Deputetët e LDK-së dhe LVV-së kërkojnë hetim për shpenzimet e Qeverisë Haradinaj

Politika

Deputetët e LDK-së dhe LVV-së kërkojnë hetim për shpenzimet e Qeverisë Haradinaj

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 25 qershor 2020 Në ora: 19:49
Ilustrim

Disa herë janë përmendur rastet kur zyrtarët e lartë kanë shfrytëzuar buxhetin e shtetit për shpenzimet e tyre luksoze. Duke përfshirë këtu edhe darkat luksoze, ku janë ‘derdhur’ para të majme nga buxheti. Ndërsa nuk përmenden raste kur për këto shpenzime janë dënuar apo është hetuar dikush.

Këto ditë u bë e ditur se Qeveria Haradinaj kur ishte ne pushtet kishte shpenzuar mbi 17 mijë euro vetëm në dy dreka zyrtare.

Lidhur me këtë ҫështje, deputetët duke folur ‘Bota sot’ e shohin si shqetësuese dhe që të njëjtit zyrtarë duhet ndjekur nga drejtësia.

Deputetja e LDK-së: Duhet të hetohet kushdo që është i dyshuar

Image
Vlora Limani Hajnuni

Kështu, deputetja nga pozita, Vlora Limani Hajnuni nga Lidhja Demokratike e Kosovës thotë se secili zyrtar i dyshuar për keqpërdorim të buxhetit të shtetit, duhet të hetohet.

“Kushdo që mund të jetë i dyshuar për keqpërdorim të buxhetit të shtetit, natyrisht që duhet të hetohet nga institucionet përkatëse për zbatimin e ligjit”, thotë deputetja e LDK-së për “Bota sot”.

Deputetja e LVV-së kërkon hetim për shpenzimet e parasë publike

Image
Arta Bajralia

Poashtu edhe deputetja e Vetëvendosjes, Arta Bajralia thotë se shpenzimet e parasë publike duhet të bëhen me përgjegjësi dhe aty ku ka dyshime për keqpërdorim, duhet të hetohet.

“Besoj që ҫdo shpenzim i parasë publike duhet të bëhet me përgjegjësi dhe me transparencë të plotë dhe se aty ku ka vend për dyshime a keqpërdorime do duhej që të hetohej se si janë shpenzuar paratë publike”, vlerëson deputetja Bajralia.

Edhe AKK kërkon hetim

Image
Agjencia Kunder Korrupsionit

Të kontaktuar nga gazeta, Agjencia Kundër Korrupsionit nëse merren me shqyrtimin e ҫështjeve të tilla kur keqpërdoret paraja publike, zyrtarë nga ky agjencion thonë se përqendrohen në parandalimin dhe luftën e korrupsionit, duke përfshirë edhe parandalimin e rasteve të konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik.

“Fushëveprimi i Agjencisë kundër Korrupsionit  është i përqendruar në parandalimin dhe luftimin e korrupsionit të bazuara në legjislacionin aktual që ka rregulluar kompetencat e AKK-së, puna e Agjencisë është  e  përqendruar në hetimet dhe aspektet administrative të bazuara në procesin e deklarimit të pasurisë së zyrtarëve të lartë publik, deklarimit dhe regjistrimit të dhuratave të zyrtarëve publik Parandalimit të rasteve të konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik, monitorimit të aktiviteteve të prokurimit publik, hetimin dhe zbulimin e rasteve me natyrë të korrupsioni dhe trajtimin e rasteve të cilat lidhen me sinjalizuesit”, thuhet në përgjigjen e AKK-së për “Bota sot”.

Tutje thuhet se në raport me shpenzimet e tepruara nga buxheti i shtetit,  Agjencia kundër Korrupsionit  trajton të gjitha rastet që kanë të  bëjnë me kapitullin e veprave penale kundër detyrës zyrtare ose korrupsionit.

“Duke përfshirë të gjitha rastet e keqpërdorimit te parasë publike nga zyrtarët e institucioneve në të gjitha situata e mundshme,  ku përfshihen edhe shpenzimet e  tepruara nga buxheti i shtetit. Gjithashtu, AKK , trajton raste të kësaj kategorie duke u bazuar edhe në raportet dhe informatat e Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm të Kosovës”, thonë nga AKK-ja.

Miftaraj: Kosova do të vazhdoj të mbetet një vend ku mungon llogaridhënia

Image
Ehat Miftaraj

Ndërkaq, Ehat Miftaraj, njohës i sistemit të drejtësisë, drejtor i Institutit të Kosovës për Drejtësi, thotë se keqpërdorimi i buxhetit si nga niveli qendror dhe ai lokal, tashmë është bërë sinonim i qeverisjes në Kosovë. Sipas Miftaraj, derisa nuk ka ndëshkueshmëri për zyrtarët e lartë që keqpërdorin paranë publike, kjo po ndikon në promovimin e korrupsionit.

“Keqpërdorimi i buxhetit apo edhe keqmenaxhimi dhe keqadministrimi si në nivelin qendror ashtu edhe atë lokal, fatkeqësisht janë kthyer në sinonim të qeverisjes në Kosovë.  Dhe kur kësaj i shtohet fakti se institucionet e drejtësisë dhe sigurisë në mënyre proaktive janë duke kultivuar kulturën e pandëshkueshmërise ndaj kategorisë se zyrtarëve të lartë publik që shkelin ligjin dhe keqpërdorin me paranë publike dhe pushtetin, sigurisht që ndikon në promovimin e korrupsionit. Në mungesë të vullnetit politik që një praktikë e tillë të ndalet, Kosova do të vazhdoj të mbetet një vend ku mungon llogaridhënia dhe ku mungon qeverisja e mirë dhe sundimi i ligjit”, thekson Miftaraj për “Bota sot”.

Shpenzimet e ish-kryeministrit Haradinaj

Ndryshe, Zyra e ish-kryeministrit Ramush Haradinaj kishte shpenzuar plotë 17 mijë e 150 euro vetëm në dy dreka zyrtare. Këto të gjetura janë bërë të ditura nga Zyra Kombëtare e Auditorit. Njëra ishte në vlerë 8 mijë e 400 euro dhe tjetra në vlerë 8 mijë e 750€ euro. Drekat e darkat e shtrenjta të Haradinajt, që tani është pjesë e koalicionit qeverisës, nuk janë arsyetuar, ka gjetur Auditori.

“Në dy pagesa të testuara për dreka zyrtare, njëra në vlerë 8,400€, dhe tjetra në vlerë 8,750€, përveç faturave me mbishkrimet se shpenzimet kishin të bënin me rastin e organizimit të pritjeve/koktejeve të caktuara, nuk kishte raport pranimi, e as listë të pjesëmarrësve apo axhendë të bashkangjitur të ngjarjeve”, thuhet në raport.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat