Heshtja e PDK-së!

Politika

Heshtja e PDK-së!

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 28 qershor 2020 Në ora: 08:06
PDK

Lideri i PDK-së, Kadri Veseli ditë më parë, ka deklaruar se kjo parti do të mbetet në opozitë, dhe do të jetë një zë i fuqishëm në parlament kundër veprimeve dhe ideve të gabuara për vendin tonë.

Partia Demokratike e Kosovës, në zgjedhjet e 6 tetorit kishte dalë e treta, duke u ndëshkuar nga votuesit.

Mirëpo edhe pse ishte përkrahëse për rrëzimin e qeverisë Kurti kjo parti prapë vendosi të mbetet në opozitë duke mos iu bashkuar asnjë mundësie për formim të qeverisë së re.

Vetëm LVV-ja është opozitë

Profesori Sulejman Mehazi për “Bota sot” ka thënë se, momentalisht veç LVV dhe PDK kanë mbetur në opozitë.

Image
Sulejman Mehazi

“Momentalisht përveç LVV, opozitë e vërtetë në Kosovë ka mbetur PDK-ja, megjithatë, deklarata e Kadri Veselin na detyron, të dyshojmë, që para disa ditëve tha, se nëse ne si parti i bëjmë 61 deputetë mund të kërkojmë mocion për mos besimin e Qeverisë së Hotit, nëse jo do mbetemi në opozitë. Nëse deklaratat e PDK-së janë të sinqerta se me të vërtetë do mbeten në opozitë atëherë gjatë Zgjedhjeve të ardhshme Parlamentare së bashku me LVV-në mund të bëhen parti bartëse për të qeverisur vendin”, thotë Mehazi.

Sipas tij, duke parë se PDK-ja më shumë është parti e Thaçit sesa e Kadri Veselit kjo na jep të dyshojmë, se PDK-ja më shumë është e afërt me LDK e AAK-në sesa me LVV-në e Albin Kurtit.

“Mirëpo, duke parë se PDK-ja më shumë është parti e Thaçit sesa e Kadri Veselit kjo na jep të dyshojmë, se PDK-ja më shumë është e afërt me LDK e AAK-në sesa me LVV-në e Albin Kurtit. Kjo u pa me mocionin kundër Qeverisë së Kurtit që votoi e doli në anën e LDK-së. PDK-ja e Kadri Veselit më shumë e ka kuptimin e Qeverisë alternative të Hotit sesa të partisë opozitare, më shumë anon kah Thaçi e LDK-ja sesa nga LVV-ja e Albin Kurtit”, thekson tutje Mehazi.

Profesor Mehazi shton se, PDK-ja nuk mund ta përballojë mbetjen në opozitë, për shkak se është mësuar përherë në pozitat shtetërore.

“Pra, PDK-ja e Kadri Veselit është rezervë qeveritare që për shkak përkeqësimit të dialog me Serbinë të zë vendin e Listës serbe në Qeverinë e Hotit. PDK-ja nuk mund ta përballojë mbetjen në opozitë, për shkak se është mësuar përherë në pozitat shtetërore. Pra, PDK-ja është më shumë opozitë e qëllimshme dhe e përkohshme për të zëvendësuar deputetet e Listës serbe për shkak përkeqësimit të dialogut me Serbinë”, përfundon ai.

Burjani: PDK-ja e heshtur

Ndërsa njohësi i çështjeve politike në vend Blerim Bujrani, për “Bota sot” ka thënë se, PDK është shumë e heshtur dhe pasive.

Image
Blerim Bujrani

“Shumë të heshtura, pasive, të pa interesuar për shkak të imazhit të rënduar publik të kësaj partie vërehet një lloj pensionimi i kësaj partie nga aktivitetet politike, megjithatë kjo parti duhet të bashkëpunoj me pozitën për dialog teknik me Serbinë, kjo parti nuk mund të mbetet anash”, thotë ai.

Ai shprehet se, pavarësisht, ndikimi i kësaj partie është i rëndësishëm për dialog kur dihet që presidenti është njeri i tyre.

“Ndikimi i kësaj partie është i rëndësishëm për dialog kur dihet që presidenti është njeri i tyre dhe lider nën hije i cili formalisht tash gati pesë vjet ushtron punën si president i shtetit, pra ka hequr rrobat partiake dhe tash ka rrobat tjera të presidentit”, përfundon Bujrani.

Duhanaj: Veseli krijoi standarde në PDK

Kurse, Leon Duhanaj për “Bota sot” ka thënë se, që nga ardhja e z. Kadri Veseli në krye të PDK-së, ndoshta partia ka qenë më pak dinamike në disa aspekte, por, është vërejtur një qasje e re në modelin e politikbërjes.

Image
Leon Duhanaj

“Z. Veseli që nga ardhja e tij, ka filluar t'i krijoj disa standarde: Ishte vendimi për të mos kandiduar njerëz që janë nën akuza, përkatësisht tërheqja e ministrave nga postet qeveritare. Po ashtu është munduar që edhe në strukturat vendimmarrëse të partisë të mos marrin rol individ që përballën me akuza”.

Më tej ai, si standard tjetër e cilëson edhe qëndrimi i çartë i PDK-së karshi formimit të qeverisë. Z. Veseli, në ditën e zgjedhjeve të 6 tetorit kur në mbrëmje u kuptuan rezultatet e zgjedhjeve

“Një standard tjetër ishte poashtu qëndrimi i çartë i PDK-së karshi formimit të qeverisë. Z. Veseli, në ditën e zgjedhjeve të 6 tetorit kur në mbrëmje u kuptuan rezultatet e zgjedhjeve, doli me një qëndrim të shkurtë dhe të çartë duke thënë se PDK e pranon rezultatin e zgjedhjeve gjegjësisht verdiktin e popullit dhe se PDK do të shkoj në opozitë. Ketë qëndrim e ka mbajtur pa u lëkundur gjerë me tani, edhe përkundër faktit se nga data 6 tetor e deri sot kanë ndodhur shumë fiskultura dhe shumë ndryshime politike edhe duke rrëzuar dhe ndërruar qeverinë”, shprehet Duhanaj.

Ai këtë qasje të tyre e konsideron konstruktive dhe kalkulim i çartë politik

“Për mendimin tim, kjo është një qasje konstruktive dhe kalkulim i çartë politik. Mbetet të shihet se sa z. Veseli do të jetë në gjendje të mbaj PDK-në në kursin politik që ai e synon dhe proklamon. Ndoshta, si çdokënd tjetër edhe në PDK ka fraksione që ngrehin qoftë anash, qoftë edhe mbrapa, megjithatë unë kam besim që z. Veseli do ta drejtojë partinë drejtë sukseseve në të ardhmen”, përfundon Duhanaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat