Aktakuza nga Gjykata Speciale për presidentin, flet Haziri: Hashim Thaçi duhet të japë dorëheqje

Politika

Aktakuza nga Gjykata Speciale për presidentin, flet Haziri: Hashim Thaçi duhet të japë dorëheqje

Nga: N. H Më: 27 qershor 2020 Në ora: 19:03
Hashim Thaçi

Presidenti Hashim Thaçi ditën e djeshme paralajmëroi një konferencë për mediat, të dielën në mbrëmje.

Ky komunikim i presidentit vjen pas aktakuzave ndaj tij dhe Kadri Veselit.

Njohësi i rrethanave të politikës sa i përket dorëheqjes eventuale të Thaçit, mendon se një gjë e tilë do të ishte e shëndetshme për imazhin ndërkombëtar të vendit.

Analisti politik, Nexhat Haziri, në një prononcim dhënë gazetës “Bota sot”, ka thënë se me dorëheqjen e tij, presidenti Thaçi, do të ndihmonte që institucioni i presidentit ta ruante kredibilitetin e vet.

“Kjo do të ishte gjëja më e duhur qe presidenti Thaçi do të mund t’ia ofronte Kosovës, pra dorëheqja e tij nga posti i presidentit pas ngritjes së aktakuzës ndaj tij nga Gjykata Speciale. Me dorëheqjen e tij, Thaçi do të ndihmonte që institucioni i presidentit ta ruante kredibilitetin e vet, po ashtu do të ishte edhe e shëndetshme për imazhin ndërkombëtar të vendit”, ka thënë Haziri.

Me tej, ai ka theksuar si Kosova nuk mund të vazhdojë të ketë një president që tashmë ka një aktakuzë për krime lufte.

Image
Nexhat Haziri

“Një president i tillë nuk do mund ta përfaqësonte as unitetin politik dhe qytetar të vendit, por as në arenën ndërkombëtare, sidomos në proceset me të cilat pritet të ballafaqohet vendi, siç është dialogu me Serbinë, por edhe procese të tjera siç janë ato të anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare. Fundi fundit, Kosova s’ka pse të ndikohet nga problemet individual të zyrtarëve të saj, pamarre parasysh se në çfarë pozicioni janë. Andaj Thaçi do i bënte një shërbim të mirë vendit, nëse ai që nesër me adresimin e tij qytetarëve të vendit ta ofroj dorëheqjen nga detyra si president i vendit”, ka thënë në fund, analisti politik, Nexhat Haziri, për gazetën “Bota sot”.

Kujtojmë se dy liderëve të UÇK-së, presidentit, Hashim Thaçi dhe kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli të mërkurën iu bë publike, propozim aktakuza për krime lufte nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat