Takimi “historik”

Politika

Takimi “historik”

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 22 qershor 2020 Në ora: 11:51
Thaçi dhe Vuçiq

Më 27 qershor në Uashington, me ftesën emisarit special për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, delegacione nga Kosova (presidenti Thaçi dhe kryeministri Hoti) dhe nga Serbia, do të ketë një takim i cili është vlerësuar si historik dhe një mundësi e mirë e një përafrimi të madh të marrëveshjes finale në mes Kosovës dhe Serbisë, shkruan gazeta “Bota sot”.

Richard Grenell, i dërguari i posaçëm i presidentit Donald Trump për bisedimet Kosovë-Serbi, tha se palët do të takohen më 27 qershor, pasi që kishte marrë “zotimin nga qeveritë e Kosovës dhe të Serbisë për të ndërprerë përkohësisht fushatën e tërheqjes së njohjeve dhe të kërkesave për anëtarësim në organizata ndërkombëtare”.

Ndërsa presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e ka paralajmëruar si proces tepër të vështirë dhe të rëndë rinisjen e dialogut me Serbinë. Duke folur pak ditë para takimit në Washington, ai ka thënë se takimi i paralajmëruar për 27 qershor është kthesë historike dhe mundësi e papërsëritshme për të filluar procesin “tepër të vështirë, shumë të rëndë, por të domosdoshëm për arritjen e paqes”.

“Në Washington shkojmë me parime të qëndrueshme. Takimin e paralajmëruar e konsiderojmë kthesë historike dhe mundësi të papërsëritshme për të filluar procesin tepër të vështirë, shumë të rëndë, por të domosdoshëm për arritjen e paqes. Delegacioni i Kosovës shkon i përgatitur për të përfaqësuar denjësisht dhe me dinjitet interesat e Kosovës. Njësoj sikur në të kaluarën, Kosova është në anën e drejtë të historisë. Vendi ynë është i bekuar me përkrahjen e SHBA-së. Ne i hapim rrugë njohjes reciproke, vendosjes së marrëdhënieve ndërshtetërore e hapjes së rrugës për anëtarësim në organizata ndërkombëtare. Prandaj kam besim të plotë se edhe takimi në Washington do t’i kontribuojë konsolidimit të brendshëm dhe ndërkombëtar të shtetit të Kosovës”, ka thënë Thaçi.

Por ndryshe mendojnë nga opozita.

Bajqinovci: Duhet të përgatitemi për lajme të këqija

Deputeti i LVV-së, Mefail Bajqinovci nuk beson se takimi do të sjellë ndonjë̈ rezultat pozitiv për Kosovën. Ai për “Bota sot” tha se duke parë se kush do ta përfaqësojë Kosovën atje, duhet të përgatitemi për lajme të këqija.

Image
Mefail Bajqinovci

Tutje Bajqinovci e sheh kryeministrin Hoti si servil te presidenti Thaçi dhe i dëgjueshëm në takimin e 27 qershorit për shkak se sipas tij, presidenti mund t’ia rrëzojë qeverinë.

“Takimi në Washington në mes Kosovës dhe Serbisë̈ nuk besojë se do të sjellë ndonjë̈ rezultat pozitiv për Kosovën, pasi kur shohim se kush do ta përfaqësojë̈ Kosovën atje, sigurisht që duhet të përgatitemi për lajme të këqija. Presidenti Thaçi po e merr me vete servilin e tij, Avdullah Hotin, ku ky i fundit vetëm do të jetë vizitor atje, e nuk do të ketë një sjellje prej kryeministri. Kjo për shkak se Thaçi e bëri kryeministër, e Thaçi mund ta shkarkojë prapë nëse nuk tregohet i dëgjueshëm”, u shpreh Bajqinovci.

Ai mendon se marrëveshja do të përafrohet, por nuk do të jetë finale.

“Marrëveshje përfundimtare mendoj se nuk do të ketë më 27 qershor, por që gjithashtu mendoj se marrëveshja do të jetë në dëm të Kosovës”, theksoi ai.

Bytyçi: Injorimi i BE-së në këtë takim do të këtë kosto

Profesori dhe njohësi i çështjeve politike, Enver Bytyçi në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka komentuar takimin në mes Kosovës dhe Serbisë më 27 qershor në SHBA.

Image
Enver Bytyçi

Sipas tij, këtë ky takim vlerësohet historik, por që Serbia po e interpreton sipas konceptit tradicional me disa data që i ndërlidh ata në të kaluarën.

“Takimi i 27 qershorit 2020 në Shtëpinë e Bardhë – Uashington midis Kosovës dhe Serbisë me kërkesë të ambasadorit Richard Grenell po komentohet si një takim historik. Në Serbi ky takim po interpretohet sipas konceptit tradicional të lidhur me ditën e Shën Vidovdanit, ose më Betejën e 28 qershorit 1389 të Fushë-Kosovës. Me këtë datë e betejë të mitizuar serbët e lidhën 28 qershorin e vitit 1914 kur në Sarajevë vranë Princin Austriak, Frany Ferdinand dhe gruan e tij. Ndërsa Stalini në vitin 1948 e shpalli letrën kundër Titos pikërisht më 28 qershor të atij viti, me qëllim që të nxiste serbët kundër udhëheqësit autoritar jugosllav me prejardhje nga Kroacia”, u shpreh ai.

Prof. Bytyçi thotë se injorimi i BE-së në këtë takim mund të ketë kosto të madhe.

“Por i lemë mënjanë simbolikat. Merremi me realitetin. Fakt është se thirrja në Uashington e dy delegacioneve kosovare e serbe po i shërben një procesi jo transparent. Në kushtet e errësirës informative secili e ka të drejtën të besojë atë që do dhe të interpretojë gjithçka në mënyrën si dëshiron. Megjithatë unë nuk dua të spekuloj me mendimin dhe interpretimin tim. Por jam shumë i sigurt se ky takim është i diskutueshëm dhe ngjall skepticizëm. Kjo ndodh për disa arsye: - Kosova është projekt amerikan po aq sa është edhe produkt i bashkëpunimit me Bashkimin Europian. Injorimi dhe madje fyerja që protagonistët e këtij takimi i bëjnë Berlinit, Londrës, Parisit dhe Brukselit do të ketë kosto të madhe. Kosova dhe Serbia kanë si kusht ta mbyllin konfliktin midis tyre, sepse janë angazhuar për t’u integruar në BE. Injorimi i BE-së e pengon këtë integrim. Askush nuk mund të thotë se cilët instrumente ka në dorë Grenell për të përshpejtuar integrimin e këtyre dy vendeve me zgjidhjen që ai imponon, sidomos për Kosovën?!”, theksoi Bytyçi.

Ai tregon tutje skenarët e mundshëm të marrëveshje, ku thotë se nëse ajo marrëveshje nuk ka për bazë paqen në rajon, atëherë do ta penalizojë Kosovën dhe Serbinë, ndërkohë që favorizon Rusinë.

“Nëse me 27 qershor arrihet në një marrëveshje, ajo do të pasqyrojë interesat e SHBA-ve në rajon dhe Europë dhe kjo duket si aspekt pozitiv për Kosovën. Por një marrëveshje që nuk merr parasysh interesat e stabilitetit dhe paqes evropiane, do ta penalizojë Kosovën dhe Serbinë, ndërkohë që favorizon Rusinë. - Marrëveshja për të cilën flitet dhe po angazhohet Hashim Thaçi këto ditë dhe e cila mendohet të nënshkruhet me 27 qershor nuk ka konsensusin e aktorëve dhe faktorëve politikë në Kosovë dhe në Serbi. Për pasojë Kosova mund të përfshihet në një valë dhune thuajse të justifikueshme, sepse askush nuk mund të pranojë që idetë, formulat dhe projektet serbe t’i imponohen viktimës së Beogradit, përkatësisht Kosovës, edhe pse për këtë mund të nënshkruajë një president i çmendur dhe i traumatizuar nga presionet e Serbisë për krime lufte. I vetmi aktor politik që pajtohet me procesin e Uashingtonit është Lista Srpska dhe një pjesë e LDK-së. As partia e Thaçit me Kadri Veselin dhe Hajredin Kuçin nuk janë për këtë proces! Si e tillë, kjo marrëveshje mund të quhet si akord midis Hashimit, Vuçiqit dhe Listës Srpska në Prishtinë”, potencoi ai.

Ai gjithashtu përmend marrëveshjen që e ka potencuar edhe deputeti gjerman, Meyer, për të cilën thuhet se do të tentohet të shkrihet Gjykata Speciale, si kusht për faljen e krimeve dhe kriminelëve serbë që masakruan, përdhunuan dhe dogjën e shkatërruan Kosovën gjatë dhjetëvjeçarit të fundit të shekullit të kaluar.

“Marrëveshja, sipas deputetit gjerman Meyer përmban edhe shkrirjen e gjykatës Speciale të Hagës, si kusht për faljen e krimeve dhe kriminelëve serbë që masakruan, përdhunuan dhe dogjën e shkatërruan Kosovën gjatë dhjetëvjeçarit të fundit të shekullit të kaluar! E gjitha kjo e bën atë marrëveshje si një marrëveshje personale midis Hashim Thaçit dhe Aleksandër Vuçiq. Si e tillë ajo marrëveshje do të çojë në konflikt të hapur, të thellë e të papajtueshëm midis nënshkruesit ose nënshkruesve të saj dhe viktimave të krimeve serbe në Kosovë. - Marrëveshja për të cilën flitet dhe ka ankth se mund të nënshkruhet në Uashington, ka shumë gjasa që ta penalizojë Kosovën me humbjen e territoreve të saj, pavarësisht se do të interpretohet si balancim territoresh fakti që një e pesta e Luginës së Preshevës mund t’i bashkëngjitet Kosovës. Kjo është arsye e mjaftueshme që me të gjitha mjetet qytetarët e Kosovës ta mbrojnë territorin dhe kushtetutën e të kërkojnë medoemos ndëshkimin penal të autorëve që nënshkruajnë ose miratojnë një marrëveshje të tillë. Së fundi, Hashim Thaçi dhe Abdullah Hoti duhet të bëjnë llogari: Nëse nënshkruajnë një marrëveshje të tillë të dëmshme për Kosovën, është mirë të kërkojnë azil në SHBA. Nëse nënshkruajnë një marrëveshje të mirë e të drejtë për Kosovën, do të duhet të mirëpriten me ovacione e duartrokitje. Por këtë të dytën nuk e pranon Beogradi. Nëse thjesht bien dakord që të vazhdojë dialogu por me akordimin dhe konsensusin e BE-së dhe administratës amerikane, qofshin përsëri të lëvduar”, tha Bytyçi për “Bota sot”.

Tali: Marrëveshja mund të arrihet

Ish këshilltari i ish kryeministrit Kurti, Driton Tali, në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka thënë se marrëveshja përfundimtare Kosovë-Serbi, mund të arrihet më 27 qershor në ShBA.

Image
Driton Tali

Tutje Tali mendon se kryeministri Hoti në ShBA do të shkojë, siç thotë ai, për t’ia mbajtur çantën dhe këmishat presidentit Thaçi.

“Në kushte normale, me politikanë normalë dhe të përgjegjshëm, në këtë periudhë kohore kaq të shkurtër, nuk do të mund të arrihej as ndonjë marrëveshje e rëndomtë se lere më ndonjë marrëveshje e rëndësisë primare. Por, pasi që kemi të bëjmë me politikanë jo normalë, gjykuar nga sjelljet e z Thaçi në kohën e fundit që thënë më së buti janë të çregulluara-jonormale, atëhere nuk është për t'u çuditur fare nëse arrihet marrëveshja përfundimtare, me këtë 27 qershor. Pastaj, kësaj shtoja edhe personalitetin e "kryeministrit Koti", i cili aty është veç për t'ia mbajtur çantën dhe sakon e (tri) këmishat z.Thaçi, dhe për asgjë tjetër. Pra thënë ndryshe tërësisht i papërfillshëm”, u shpreh Tali.

Ai thotë se epilogu i marrëveshjes Kosovë-Serbi do të përfundojë me humbje territori për Kosovën.

“Sa i përket epilogut (nëse marrëveshja arrihet) gjykuar nga deklaratat e shumta që z Thaçi dhe z Vuçiq i kanë dhënë tash e sa kohë, atëhere çfarë mund të pritet pos humbje të territorit. Dhe jo vetëm aq, por edhe rezervat e shumta me xehe dhe minerale së bashku me Liqenin e Ujamanit. Mirëpo, opinioni duhet ta dijë se kjo sagë nuk do të përfundojë me kaq. Serbia, pastaj do të insistojë që komunat e banuara me serbë, të cilat do të ngelin kësaj anës së Ibrit, të kenë një "Zajednicë" me kompetenca ekzekutive dhe Kishat eksterritorialitet”, theksoi ish këshilltari i Kurtit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat