Dialogu duhet të vazhdojë edhe pa Thaçin!

Politika

Dialogu duhet të vazhdojë edhe pa Thaçin!

Bastrije Fazliu Nga Bastrije Fazliu Më 3 korrik 2020 Në ora: 17:33
Richard Grenell, Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiq

Dialogu Kosovë –Serbi është pritur që të ndodh më 27 qershor në Washington. Por dihet se është anuluar, e kjo ka ndodhur pasi që Zyra e Prokurorit special në Hagë ka paraqitur aktakuzë me dhjetë pika  për krime lufte kundër Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe Kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës Kadri Veseli.

E Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi përmes një video mesazhi drejtuar qytetarëve është shprehur se në momentin që do t’i konfirmohej aktakuza, do të jap dorëheqje.

Në lidhje me këtë temë njohësit e çështjeve politike kanë mendime të ndryshme rreth çështjes së Presidentit Thaçi.

Burjani: Dialogu duhet të vazhdojë

Njohësi i çështjeve politike, Blerim Burjani në bashkëbisedim me “Bota sot” u shpreh se Thaçi duhet të vazhdoj punën deri në ditën kur do t’i konfirmohet aktakuza.

Image
Blerim Burjani

“Dialogu duhet të vazhdoj me një tempo të re dhe përfundimtare, deri në konfirmim të akuzës z.Thaçin nuk e ndal asgjë të marr pjesë në dialog, pra ai duhet të vazhdoj të punoj deri në ditën kur do t’i konfirmohet aktakuza”.

Tutje Burjani shton se kur mund të ndodhë takimi i radhës.

“Besoj se 10 korriku do të jetë data kur do të ndodh takimi i radhës në Washington”,është shprehur ai.

Mehmeti: Kosova nuk guxon të shkoj në bisedime pa u larguar Thaçi

Image
Faton Mehmeti

Analisti i çështjeve politike, Faton Mehmeti në bashkëbisedim me “Bota sot” potencon  se, Thaçi duhet ta liroj zyrën e presidentit sa ma parë.

“Për të mirën e Kosovës dhe nëse dëshiron që Kosova të vazhdoj tutje, Thaçi duhet me çdo kusht ta liroj zyrën e presidentit të vendit. Derisa Thaçi është në atë zyre Kosova do të prolongohet në proceset e rëndësishme që e presin. Kosova duhet të formoj një delegacion përtej qeverisë me të gjitha partitë politike, intelektualët, shoqërinë civile, akademinë e shkencave etj, për të qenë zë i vetëm në këtë proces jetik për të”, thotë ai.

Tutje Mehmeti shton se Kosova nuk guxon të vazhdoj  bisedimet pa u largu Thaçi.

“Bisedimet me Serbinë nuk duhet të jenë pronë e një individi pasi po bisedohet për fatin e Kosovës dhe të ardhmes së saj. Thaçi duhet të hap rrugë ndryshe prezenca e tij në postin e presidentit vetëm i bën dëm Kosovës e cila është në disavantazh me Serbinë. Me Thaçin me aktakuzë, Serbia përfiton shumë prandaj Kosova nuk guxon të vazhdoj bisedimet pa u larguar Thaçi”, përfundoi Mehmeti.

Tahiri: Dialogu Kosovë dhe Serbi duhet të vazhdoj

Image
Ramush Tahiri

Analisti i çështjeve politike Ramush Tahiri, në bashkëbisedim me “Bota sot” shprehet se pavarësisht që Presidenti Thaçi apo cilido tjetër funksionar i Kosovës nuk mund të marr pjesë, dialogu duhet të vazhdoj.

“Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të vazhdoj pavarësisht se Presidenti Thaçi apo cilido tjetër funksionar i Kosovës për cilëndo arsye nuk mund të marrë pjesë ose thjeshtë nga fakti se dikush nuk dëshiron të marrë pjesë në dialog”, tha ai.

Tutje Tahiri shprehet se Kosova asnjëherë nuk mund të humbas asnjë gjë në bisedime përderisa ato janë të vullnetshme dhe të paimponuara.

“Kosova si shtet e ka për obligim të sillet si një subjekt i përgjithshëm ndërkombëtar që respekton parime dhe konventa ndërkombëtare që dialogun me të gjithë e mbanë të hapur dhe që vetëm përmes bisedimeve të drejtpërdrejta por edhe të ndërmjetësuara nga BE dhe SHBA synon t’i zgjidh të gjitha çështjet si dhe mos marrëveshjet .Kosova asnjëherë nuk mund të humbas asnjë gjë në lidhje  me bisedimet, përderisa ato janë të vullnetshme dhe të paimponuara si dhe respekton ligjet dhe Kushtetutën e saj”, përfundoi Tahiri për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat