrëveshje finale, pa përcaktuar se cila do të ishte kjo marrëveshje. Mikpritësi Grenell deklaroi se shkëmbimi i territoreve nuk do të ketë mbështetjen e administratës amerikane. Kjo do të thotë se nuk do të ketë marrëveshje finale”, deklaron profesori.

Sipas tij, marrëveshja finale duhet ta ketë mbështetjen e tri vendeve kryesore të Europës, Gjermanisë, Britanisë së Madhe dhe Francës.

“Në rastin konkret kjo mbështetje mungon, madje këto vende po i kundërvihen faktit që për këto dy vende evropiane po diskutohet vendimmarrja në SHBA! Nëse Ballkani Perëndimor dëshiron të integrohet në BE, atëherë atij i duhet ndërmjetësimi dhe vendimmarrja e tri vendeve që përmendëm më lart, veçmas Gjermanisë dhe Francës. Nëse një marrëveshje e arritur në SHBA do të duhej legjitimuar, atëherë ajo ka nevojë për votën e Britanisë së Madhe dhe Francës në Këshillin e Sigurimit. Pra, është e pasigurt një marrëveshje që mund të lidhet në Uashington, në thelbin e së cilës të ishte ndryshimi i kufijve”, potencon Bytyçi.

Por a do të zgjatet pa fund statukuoja, ai mendon se jo.

“Për këtë ka dy rrugë: Të rakordohen aktorët kryesorë perëndimorë, SHBA-të, si dhe Gjermania, Britania e Madhe dhe Franca, me qëllim që zgjidhja të mos kontestohet as në Këshillin e Sigurimit, as nga Serbia e Kosova. Kjo do të thotë një marrëveshje, të cilën e pranojnë sidomos aktorët dhe faktorët politikë në Kosovë, si dhe qytetarët e saj. Ky kusht nuk është i plotësuar. Për pasojë nuk besoj se do të ketë marrëveshje përfundimtare. Por mund të ketë marrëveshje të ndërmjetme, e cila të ishte në tavolinën e Fuqive të Mëdha në të ardhmen e afërt. Kjo mund të shfaqet si projekt, por jo si marrëveshje e nënshkruar. P.sh mundet që nën presionin serb dhe rus të flitet për projektin e një Kosove të pavarur në territorin në jug të Urës së Ibrit. Ndërkohë që veriu i Kosovës të rivihet nën administrimin ndërkombëtar të OKB-së. Ky mund të jetë kompromisi i Fuqive të Mëdha. Ata që janë kundër ndarjes së Kosovës dhe kundër ndryshimit të kufijve do të shpresojnë për integrimin e veriut në institucionet e shtetit të Kosovës. Ata që janë për ndarjen mund të shpresojnë për ta thelluar ndarjen. Dhe kështu, secili për hesap të vetin do të bie dakord për një periudhë tjetër kalimtare . Por gozhda e Nastradin Thaçit do të jetë e ngulur në trupin e Kosovës!”, përfundon profesori Enver Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat