Kosova ka dy mundësi në Washington, Zogaj: S’ka rrugë tjetër

Politika

Kosova ka dy mundësi në Washington, Zogaj: S’ka rrugë tjetër

Nga: G.B Më: 3 korrik 2020 Në ora: 15:12
Avdullah Hoti

Takimi i 27 qershorit në Washington ku do të diskutohej për dialogun Kosovë-Serbi, dështoi për shkak të aktakuzës nga Gjykata Speciale për presidentin Hashim Thaçi dhe liderin e PDK-së, Kadri Veseli.

E në takim për shkak të gjendjes nuk shkoi as kryeministri Avdullah Hoti, i cili tani ka deklaruar se ai do ta përfaqësojë Kosovën në dialog dhe se së shpejti do të udhëtojë drejtë Washingtonit.

Lidhur me këtë, njohësi i çështjeve politike, Skënder Zogaj, ka thënë për gazetën “Bota sot” se problemi madhor për Kosovën është përpjekja për arritjen e marrëveshjes me njohje reciproke.

Image
Skënder Zogaj

“Kryeministrat gjithkund dhe gjithmonë janë të ngarkuar me përgjegjësinë që të merren me problemet më të mëdha të vendit të tyre. Aktualisht, problemi më madhor për Kosovën është përpjekja për arritjen e marrëveshjes për njohjen reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, është shprehur ai.

Sipas Zogajt, për këtë problem janë dy mënyra, forca ose diplomacia dhe Hoti duhet të zgjedh në mes të diplomacisë ose sipas tij, le ta merr një prraçkë llastiku dhe të del në krye të protestave të paralajmëruara kundër Washingtonit, Brukselit, Hagës.

“Për zgjidhjen e këtij problemi janë vetëm dy mënyra: forca ose diplomacia, pra, arma ose fjala! Kryeministri Avdullah Hoti duhet të zgjedh: bisedime që po na i preferon kryediplomacia botërore, ose të merr një prraçkë llastiku dhe të del në krye të protestave të paralajmëruara kundër Washingtonit, Brukselit, Hagës. Nuk ka rrugë tjetër të tretë dhe ky është fat i madh, sepse çdo rrugë tjetër na shpie në vitin 1998 dhe tek ekzodi i një milion njerëzve”, ka vlerësuar Zogaj.

Ai thotë se Kosova ka nevojë të kurorëzojë shtetin dhe për këtë Hoti duhet t’i vazhdojë bisedime, me 3 qëndrime: Gjithçka në pajtim me Kushtetutën e Kosovës; Nuk ka ndryshim të kufijve; Njohje reciproke me garanci ndërkombëtare për zbatimi e marrëveshjes.

“Kosova ka nevojë për kurorëzimin e shtetit dhe vetëm të shtetit, pa të cilin gjithçka tjetër është pamundur të bëhet. Prandaj Kryeministri Hoti duhet të vazhdojë bisedimet por me njëqind palë mend, dhe me 3 qëndrime e proklamuara: Gjithçka në pajtim me Kushtetutën e Kosovës; Nuk ka ndryshim të kufijve; Njohje reciproke me garanci ndërkombëtare për zbatimi e marrëveshjes! Me këtë qëndrim kushdo qoftë i lejohet dialogu dhe, ata që po shprehen ndryshe, ose janë të verbër ose shtihen si të verbër, për hesape të qoftë largëve që na kanë hy në shtëpi”, ka deklaruar Skënder Zogaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat