Profesor Enver Bytyçi: Shpirti i gazetës “Bota Sot” i ka rrënjët te rugovizmi! Ndaj dhe kjo gazetë nuk vdes kurrë!

Politika

Profesor Enver Bytyçi: Shpirti i gazetës “Bota Sot” i ka rrënjët te rugovizmi! Ndaj dhe kjo gazetë nuk vdes kurrë!

Nga: Gresa Bajraktari Më: 26 qershor 2020 Në ora: 10:12
Gazeta "Bota sot"

26 qershori i këtij viti shënon 25 vjetorin e gazetës kombëtare “Bota sot”.

E për shkak të pandemisë së koronavirusit, gazeta është ndaluar së shtypuri, duke qenë vazhdimisht online për të gjithë lexuesit e saj.

Profesori Enver Bytyçi thotë se pavarësisht kushteve, Bota sot e ruajti primatin, duke arritur mbi 1 milion lexues në ditë.

“Gazeta “Bota Sot” e shtoi edhe një vit tjetër në rrjedhën e saj historike. Hyrja në dekadën e tretë i ka dhënë asaj dimensione të reja. E ka bërë më solide, më të lidhur me të vërtetën, me atdheun e kombin dhe më të ndjeshme ndaj intrigave dhe tradhtive që mund ta dëmtojnë Kosovës, Shqipërinë dhe shqiptarët. Këtë vit asaj iu desh të përballonte edhe trysninë e Covid-19. Për arsye të Covid-it të ndalojë përkohësisht botimin e saj në print. Megjithatë gazeta “Bota Sot” edhe në kushtet e tilla e ruajti primatin e saj. Gjatë periudhës njëditore e rriti numrin e lexuesve në mbi një milion, duke u bërë ndër të paktat media shqip me një numër kaq të madh lexuesish”, është shprehur ai.

Sipas tij, ajo dallohet nga të tjerat sepse nuk u ndal asnjëherë për respektimin e disa parimeve, u themelua dhe rrit me filozofinë e Ibrahim Rugovës, “Bota Sot” ishte dhe mbetet modeli i respektimit të rugovizmit.

Image
Prof. Dr. Enver Bytyçi

“Gazeta “Bota sot” dallohet në mesin e motrave të saj, sepse nuk u ndal asnjëherë për respektimin e disa parimeve fort të dallueshme. Ajo u themelua dhe u rrit me filozofinë e Ibrahim Rugovës. Nuk ndaloi asnjë moment së respektuari dhe aplikuari këtë filozofi, ku gërshetohet idealja me realen, demokracia me patriotizmin, liria me respektin për lirinë e të tjerëve. “Bota Sot” ishte dhe mbetet modeli i respektimit të rugovizmit edhe për vetë partinë e themeluar nga presidenti Historik i Kosovës. Dhe të mbështetesh te rugovizmi, do të thotë se ke dëshmuar gjithçka në fushën e moralit, politikës, civilizimit dhe kulturës qytetare. Në këtë kuptim Kosova dhe shqiptaria përmes gazetës “Bota Sot” ka marrë pjalmin e asaj se si shoqëria shqiptare mund të ngrihet në nivelin e kulturës së qytetërimit modern bazuar te tradita nacionale”, ka vlerësuar ai.

Bytyçi ka shtuar se “Bota sot” i mbetet besnike linjës së saj editoriale, pa u bërë vegël dhe shërbëtore e intrigave.

“Në një vëzhgim empirik krahasues i kësaj gazete me mediet e tjera të shkruara dallon se “Bota Sot” i mbetet gjithnjë besnike linjës së saj editoriale, pa u “shkalafit” sa majtas e sa djathtas, pa u bë vegël dhe shërbëtore e paskrupullut e intrigave dhe kulisave, sidomos kur ato thuren kundër shtetit dhe kundër Kosovës e kombit shqiptar! Shkaku i kësaj qëndrueshmërie kjo gazetë i ka lexuesit të qëndrueshëm, gjithnjë në shtim të tyre. Shkaku i kësaj koherence dhe zbatimit të këtij parimi “Bota Sot” ka ekzistuar edhe në kohët më të vështira të saj, pa donacione të fondacioneve antishqiptare e proserbe. Madje ajo mund të konsiderohet si gazeta më e vjetër e “mbetur gjallë””, ka theksuar profesori.

Ai përmend gazetarët e vrarë të gazetës, derisa thotë se hakmarrja e pushtetit ndaj kësaj gazete e ka burimin pikërisht te kocka e pathyeshme që “Bota Sot” mbart në trupin e saj të shëndoshë, duke shtuar faktin se gazeta i ka bashkëpunëtorët më jetëgjatë dhe se ajo nuk vdes kurrë.

“Por shkaku i qëndrueshmërisë dhe mos-devijimit nga parimet bazë editoriale të deklaruara që në botimin e saj të parë, “Bota Sot” ka kapërcyer nëpër një kalvar të gjatë persekutimesh dhe privimesh, duke iu nënshtruar gjobave politike e deri mbylljes së saj të përkohshme. Hakmarrja e pushtetit ndaj kësaj gazete e ka burimin pikërisht te kocka e pathyeshme që “Bota Sot” mbart në trupin e saj të shëndoshë! “Bota Sot” ka numrin më të madh të gazetarëve të saj të vrarë e persekutuar në historinë e shtypit dhe medies pan-shqiptare. Dhe kjo ka ndodhur, sepse idealizmi i politikës editoriale është ndërthur me idealizmin e redaksive, gazetarëve, kolumnistëve dhe bashkëpunëtorëve të saj. Kushdo që do ta studiojë historinë e shtypit shqiptar në Kosovë e më gjerë, do të dallojë se “Bota Sot” i ka bashkëpunëtorët e saj më jetëgjatë në mesin e të gjitha gazetave tjera. Shpirti i gazetës “Bota Sot” është i identifikuar me shpirtin e kombit shqiptar. Prandaj ajo jeton dhe do të jetojë gjatë. Nëse nuk vdes shpirti, edhe i një gazete, kurrë nuk vdes emri dhe vepra e saj”, ka përfunduar profesori Enver Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat