Vjosa Osmani me parti të re, analisti politik i jep lajmin e keq: Mund të pësojë debakël sikurse Bujar Bukoshi e Nexhat Daci

Politika

Vjosa Osmani me parti të re, analisti politik i jep lajmin e keq: Mund të pësojë debakël sikurse Bujar Bukoshi e Nexhat Daci

Nga: N. H Më: 21 qershor 2020 Në ora: 22:22
Vjosa Osmani

Pas shkarkimit nga LDK, raportohet se Vjosa Osmani pritet që së shpejti të dalë përfundimisht nga ky subjekt, dhe kështu të krijojë një parti të re. 

Por, njohësi i çështjeve politike është i mendimit se me parti të re, Osmani mund të pësojë debakël sikurse Bujar Bukoshi e Nexhat Daci.

Analisti politik, Mustafë Kadriaj, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se shkarkimi i Vjosa Osmanit ka qenë i pritshëm, pasi sipas tij, qëndrimet dhe veprimet e saj ishin në raport të kundërt me subjektin nga vinte, pra LDK.

“Në parim çdo veprim për shkarkim dhe diferencim të kujton sistemet majtiste dhe mese paku në si vend duhet të japim shembuj të tillë, por kur flasim për zonjën Vjosa Osmani vlerësoj që zonja Osmani me veprimet e saj kryeneçe që më të marr postin e kryeparlamentares si asnjëherë më parë ka reflektuar anim personal në raport me opozitën dhe me presidentin aktual duke mos përfillur asnjë kërkesë të këtyre të fundit e aq më shumë duke shkelur protokollin shtetëror me largimin e fotografisë së presidentit aktual Hashim Thaçi. Po ashtu edhe në ditën e mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë Kurti deklarohet hapur kundër qëndrimit dhe veprimit të LDK-së gjithnjë duke mbajtur fjalime populiste dhe duke mos u ndalur duke injoruar Avdullah Hotin si kryeministër”, ka thënë Kadriaj.

Me tej ai e konsideron si të papranueshme shfrytëzimin e postit të kryetares së Kyvendit, për të diskriminuar palën tjetër.

Image
Mustafë Kadriaj

“Pra, me këtë dua të theksoj që në demokraci promovohet mendimi ndryshe, por është i papranueshëm shfrytëzimi i postit për të diskriminuar palën tjetër që për fat jo të mirë zonja Osmani nuk ka dhënë shembull të mirë në postin e kryparlamentares e aq më shumë duke injoruar qeverinë e drejtuar nga LDK që në këtë rast zonja Osmani ka diferencuar vetveten nga qëndrimi i LDK-së, njëherit veprimi i LDK-së për shkarkim ka qenë i pritshëm”, potencon ai.

Kurse, se a do të ketë ndikim ky shkarkim në elektorat, Kadriaj është i mendimit se nëse Hoti qeverisë së paku një vit me Kosovën, Vjosa Osmani mund të pësojë debakël në elektorat.

“Por, edhe po të mbaheshin zgjedhjet në muajt e verës, konsideroj që zonja Osmani nëse do garojë me listë dhe subjekt të ri, nuk do e kalojë pragun sepse elektorati i LDK-së ka dhenë prova që nuk tradhton akronimin LDK, duke i kujtuar zonjës Osmani përderisa ka dështuar ish-kryeministri në ekzil Bujar Bukoshi, Edita Tahiri, Nexhat Daci e aq më shumë djali i presidentit Rugova, pra Ukë Rugova, që këta kanë dhënë dhe kanë pasur ndikim në procese si brenda LDK-së, po ashtu edhe në procese vendimmarrëse për Kosovën, por që nuk kanë marrë besimin e votuesit të LDK-së ku potencialisht nuk ka mundësi teorike dhe praktike për faktin që kjo parti është e konsoliduar në elektorat që 30 vite, përderisa zonja Osmani do e fillojë nga zero e them këtë sepse nëndegët dhe degët janë diktuese tek votuesit”, ka shtuar analisti politik.

Krejt në fundi ai ka nënvizuar se përkrahja virtuale përmes medieve dhe rrjeteve sociale ka dështuar në Kosovë, e sidomos tek elektorati i LDK-së, pasi sipas tij, janë gjeneratë e mesme dhe e shtyrë, dhe nuk përdorin rrjetet sociale, por janë votues besnik të LDK-së”, tha në fund ai.

Kujtojmë se Këshilli i Përgjithshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka shkarkuar Vjosa Osmanin nga postet udhëheqëse në parti, teksa Osmani ka paralajmëruar të gjithë ata që votuan për largimin e saj, se do të shihen së shpejti në zgjedhje.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka njoftuar se për shkarkimin e Osmanit nga posti i nënkryetares dhe anëtares së kryesisë, kanë votuar pro 70 anëtarë të Këshillit, 16 kanë qenë kundër dhe 28 nuk kanë marrë pjesë në votim, i cili është zhvilluar në mënyrë elektronike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat