Profesori universitar thotë se Trump do të përkrah zgjidhjen e favorshme për Serbinë, pasi edhe Thaҫi është dakord

Politika

Profesori universitar thotë se Trump do të përkrah zgjidhjen e favorshme për Serbinë, pasi edhe Thaҫi është dakord

Nga: H.O. Më: 21 qershor 2020 Në ora: 18:47
Arkiv

Profesori universitar, Enver Bytyҫi në një prononcim për “Bota sot” thotë se prej disa javësh presidenti i Serbisë, Vuçiq dhe ministri i Jashtëm Daçiç, si edhe politikanë të tjerë serbë flasin për një “dështim” të Beogradit në marrëveshjen e re që do të nënshkruhet në fund të dialogut me Kosovën.

“Nisur nga eksperiencat e mëparshme duhet thënë se deklaratat e liderëve serbë kalkulohen në interes të Serbisë dhe jo në përputhje me realitetin. Në politikën serbe realizmi është një frymë dhe metodë që nuk i kovenon realizimit të politikave në interes të vendit të saj. Për këtë arsye Beogradi historikisht dhe në kohët e sotme aplikon një lloj politike dhe diplomacie të bazuar në imagjinatën e miteve dhe jo në realitetet aktuale e historike. Nisur nga ky arsyetim nuk është për të besuar se deklaratat e sotme rreth përfundimit të dialogut me Kosovën janë realiste. Si presidenti, kryeministrja apo ministri i Jashtëm operojnë me taktika diplomatike e politike, të cilat i sjellin përfitime territoriale, ekonomike dhe të tjera Serbisë”, thekson ai.

Bytyҫi thotë më tutje se, Serbia përfiton nga një marrëveshje me Kosovën në kushtet e sotme, këtë e provon fakti që në Beograd për herë të parë nuk refuzohet dialogu dy palësh.

“Udhëheqësit serbë nuk e kanë për gjë të refuzojnë çdo dialog me shqiptarët, nëse ata shohin se nuk kanë shanse të mëdha për përfitime. Në rastin konkret ata pretendojnë madje për përfitime territoriale në Kosovë. Dhe ka shumë gjasa se do t’ia arrijnë këtij synimi, sepse në një linjë me Beogradin janë gjithashtu presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, si dhe personalitete të tjera politike e mediatike shqiptare. Ndërkaq, të gjitha shenjat janë se administrata Trump do të përkrahe një zgjidhje të favorshme për Serbinë, çka do të thotë të dëmshme për Kosovën. Kjo po ndodh për tri arsye: E para se presidenti do të arsyetohet me faktin që presidenti i Kosovës është dakord me një zgjidhje të tillë. E dyta, se presidenti amerikan e sheh Kosovën si trashëgimi të kundërshtëve të tij, përkatësisht dinastisë Clinton, kur në fakt ajo është po aq edhe trashëgimi i Bushëve presidentë.  Dhe e treta, se presidenti Trump e sheh Kosovën si shans për Europën, me të cilën është në konflikt më të ashpër sesa me Rusinë, edhe pse shumica e vendeve europiane bën pjesë në Aleancën Atlantike”, vlerëson profesori Bytyҫi.

Profesori thotë më tutje se ‘nuk do të donim të besonim se politika amerikane do të pësonte këtë kthesë sa i përket Kosovës. Por presionet që Grenell i bën Prishtinës dhe lëshimet që ia bën Beogradit të çojnë në përfundime të tilla’.

“Gjithashtu mbështetja që Grenell u jep forcave ekstremiste në Europë është e njëjtë me mbështetjen që Putin u jep këtyrë forcave për ta shkatërruar Bashkimin Europian. Ndërkaq unë jam i sigurt se interesi kombëtar i shqiptarëve në Kosovë e kudo në Ballkan nuk është forcimi i forcave ekstremiste të djathta e të majta në Europë, të cilat tradicionalisht janë aleatë të Kremlinit, por forcat e qendrës së djathtë dhe të majtë të Bashkimit Europian.  Gjithkush prej nesh do të donte që më 27 qershor në Shtëpinë e Bardhë të kishim një rezultat konkret në dobi të së drejtës që ka Kosova për shtetësi në të gjithë territorin e saj. Dhe nëse është kështu, do të kishim të drejtën e Zotit të thërrisnim me sa fuqi kemi “Rroftë Amerika dhe presidenti Trump”! Por nëse nuk ndodh kjo, atëherë duhet që së paku kryeministri i Kosovës Abdullah Hoti ta refuzojë një marrëveshje që cënon integritetin territorial të Kosovës dhe shtetësinë e saj në të gjithë territorin. Sa për Thaçin shpresat janë shumë të pakta se do ta bënte një gjë të tillë”, vlerëson tutje profesor Bytyҫi.

Ai thotë më tutje se më 27 qershor do të shohim se çfarë do të ndodhë dhe se cili është qëndrimi i saktë amerikan rreth Kosovës dhe dialogut të saj me Serbinë.

“Po atë ditë do të shohim se sa realiste dhe sa e shprehin të vërtetën deklaratat e udhëheqësve serbë në Beograd. Nëse do të ndodh që të cënohet sovraniteti e integriteti shtetoror dhe institucional, madje edhe nëse Thaçi e Hoti do ta nënshkruajnë një marrëveshje të tillë, atëherë shqiptarët në Kosovë nuk duhet ta pranojnë atë. Kundërshtitë janë e mund të jenë të formave të shumta. Me rëndësi është që Serbia të dëbohet përfundimisht nga Kosova. Por këtë nuk mund ta bëjnë politikanët që janë peng i Beogradit”, thekson profesori universitar, Enver Bytyҫi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat