“Takimi i 27 qershorit, përpjekje amerikane për t’i dhënë zgjidhje arritjes së marrëveshjes Kosovë-Serbi”

Politika

“Takimi i 27 qershorit, përpjekje amerikane për t’i dhënë zgjidhje arritjes së marrëveshjes Kosovë-Serbi”

Më: 23 qershor 2020 Në ora: 15:33

Me ftesë të emisarit Richard Grenell, përfaqësuesit e Kosovës dhe të Serbisë më 27 qershor do të takohen në Shtëpinë e Bardhë.

I dërguari special i presidentit amerikan, Donald Trump, për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ka ftuar përfaqësuesit e Kosovës dhe të Serbisë për një takim në Shtëpinë e Bardhë, takim ky që pritet të mbahet më 27 qershor.

Një takim të tillë, profesori i së Drejtës Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, Afrim Hoti, po e sheh si përpjekje të SHBA-ve për t’i dhënë zgjedhje problemit se për të arritur marrëveshjen Kosovë-Serbi.

“Pra me 27 qershor është përpjekje amerikane për t’i dhënë zgjedhje problemit se për të arritur marrëveshjen Kosovë-Serbi”, u shpreh Hoti .

I pyetur me mospërfshirjen e Bashkimit Evropian në këtë takim në Shtëpinë e Bardhë, Hoti ka thënë se nuk ka ndonjë rregull që e ndalon BE-në të mos marrë pjesë në takim, por që sipas tij, sikurse SHBA ashtu edhe BE, kanë rëndësinë e vet në procesin e dialogut.

“Parimisht nuk ka ndonjë rregull që e ndalon pjesëmarrjen e BE-së në takim. Sido që të jetë, BE-ja dhe SHBA-ja janë akterë më vete, do me thënë janë akterë me ndikim dhe me rëndësi të madhe gjeo-strategjike dhe mbi këtë bazë ato mund të marrin veprime vetanake që të kontribuojnë në një krizë ose një krizë tjetër. Me datën 27 qershor është organizuar takimi nga SHBA-të në Shtëpinë e Bardhë dhe unë nuk shoh asgjë të keqe që në këtë takim të marrin pjesë edhe evropianët. Por edhe nëse nuk marrin, atëherë mendoj se kjo nuk do të thotë që Kosova edhe Serbia nuk kanë të ardhme evropiane sepse rruga e tyre kah BE-ja është formalitet i ndarë nga takimi i 27 qershorit”, theksoi Hoti.

Pavarëisht kësaj, profesori i së Drejtës Ndërkombëtare ka bërë të ditur për lajmi.net, se rruga e Kosovës dhe Serbisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian mbetet e njëjtë.

“Ndërkohë që rruga e dy vendeve kah Bashkimi Evropian mbetet e njëjta që edhe në të ardhmen do me thënë të dyja vendet duhet me i plotësua kushtet për me u bë shtet anëtarë siç janë të gjitha shtetet anëtare të BE-së”, tregoi Hoti.

Në anën tjetër, nga Bashkimi Evropian, kanë bërë të ditur për lajmi.net, se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë një partner i rëndësishëm dhe se të tillë do të vazhdojnë të jenë përherë.

“Për Bashkimin Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë një partner i rëndësishëm. Ata kanë qenë gjithmonë dhe do të jenë gjithmonë”, ka deklaruar zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

Theksojmë se në Shtëpinë e Bardhë pala kosovare do të përfaqësohet nga presidenti, Hashim Thaçi dhe kryeministri Avdullah Hoti, kurse pala serbe do të përfaqësohet nga presidenti, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrja, Ana Bërnabiq.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat