Zgjedhjet serbe cenuan Kushtetutën dhe sovranitetin e Kosovës

Politika

Zgjedhjet serbe cenuan Kushtetutën dhe sovranitetin e Kosovës

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 24 qershor 2020 Në ora: 08:06
Ilustrim

Pandemia shtyri zgjedhjet për kryetarë në dy komuna e Kosovës, ato në Podujevë dhe në Mitrovicën e Veriut, por kjo nuk vlejti edhe për zgjedhjet e përgjithshme të Serbisë, ku autoritetet e Kosovës lejuan mbajtjen e zgjedhjeve në mjediset me shumicë serbe në Kosovë.

Njohësit e Kushtetutës konsiderojnë se nëpërmjet mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme të Serbisë në komunat me shumicë serbe, pos cenimit të Kushtetutës, u cenua edhe sovraniteti i vendit.

Kurse, shprehen se për këtë akt provokativë e irritues nga Serbia, e gjithë përgjegjësia bie mbi Qeverinë e vendit tonë.

Smaka: Është cenuar Kushtetuta dhe sovraniteti i vendit

Profesori dhe një prej hartueseve të Kushtetutës së Kosovës, Riza Smaka, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se organizimi dhe mbajtja e zgjedhjeve të shtetit serb në Kosovë nuk është në harmoni me Kushtetutën e Kosovës.

Image
Riza Smaka

Smaka shprehet se nuk ka precedencë të tillë ku një shtet organizon e mban zgjedhje të përgjithshme në një shtet tjetër.

“Organizimi dhe mbajtja e zgjedhjeve për funksionarë publikë të shtetit serb në Kosovë nuk është në harmoni me Kushtetutën e Republikës së Kosovës as me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme në Kosovë. Aq më parë kur shteti serb në te gjitha mënyrat e më të gjitha mjetet operon kundër shtetit të Kosovës. Nuk ka precedencë të tillë në të cilën në një shtet konkretisht në Kosovë të organizohen e mbahen zgjedhje të përgjithshme për një shtet tjetër, për Serbin, pa përfillje të reciprocitetit të ndërsjellë dhe pa marrëdhënie diplomatike”, ka thënë Smaka.

Tutje, ai ka shtuar se sikur Serbia do ta kishte njohur shtetin e Kosovës, do të kishe ekzistuar kuptimi dhe baza për organizim e mbajtje të zgjedhjeve të përgjithshme.

“Sikundër Serbia të kishë njohur Kosovën për shtet sovran dhe anasjelltas dhe sikundër paraprakisht të ekzistonte marrëveshje shtetërore e këtyre shteteve do të kishe ekzistuar kuptimi dhe baza për organizim e mbajtje të zgjedhjeve të përgjithshme në Kosovë e Serbi në komunat më shumicë serbe përkatësisht shqiptare”, ka shtuar profesori i njohur.

Smaka konsideron se është cenuar Kushtetuta dhe sovraniteti i vendit, ndërsa është i mendimit se përgjegjësia politike për këtë akt provokativ irritues bie mbi Qeverinë e Kosovës.

“Nëpërmjet mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme të Serbisë edhe në komunat me shumicë serbe, pos cenimit të Kushtetutës dhe të sovranitetit të Kosovës, implicite impozicionohet superioriteti i shtetit serb mbi shtetin tonë. Lejimi i zgjedhjeve të tilla, pa njohje të ndërsjellë dhe pa reciprocitet të ndërsjellë, vendi ynë vetvetiu vihet në status politik inferior përballë Serbisë. Përgjegjësia politike për këtë akt provokativ irritues bie mbi Qeverinë e vendit tonë. Aq me parë kur zgjedhje lokale në disa komuna të Kosovës nga Qeveria e vendit nuk janë lejuar për shkak të pandemisë aktuale”, ka deklaruar profesori Riza Smaka.

Avokati Gashi: Bien ndesh me Kushtetutën, qeveri që i rrinë gatitu Serbisë

Avokati Tomë Gashi, duke folur për zgjedhjet e përgjithshme të Serbisë të mbajtura në komunat me shumicë serbe, ka thënë për gazetën “Bota sot”, se këto zgjedhje bien ndesh me Kushtetutën e vendit.

Image
Tomë Gashi

Madje, Gashi shprehet tejet i ashpër me politikanët e vendit, pasi që sipas tij, këta të fundit po veprojnë sikur t’i kishin borxhe të mëdha Serbisë.

“Kjo që po ndodhë me Kosovën që nga paslufta e këndej është shumë e çuditshme. Edhe nga shpallja e pavarësisë është situatë e njëjtë. Ne kur kemi të bëjmë më shumë çështje që lidhen me Serbinë saktësisht sillemi siç është e shkruar në Kushtetutën e Serbisë. Sikur kinse të ishim pjesë integrale e Serbisë, edhe nga 12 qershori 1999 kur u çliruam nga okupimi serb. Edhe pas 12 shkurt 2008 kur e shpallem pavarësinë nga Serbia. Si është e mundshme që kemi këtë logjik që për të ardhë e pastaj për të mbet në pushtet bëjmë çdo gjë që kërkon Serbia, dhe si nuk skuqen more këta politikan të sotëm që e udhëheqin shtetin e Kosovës, që veprojnë sikur t’i kishin borxhe Serbisë, borxhe të mëdha dhe ndoshta të përjetshme”, ka thënë Gashi.

Tutje, ai potencon se këto zgjedhje janë në kundërshtim të plotë me ruajtjen e sovranitetit juridik dhe zgjedhor të Kosovës.

“Si nuk lejuan zgjedhje në Besianë që ata i thonë ende Podujevë, dhe si nuk lejuan zgjedhje ne pjesën e ndarë të Mitrovicës që i thonë Mitrovica veriore, dhe lejuan zgjedhje në kundërshtim të plotë me Kushtetutën e Kosovës dhe me të ligjet që kanë të bëjnë me ruajtjen e sovranitetit juridik dhe zgjedhor të Kosovës vetëm edhe për ndonjë ditë pushtet. Si nuk skuqen as pas 21 vjet çlirimi e as pas 12 vjet pavarësie nga Serbia gjenocidiale që nuk la gjë pa bërë në Kosovë para, gjatë dhe paslufte”, ka thënë ai.

Avokati është i mendimit po ashtu se përderisa veprojnë kështu politikanët e Kosovës, ne nuk do të jemi definitivisht të çliruar nga Serbia.

“Si ndihen këta kur e shohin vetën në televizione dhe në media duke u bërë avokat të zgjedhjeve të Serbisë, në një tok që ata e bënë shkrumb e hi e që është tokë shqiptare. Si e manipulojnë popullin edhe ashtu të lodhur e të manipuluar që 21 vjet se kinse kjo bëhet me kërkesë të bashkësisë ndërkombëtare, dhe kinse për të mirë të Kosovës. Por, nëse është ashtu pse nuk po lejoi ShBA zgjedhje të Iranit apo të Sirisë në ShBA. Pse Gjermania nuk lejon zgjedhje të Turqisë në tokën gjermane. Por, të gjitha janë gënjeshtra, derisa të veprojnë kështu politikanët e Kosovës ne nuk do të jemi definitivisht të çliruar nga Serbia, sepse po e ushqejmë sindromën e Stokholmit me vetëdije të plotë. Të imponuar nga udhëheqësit e Kosovës se tanishëm e që janë të njëjtit që 21 vjet. Pse nuk e lanë Albin Kurtin dhe Lëvizjen Vetëvendosje në pushtet dhe të shihnim se a do t’i ndalonte zgjedhjet serbe në tokën shqiptare në Kosovë siç deklaroi Albin Kurti në maj të këtij viti se nuk do t’i lejojë”, ka thënë avokati.

Gashi thekson se Lëvizja Vetëvendosje dhe të tjerët duhet më në fund ta dërgojnë këtë çështje në Gjykatën Kushtetuese.

Kurse, shton se më 3 qershor u vodh vullneti qytetarë, duke u instaluar kështu një qeveri që i rrinë gatitu Serbisë.

“U bënë të gjithë bashkë të njëjtit që ishin për 21 vjet, dhe ndër të tjera në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës i lejuan zgjedhjet e Serbisë në Kosovë. Po si edhe mos t’i lejon kur këta në pushtet varen nga zëvendëskryeministri Rakiq, nga ai që nuk e pranon Kosovën shtet, dhe nga secili deputet i Listës Serbe. Kjo është fatkeqësia jonë, dhe Vetëvendosje dhe të tjerët duhet më në fund ta dërgojnë këtë çështje në Gjykatën Kushtetuese ku do të vendos edhe gjykatësi Radomir Llaban një kriminel i dënuar më 6 vite burg në Serbi, e këtu i emëruar nga Thaçi si president i gjykatës më të lart në Kosovë, Gjykatës Kushtetuese, për këtë kemi edhe vet faj si popull dhe si qytetar që lejuam të na vidhet vota e 6 tetor2019 që solli shpresën tek qytetarët e Kosovës, por që na e vodhën prapë më 3 qershor 2020 duke instaluar qeveri që i rrinë gatitu Serbisë”, ka theksuar Gashi.

Duhanaj: Organizimi i zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë, është bërë me kërkesën dhe vendimet ndërkombëtare

Kurse, politologu Leon Duhanaj, shprehet se organizimi i zgjedhjeve të Serbisë edhe në territorin e Kosovës, nuk përbën ndonjë lajm të ri, apo diçka të jashtëzakonshme.

Image
Leon Duhanaj

Sipas tij, organizimi i zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë, është bërë me kërkesën dhe vendimet ndërkombëtare.

“Nëse çështja shikohet nga konteksti i zhvillimeve politike ndër vite në Kosovë, atëherë mund të konstatohet që organizimi i zgjedhjeve të Serbisë edhe në territorin e Kosovës, nuk përbën ndonjë lajm të ri, apo diçka të jashtëzakonshme. Organizimi i zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë, është bërë me kërkesën dhe vendimet ndërkombëtare dhe është organizuar dhe monitoruar nga OSBE. Në anën tjetër, nëse e analizojmë zhvillimin e tyre nga këndvështrimi i situatës me pandeminë, mbajtja e tyre është tejet diskutabile. Në kushte normale, do të duhej të vlenin rregullat e njëjta siç vlejnë edhe për shqiptarët”, ka deklaruar Duhanaj.

Në fund, ai ka nënvizuar se duhet shikuar nga konteksti i situatës në rrafshin e politikës së jashtme, përkatësisht pritjes së vazhdimit të dialogut Kosovë-Serbi, ku sipas tij, do të mund të pengohej nga një pengesë e mbajtjes së këtyre zgjedhjeve.

“Megjithatë, duhet shikuar nga konteksti i situatës në rrafshin e politikës së jashtme, përkatësisht pritjes së vazhdimit të dialogut Kosovë-Serbi, i cili do të mund të pengohej nga një pengesë e mbajtjes së këtyre zgjedhjeve. Mendoj që dialogu duhet të shihet si një proces drejt avancimit të shtetësisë së Kosovës dhe, si i tillë duhet të trajtohet me prioritet, ku vendimet me karakter specifik, duhet të trajtohen në mënyrë të veçantë. Në anën tjetër, edhe zërat kundërshtues në disa raste nuk janë të arsyeshëm, pasi që siç e dimë ne para pak kohe kemi pasur gjendje të jashtëzakonshme të shpallura nga shteti serb dhe, që i kemi pranuar si të mirëqena. Pos kësaj edhe organizimi i zgjedhjeve, nuk është me i rrezikshëm se sa organizimi i protestave”, ka thënë krejt në fund, politologu Leon Duhanaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat