Edi Rama në Prishtinë: Si “pajtimtar” apo si ngatërrestar?!

Politika

Edi Rama në Prishtinë: Si “pajtimtar” apo si ngatërrestar?!

Prof. Dr. Enver Bytyçi Nga Prof. Dr. Enver Bytyçi Më 29 qershor 2020 Në ora: 22:52
Avdullah Hoti dhe Edi Rama

Sot dhe nesër Edi Rama është në Prishtinë. Pasi marsin e këtij viti injoroi një letër të homologut të tij, Albin Kurti, për një takim midis tyre për përballimin e pandemisë, një akt-akuzë ndaj Hashim Thaçit e çoi atë në Kosovë. Po çfarë kërkon kryeministri shqiptar ngatërrestar dhe përçarës i Kosovës në Prishtinë?! As më shumë, as më pak: Ta përçajë edhe më tej skenën politike të saj, duke kërkuar që trashëgimia e Hashim Thaçit të ruhet me çdo kusht! Madje që të harmonizojë veprimet për zhbërjen e Gjykatës Speciale. Trashëgimia e Thaçit në presidencën dhe qeverinë e Kosovës është gjithashtu trashëgimi e bashkëpunimit të ngushtë 7 vjeçar në trekëndëshin Vuçiç-Rama-Thaçi dhe e rehabilitimit të Serbisë për t’u shfajësuar nga krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit ndaj shqiptarëve.

Vuçiç është një kriminel lufte njëmijë herë më i dëshmuar dhe më i rrezikshëm se Thaçi, sepse presidenti i sotëm i Serbisë ka luftuar me armë kundër popujve jo-serbë e njëkohësisht ka pasur post ministri në qeverinë e luftës të Milosheviçit. Por Vuçiç sot në sytë e Europës dhe SHBA-ve nuk është kriminel lufte. I tillë është shpallur homologu i tij në Prishtinë, Hashim Thaçi. Për këtë arsye Thaçi dhe Rama, si dhe gramafoni i tyre, Zhuti, nëse e thërrasim me nofkën e UDB-së Baton Haxhiun, po bërtasin me të madhe se “Beogradin e ka zënë për gryke autokrati Vuçiç”! Rama ka shpreh çudi se si viktima (Kosova, Thaçi) po gjykohet, ndërsa agresori (Vuçiç, Serbia) po viktimizohen. Ndërkaq janë këto personazhe shqiptare që e rehabilituan kriminelin Vuçiç, me shpresën se do t’i shpëtojnë ndëshkimit për akuzat e ngritura kundër Thaçit dhe se do të garantojnë pa limit vazhdimësinë e pushtetit!

Por ndodhi e papritura: Vuçiç u rikonfirmua me mbi 70 përqind të votave në pushtetin e Beogradit, ndërsa sivëllai i dytë i tij, Thaçi, duhet ta lerë pushtetin. U thye miti se “Nëse ikin, do të ikin të tre bashkë” (Vuçiç-Rama dhe Thaçi)! Megjithatë Rama do ta luajë deri në fund rolin e urës lidhëse me Beogradin dhe të ngritjes së mureve me Prishtinën. Do të kërkojë në Prishtinë që të gjendet një zgjidhje, e cila garanton pushtetin e Thaçit pa Hashim Thaçin! Ose do të përpiqet që ta shpëtojë mikun e tij Thaçi, duke nxit abrogimin e nenit kushtetues të ngritjes së Gjykaës Speciale të Kosovës. Një gjë është e sigurt: Rama do ta përçajë edhe më tej skenën politike të Kosovës! Do të nxit konflikt në Kosovë sipas skemës “Akuza ndaj Thaçit është akuzë ndaj UÇK-së si dhe ndaj Kosovës”, duke dashur ta njësojë mikun e tij në Prishtinë me vetë Kosovën, sepse të njëjtin delir vuan edhe ai vetë. Do të thotë se “s’ka shtëpi të verdhë” dhe as “tregëti me organet e serbëve”, dy akuza që me kohë kanë rënë, sepse ishin dhe mbeten sajesa të mikut të kryeministrit shqiptar dhe presidentit kosovar, pra të presidentit serb, Vuçiç.

Edi Rama është personazhi shqiptar që në çdo kohë, gjatë së paku shtatë viteve të fundit ka punuar me skenar e regji të caktuar për ta “integruar Serbinë në Bashkimin Europian”, për “t’i dhënë lidershipin në Ballkan”, për ta rehabilituar për krimet e luftës dhe për ta përçarë faktorin politik në Kosovë! Ndërkaq Hashim Thaçi e shpalli kudo nëpër botë “miqësinë e ngushtë me Aleksandër Vuçiç”! Të dy këta punuan aq shumë për ta realizuar projektin e Beograit për ndryshimin e kufijve midis Serbisë dhe Kosovës, apo thënë ndryshe për ndarjen e Kosovës. Tani ankohen se ndëshkohen viktimat dhe rehabilitohen agresorët!!!

Le ta ilustrojmë këtë arsyetim me shembuj dhe fakte konkrete:

Miqësinë e Edi Ramës me Serbinë e inauguroi çelësi i qytetit të Tiranës në duart e Goran Bregoviç.

Ardhja në pushtet e Edi Ramës pati si nisje marrëveshjen e 1 prillit 2013 të bekuar nga ish-presidenti i Serbisë, Boris Tadiç.

Si shpërblim, për herë të parë pas 28 qershorit 1948, Edi Rama e shpalli Serbinë partner strategjik në Ballkan dhe në çdo paraqitje para autoriteteve evropiane u dha atyre të kuptojnë se “Ballkani dhe stabiliteti i tij bazohen në miqësinë e ngushtë e të pandashme me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç”! Kudo ku shkoi e prezantoi liderin serb të Beogradit si person “me të cilin merret vesh”, me të cilin “ka një gjuhë të përbashkët”, me të cilin “do të zgjidhnin konfliktin shqiptaro-serb” dhe “do të linin pas të kaluarën”! Ndodhi absurdi: Çmimi i kësaj veprimtarie ishte ndryshimi i kufijve që do të thoshte destabilizimi i paqes dhe sigurisë në Ballkan në dobi të Serbisë dhe Rusisë.

Si të mos mjaftonte kjo, Edi Rama u përpoq të rehabilitojë jo vetëm lidershipin serb të dekadës së dytë të këtij shekulli, por edhe emra dhe figura antishqiptare historike e aktuale të kulturës dhe historisë serbe. Në fjalimet e tij gjatë vizitave në Nish e Beograd kryeministri shqiptar ngriti lart figurën e shkrimtarit, diplomatit dhe politikanit antishqiptar të kohës së Hitlerit, Ivo Andriç, i cili njihet për elaborimet e tij për asgjësimin fizik të elementit shqiptar në ish-Jugosllavi e Serbi. Ngriti lart me simpati të shpallur publikisht Emir Kosturicën, një regjisor filmash që i shërbeu regjimit të Milosheviçit edhe gjatë fushatës së tij për asgjësimin fizik dhe zhdukjen e shqiptarëve. Po kështu i dha çelësin e Tiranës një këngëtari, si Bregoviç, i cili thurte këngë gjithashtu për Milosheviçin.

Edi Rama e takoi dhjetra herë presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe ndërmori bashkë me të iniciativa të shumta, nga ajo për krijimin e Jugosllavisë së Re deri te minishengeni i nëntor-dhjetorit të vitit të kaluar. Të gjitha këto iniciativa rajonale shërbyen për rehabilitimin e Serbisë në sytë e komunitetit ndërkombëtar, për ta shpallë atë si shtet dhe vend bashkëpunues, të përkushtuar për paqen, ndërkohë që Beogradi vijoi pandërprerë diversionin dhe provokimin e tij kundër Prishtinës për zhbërjen e shtetit më të ri në Europë. Në asnjë rast në këto takime e veprimtari të përbashkëta Edi Rama nuk i kërkoi mikut të tij serb, Vuçiç, që ai të shprehë ndjesën e tij për krimet e Milosheviçit dhe qeverisë pjesë e së cilës ishte kreu i shtetit të sotëm serb, në Kosovë. Eshtë Edi Rama ai që në asnjë rast nuk pranoi t’u përgjigjet pyetjeve të gazetarëve për krimet serbe në Kosovë, madje i kërcënoi dhe u tall me ta duke u shprehur “Ato i takojnë së kaluarës”! E njëjta gjuhë që përdor ende sot këshilltari i tij, Baton Haxhiu.

Ndërsa presidenti i Serbisë nuk ndjehet, Edi Rama sot në Prishtinë e shpalli akt-akuzën kundër Hashim Thaçit si njollë të turpshme të drejtësisë në shekullin e XXI. Në Begrad edhe shtypi dhe mediet serbe thuajse po heshtin rreth aktakuzës së GJS ndaj presidentit të Kosovës. Kurse në Prishtinë Edi Rama duket se po përpiqet të përgatitë kushtet për zhbërjen e Gjykatës Speciale e cila ka ngritur akuzë kundër Hashim Thaçit. Në vitin 2017 u bë një përpjekje e tillë dhe askohoke Delawie, ish- ambasador i SHBA-ve në Kosovë, e konsideroi aktin e tillë si të turpshëm. Por sot Edi Rama dhe Hashim Thaçi duket se po përkushtohen për asgjësimin e kësaj gjykate, si mundësi e vetme për ta shpëtuar nga ndëshkimi presidentin e Kosovës.

Edi Rama nuk shkoi sot në Prishtinë për ta mbrojtur Kosovën nga Serbia. Por për ta mbrojtur Hashim Thaçin nga vendimi i Gjykatës Speciale në Hagë. Fati i Hashim Thaçit është për Edi Ramën shumë më i rëndësishëm sesa fati i Kosovës. Ndërsa fatin e Kosovës e vendosi në kasaphanën serbe të Beogradit, Edi Rama nuk dëshiron që fatin e Hashimit ta lëshojë në duart e Gjykatës Speciale në Hagë. Ky është shërbimi i fundit që të dy këta po ia bëjnë Beogradit dhe Moskës. Me këtë shërbim ata armiqësojnë shtetet e Perendimit me Kosovën dhe shqiptarët, e njëkohësisht realizojnë skenarin e Serbisë dhe të Rusisë për përçarjen e faktorit politik shqiptar në Prishtinë, Tiranë, Shkup, Podgoricë e Luginën e Preshevës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat