Skenarët e mundshëm në takimin Kosovë-Serbi në SHBA

Politika

Skenarët e mundshëm në takimin Kosovë-Serbi në SHBA

Nga: D.RR Më: 21 qershor 2020 Në ora: 16:31
Aleksander Vuçiq dhe Hashim Thaçi

Profesori dhe njohësi i çështjeve politike, Enver Bytyçi në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka komentuar takimin në mes Kosovës dhe Serbisë më 27 qershor në SHBA.

Sipas tij, këtë ky takim vlerësohet historik, por që Serbia po e interpreton sipas konceptit tradicional me disa data që i ndërlidh ata në të kaluarën.

“Takimi i 27 qershorit 2020 në Shtëpinë e Bardhë – Uashington midis Kosovës dhe Serbisë me kërkesë të ambasadorit Richard Grenell po komentohet si një takim historik. Në Serbi ky takim po interpretohet sipas konceptit tradicional të lidhur me ditën e Shën Vidovdanit, ose më Betejën e 28 qershorit 1389 të Fushë-Kosovës. Me këtë datë e betejë të mitizuar serbët e lidhën 28 qershorin e vitit 1914 kur në Sarajevë vranë Princin Austriak, Frany Ferdinand dhe gruan e tij. Ndërsa Stalini në vitin 1948 e shpalli letrën kundër Titos pikërisht më 28 qershor të atij viti, me qëllim që të nxiste serbët kundër udhëheqësit autoritar jugosllav me prejardhje nga Kroacia”, u shpreh ai.

Prof. Bytyçi thotë se injorimi i BE-së në këtë takim mund të ketë kosto të madhe.

“Por i lemë mënjanë simbolikat. Merremi me realitetin. Fakt është se thirrja në Uashington e dy delegacioneve kosovare e serbe po i shërben një procesi jo transparent. Në kushtet e errësirës informative secili e ka të drejtën të besojë atë që do dhe të interpretojë gjithçka në mënyrën si dëshiron. Megjithatë unë nuk dua të spekuloj me mendimin dhe interpretimin tim. Por jam shumë i sigurt se ky takim është i diskutueshëm dhe ngjall skepticizëm. Kjo ndodh për disa arsye: - Kosova është projekt amerikan po aq sa është edhe produkt i bashkëpunimit me Bashkimin Europian. Injorimi dhe madje fyerja që protagonistët e këtij takimi i bëjnë Berlinit, Londrës, Parisit dhe Brukselit do të ketë kosto të madhe. Kosova dhe Serbia kanë si kusht ta mbyllin konfliktin midis tyre, sepse janë angazhuar për t’u integruar në BE. Injorimi i BE-së e pengon këtë integrim. Askush nuk mund të thotë se cilët instrumente ka në dorë Grenell për të përshpejtuar integrimin e këtyre dy vendeve me zgjidhjen që ai imponon, sidomos për Kosovën?!”, theksoi Bytyçi.

Image
Prof. Enver Bytyçi

Ai tregon tutje skenarët e mundshëm të marrëveshje, ku thotë se nëse ajo marrëveshje nuk ka për bazë paqen në rajon, atëherë do ta penalizojë Kosovën dhe Serbinë, ndërkohë që favorizon Rusinë.

“Nëse me 27 qershor arrihet në një marrëveshje, ajo do të pasqyrojë interesat e SHBA-ve në rajon dhe Europë dhe kjo duket si aspekt pozitiv për Kosovën. Por një marrëveshje që nuk merr parasysh interesat e stabilitetit dhe paqes evropiane, do ta penalizojë Kosovën dhe Serbinë, ndërkohë që favorizon Rusinë. - Marrëveshja për të cilën flitet dhe po angazhohet Hashim Thaçi këto ditë dhe e cila mendohet të nënshkruhet me 27 qershor nuk ka konsensusin e aktorëve dhe faktorëve politikë në Kosovë dhe në Serbi. Për pasojë Kosova mund të përfshihet në një valë dhune thuajse të justifikueshme, sepse askush nuk mund të pranojë që idetë, formulat dhe projektet serbe t’i imponohen viktimës së Beogradit, përkatësisht Kosovës, edhe pse për këtë mund të nënshkruajë një president i çmendur dhe i traumatizuar nga presionet e Serbisë për krime lufte. I vetmi aktor politik që pajtohet me procesin e Uashingtonit është Lista Srpska dhe një pjesë e LDK-së. As partia e Thaçit me Kadri Veselin dhe Hajredin Kuçin nuk janë për këtë proces! Si e tillë, kjo marrëveshje mund të quhet si akord midis Hashimit, Vuçiqit dhe Listës Srpska në Prishtinë”, potencoi ai.

Ai gjithashtu përmend marrëveshjen që e ka potencuar edhe deputeti gjerman, Meyer, për të cilën thuhet se do të tentohet të shkrihet Gjykata Speciale, si kusht për faljen e krimeve dhe kriminelëve serbë që masakruan, përdhunuan dhe dogjën e shkatërruan Kosovën gjatë dhjetëvjeçarit të fundit të shekullit të kaluar.

“Marrëveshja, sipas deputetit gjerman Meyer përmban edhe shkrirjen e gjykatës Speciale të Hagës, si kusht për faljen e krimeve dhe kriminelëve serbë që masakruan, përdhunuan dhe dogjën e shkatërruan Kosovën gjatë dhjetëvjeçarit të fundit të shekullit të kaluar! E gjitha kjo e bën atë marrëveshje si një marrëveshje personale midis Hashim Thaçit dhe Aleksandër Vuçiq. Si e tillë ajo marrëveshje do të çojë në konflikt të hapur, të thellë e të papajtueshëm midis nënshkruesit ose nënshkruesve të saj dhe viktimave të krimeve serbe në Kosovë. - Marrëveshja për të cilën flitet dhe ka ankth se mund të nënshkruhet në Uashington, ka shumë gjasa që ta penalizojë Kosovën me humbjen e territoreve të saj, pavarësisht se do të interpretohet si balancim territoresh fakti që një e pesta e Luginës së Preshevës mund t’i bashkëngjitet Kosovës. Kjo është arsye e mjaftueshme që me të gjitha mjetet qytetarët e Kosovës ta mbrojnë territorin dhe kushtetutën e të kërkojnë medoemos ndëshkimin penal të autorëve që nënshkruajnë ose miratojnë një marrëveshje të tillë. Së fundi, Hashim Thaçi dhe Abdullah Hoti duhet të bëjnë llogari: Nëse nënshkruajnë një marrëveshje të tillë të dëmshme për Kosovën, është mirë të kërkojnë azil në SHBA. Nëse nënshkruajnë një marrëveshje të mirë e të drejtë për Kosovën, do të duhet të mirëpriten me ovacione e duartrokitje. Por këtë të dytën nuk e pranon Beogradi. Nëse thjesht bien dakord që të vazhdojë dialogu por me akordimin dhe konsensusin e BE-së dhe administratës amerikane, qofshin përsëri të lëvduar”, tha Bytyçi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat