Çfarë ndodh tash pas aktakuzës së Specialës kundër Thaçit e Veselit

Politika

Çfarë ndodh tash pas aktakuzës së Specialës kundër Thaçit e Veselit

Diana Bunjaku  Nga Diana Bunjaku Më 26 qershor 2020 Në ora: 21:07
Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli

Zyra e Prokurorit të Specializuar ka njoftuar se presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli janë dy të parët që do paraqiten në Gjykatën Speciale.

‘Më 24 prill 2020, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) u paraqiti Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim prej Gjykatës, ku Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të tjerë akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura’.

Nga ana tjetër dy ditë para se të nis dialogu Serbi-Kosovë në Uashington, ngrihet Prokuroria Speciale e Kosovës e akuzon Kryetarin e Kosovës Hashim Thaçin dhe Kryetarin e PDK-së Kadri Veselin për vrasjen e 100 personave shqiptarë, serbë e romë.

Burjani: Kjo aktakuzë duhet të i dërgohet palëve dhe avokateve

Image
Blerim Burjani

Njohësi i çështjeve juridike Blerim Burjani ka thënë se së pari duhet të konfirmohet aktakuza nga gjyqtari i procedurës paraprake,  e së dyti kjo aktakuzë duhet të i dërgohet palëve dhe avokateve.

Sipas tij, pas leximit të aktakuzës do të shihet qartë për cilat vepra penale ngarkohen.

“Nëse ndodhin këto aktakuza atëherë konstatimi politik është se përmbyllja e ngjarjeve në ish- Jugosllavi përfundojë të gjithë aktetet kryesore ngjarjeve të asaj kohe ose janë vdekur, Millosheviqi, Alija Izitbegovic ose janë dënuar, Franjo Tuxhman. Rasti evetualisht i ngritjes se Aktakuza kundër Thaçit dhe Kadri Veseli është lajmi më tragjik për popullin e Kosovës, lajmi më i keq i mundshëm për sakrificën shqiptare lirinë e saj. Të presim deri në konfirmim të aktakuzës nëse do të ketë ditëve”, ka thënë njohësi i çështjeve juridike Blerim Burjani.

Berisha: Nuk dua të paragjykoj dhe të fajësoj askënd për aktakuzat e ngritura

Image
Ejup Berisha

Kurse analisti politik Ejup Berisha ka thënë se sipas informatave të fundit që janë plasuar në opinion Zyra e Prokurorit të specializuar të Prokurorisë speciale për krime lufte në Kosovë më datë 24 prill të këtij viti i paska paraqitur Dhomave të specializuara të Gjykatës Speciale.

Sipas tij, kjo gjykatë ishe formuar enkas për shqyrtimin e aktakuzave dhe për gjykimin e lëndëve të rasteve të krimeve si dhe për dënimin e kryerësve të veprave penale që janë të lidhura me periudhën e konfliktit të vitit 1999 dhe të periudhës pas tij nëse nuk gaboj.

“Kjo pra është një aktakuzë e përbërë prej dhjetë pikave të cilat nëse vërtetohen dyshimet, faktet dhe dëshmitë për krime të kryera gjatë periudhës së përmendur më lartë siç janë vrasje, zhdukje të civilëve, përndjekje si dhe tortura të kryera në mënyrë të dhunshme dhe të paligjshme do të duhet të përgjigjen dhe nëse realisht vërtetohet përgjegjësia dhe fajësia e tyre do të duhet të dënohen disa pjesëtarë të lartë ish UÇK-së të Kosovës. Dhe faktikisht kjo edhe do të jetë kështu, pra për veprat në fjalë nga Zyra e Prokurorisë së specializuar janë të dyshuar ish udhëheqësit më të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës UÇK si Hashim Thaçi, Kadri Veseli por edhe disa persona të tjerë”, ka thënë analisti Berisha.

Sipas tij, të njëjtët sipas sqarimeve të dhëna në aktakuzë janë përgjegjës për njëqind vrasje të kundërligjshme të personave të përkatësisë etnike shqiptare, serbë dhe romë si dhe për torturim dhe rrëmbim të kundërshtarëve politik.

“Në fakt ajo që duhet thënë lidhur me çështjen e aktakuzave dhe ftesave të dërguara është fakti se ky është një lajm shumë i keq për autoritetin, reputacionin si dhe për besueshmërinë e personave që dyshohen për veprat e përmendura në aktakuzë. Por gjithashtu kjo mund ta dëmtoj dhe ta njollos kontributin e tyre të dhënë në luftën e shenjtë dhe të drejtë të popullit të Kosovës për liri dhe çlirim në kuadër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Luftë kjo e përmendur, e vlerësuar shumë lartë si dhe e cila ka marrë mirënjohje të shumta të larta dhe pozitive në opinionin e brendshëm dhe në atë ndërkombëtar. Kur them kështu flas vetëm se hipotetikisht nuk dua të paragjykoj dhe të fajësoj askënd për aktakuzat e ngritura, për sjelljet si dhe për veprat e askujt e as për veprat dhe emrat e personave të përfshirë në aktakuzën në fjalë. Është botërisht e ditur se kush bën eventualisht vepra të liga dhe të shëmtuara dhe në bazë të të dhënave, dëshmive dhe fakteve vërtetohet fajësia dhe përgjegjësia e tyre ata duhet të paraqiten para organeve të dritësisë për të dhënë llogari dhe për ta marrë dënimin që e meritojnë”, ka thënë Berisha.

Ai konsideron se në këto raste fjalën e fundit dhe meritore duhet ta japin organet e hetuesisë të akuzimit dhe të gjykimit pra Prokuroritë dhe Gjykatat në rastin konkret Prokuroria dhe Gjykata Speciale.

“Moment i dytë shumë i rëndësishëm kur jemi te akuzat është se askush nuk mund të jetë i fajshëm derisa aktet veprat dhe krimet që pretendohen ti vihen mbi supe si barrë dikujt të njëjtat nuk vërtetohen gjatë procesit të mbarëvajtjes së Gjykimit të tij. Apo se gjithkush është i pafajshëm derisa organet e drejtësisë nuk e vërtetojnë të kundërtën. Pavarësisht se për kë bëhet fjalë apo se çfarë pozicioni ka momentalisht ai person apo dhe personat për të cilët janë ngritur aktakuza në fjalë apo dhe në periudhën të cilës i përkasin ato dyshime të njëjtët duhet të prezantohen para Gjykatave kompetente dhe ta dëshmojnë pafajësinë e tyre. Por edhe nëse ngarkohen me faj siç thashë të njëjtët duhet ta marrin dënimin e merituar”, ka thënë Berisha.

Sipas tij, për të gjitha rastet që kanë ndodhur gjatë periudhës së luftës së fundit çlirimtare duhet që ti jepet gjasë që të ngadhënjej e vërteta absolute dhe drejtësia asgjë nuk duhet ti lehet dyshimit.

“Pasi që konsideroj se nuk është e hijshme që kontributi i sinqertë i njerëzve të devotshëm dhe të përkushtuar për liri dhe pavarësinë e vendit dhe kombit të njollosen si rezultat i akteve dhe veprave të shëmtuara dhe pamenduara mirë. Mendoj se pastërtia dhe karakteri i drejtë i luftës Çlirimtare dhe kombëtare duhet të vërtetohen dhe të dëshmohen në një proces të drejtë dhe korrekt gjyqësor. Ndërsa Gjykata në fjalë e cila u formua me motive politike dhe me tendencë që të njolloset lufta e drejtë dhe e pastër Çlirimtare e popullit të Kosovës duhet detyrimisht të veproj dhe të gjykoj në mënyrë të pavarur dhe profesionale dhe të sjell vendime meritore dhe të qëndrueshme. Nëse aktakuzat janë tendencioze dhe të motivuara politikisht atëherë edhe aktgjykimet do të jenë të tilla”, ka thënë analisti politik Ejup Berisha.

Mehazi: Gjykata Speciale bumerang për vetë Thaçin e Veselin

Image
Sulejman Mehazi

Ndërsa njohësi i çështjeve politike profesor Sulejman Mehazi ka thënë për gazetën "Bota sot" se kjo s'është gjë tjetër vetëm se e qëllimshme, tendecioze e degraduese jo vetëm për Kosovën, por edhe mohimin e luftës së drejtë të UÇK-së.

Sipas tij, dy ditë para dialogut me Serbinë në SHBA të nxjerrësh aktakuza për kryetarin e Kosovës që do jetë prezent në Uashington vjen sikur armiku më i madh i këtij dialogu është vetë Prokuroria Speciale e Kosovës.

“Politikisht kurrë nuk e kemi përkrahur Hashim Thaçin, po ja që dolën fjalët e disa politikaneve opozitarë në krye me Kurtin, dhe të disa analistëve të cilët ishin kundër Gjykatës Speciale një nacionale në Kosovë, e Hashim Thaçi së bashku me mikun, bashkëluftëtarin e bashkëpartiakun Kadri Veselin në pushtet e përkrahën fuqishëm duke e votuar vetë ata këtë Gjykatë Speciale kundër shqiptareve e jo edhe ndaj serbëve të Kosovës. E tani kjo Gjykatë Speciale u bë bumerang për vetë Thaçin e Kadri Veselin. Nuk jemi kundër drejtësisë, drejtësia e bën të shëndetshme Republikën e Kosovës, por jemi kundër principeve të Prokurorisë Speciale që në momentin më të rëndësishëm të dialogut Kosovë - Serbi në Shtëpinë e Bardhë, akuzon Hashim Thaçin për t'ia humbur vlerën e dialogut delegacionit të Kosovës para Serbisë”, ka thënë njohësi i çështjeve politike profesor Sulejman Mehazi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat