Rreziku i ndarjes së Kosovës nga trenomi Thaçi-Rama-Vuçiq, kush po e quan këtë "Trofe të Luftës"

Politika

Rreziku i ndarjes së Kosovës nga trenomi Thaçi-Rama-Vuçiq, kush po e quan këtë "Trofe të Luftës"

Nga: N.Sh Më: 22 qershor 2020 Në ora: 19:48
Hashim Thaçi, Edi Rama dhe Aleksander Vuçiq

Të enjten në Bruksel do të takohen liderët e shtetit të Kosovës dhe atij serbë.

Ky takim i ndërmjetësuar nga përfaqësuesit i posaçëm i BE-së, Mirosllav Lajçak organizohet vetëm dy ditë para takimit që do të mbahet në Uashington.

Për këtë takim, prof. Faton Kurti, kryetar i Republikanëve të Kosovës, thotë se, presidentit serb Aleksandër Vuçiqit nuk i mjafton gjenocidi shekullor ndaj shqiptarëve - tani kërkon edhe një pjesë të territorit të sajë si një "Trofe Lufte"!

“Ideja për grabitje të territorit të Kosovës në favor të Serbisë e cila bëri një luftë gjenocidale ndaj popullatës civile shqiptare në Kosovë erdhi nga vet Vuçiqi dhe u mbështet fuqishëm nga Edi Rama dhe më tej edhe nga Thaçi. Kjo trio e famshme menjëherë e gjetën aleaten e tyre zonjën Mogherini e cila e mbështeti këtë plan djallëzor! Në takimin e Parisit ku u ftuan liderët politikë të Ballkanit, ky plan u shemb si një shtëpi letre nga kancelarja Merkel dhe presidenti Makron të cilët me këmbëngulje ishin kundër kësaj ideje”, thotë Kurti për gazetën “Bota sot”.

Image
Faton Kurti

Sipas tij, trio Thaçi, Vuçiq, Rama pasi që e kuptuan se plani i tyre kurrsesi nuk mund të realizohet me ndërmjetësimin e EU, këtë plan e bartën në SHBA ku Thaçi angazhoi njerëz me influencë në politikën Amerikane dhe Agjentura të Lobimit për të promovuar idenë e tij të "Këmbimit të Territoreve" dhe këta duke i paguar me paratë e taksa paguesve të Kosovës.

“Të njëjtën gjë e ka bërë edhe Vuçiqi duke shpenzuar qindra miliona dollarë për Lobim. Një ndër të parët në SHBA që e mbështetën idenë e "këmbimit të territoreve" ishte z. Bolton i cili publikisht tha: "nëse dy palët bien dakord për këmbim territoresh, ne nuk do të jemi pengesë!" Lobimi i Vuçiçit për të grabitur edhe një pjesë të territorit të Kosovës si "Trofe të Luftës" nuk është asgjë për tu çuditur, por të Lobohet për të njëjtën gjë nga vetë "liderët" tanë politik si Thaçi dhe Rama është e papranueshme dhe në bazë të Kushtetutës cilësohet si tradhti Kombëtare”, pohon ai për gazetën “Bota sot”.

“Unë jam i bindur se rreziku për ndryshim kufijsh ku Kosova mund të humbte territor është ende prezent, sepse presidenti Vuçiq, një radikal dhe deri në fyt i korruptuar kurrë nuk do ta njohë sovranitetin e Kosovës pa e marrë atë çfarë tanimë i është premtuar nga Thaçi - një pjesë e Kosovës”, shton ai.

Sipas ti, rreziku është i pranishëm edhe për shkak të panoramës politike në SHBA.

“Trump-it i duhet një sukses ndërkombëtar në politikën e jashtme në prag të zgjedhjeve presidenciale dhe Grenell do të bëjë gjithçka për t'ia siguruar këtë sukses shefit të tij. Momentalisht, e vetmja garanci për mosndryshim kufijsh mbetet pozicioni i Gjermanisë dhe konkretisht i kancelares Merkel, teksa përfaqësimi i negociatorëve shqiptarë është tërësisht në disfavor të Kosovës”, përfundon Faton Kurti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat