Një moskoordinim mes BE-së dhe SHBA-së, mund të ndikojë në marrëveshjen finale Kosovë-Serbi?

Politika

Një moskoordinim mes BE-së dhe SHBA-së, mund të ndikojë në marrëveshjen finale Kosovë-Serbi?

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 3 korrik 2020 Në ora: 21:46
Grenell, Thaçi, O

Një takim më 27 qershor ishte paraparë në Uashington ndërmjet palës së Kosovës dhe asaj të Serbisë, të iniciuar nga diplomati amerikan, Richard Grenell. Mirëpo, një aktakuzë e përfolur nga Prokurori Special ndaj Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe kreut të PDK-së, Kadri Veselit, bëri që Thaçi të anuloj pjesëmarrjen e tij në këtë takim. E pas tij edhe kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti hoqi dorë nga ky takim.

Për këtë takim që mendohej të mbahej rreth një javë më parë, kishin reaguar edhe zyrtarë nga Bashkimi Evropian. Ata kërkonin që të pjesë e këtij takimi dhe çfarëdo marrëveshje që mund të arrihej të ishte edhe në dijeni të tyre.

Me gjithë moskordinimet ndërmjet SHBA-së dhe BE-së për një marrëveshje të mundshme ndërmjet dy vendeve, Kosovës dhe Serbisë, ende nuk dihet se kur dhe ku mund të mbahet takimi radhës. Madje as nuk u bë e ditur se për çfarë do të flitej në takimin e Uashingtonit.

Por ky moskordinim ndërmjet të dyja palëve BE dhe SHBA a mund të ndikoj në marrëveshjen finale?

Njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare thonë se derisa SHBA dhe BE-ja nuk dakordohen, kjo mund të ndikoj në marrëveshjen finale Kosovë-Serbi. Kështu, profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Afrim Hoti thotë se SHBA-ja është vendi i vetëm që ka forcën për ta zgjidhur problemin.

Image
Afrim Hoti

“Gjithsesi se po. BE dhe SHBA janë dy anë të së njëjtës medalje. BE është struktura formale ku KS dhe SR duan të shkojnë porse fatkeqësisht nuk kanë pasur as nuk kanë fuqinë për t’i dhënë epilog problemit. SHBA është vend sovran që ka pasur dhe është vendi i vetëm që ka forcen për ta zgjidhur problemin. E mira e punës është që të dyja të ishin bashkë ndërkohë që çdo moskoordinim i të dyjave do të ketë ndikim direkt në marrëveshjen finale”, vlerëson profesori Hoti për “Bota sot”.

Murtezaj: Të koordinohen BE dhe SHBA

Image
Valon Murtezaj

Ndërkaq, profesori ndërkombëtar në Paris, Valon Murtezaj thotë për ‘Bota sot’ se BE dhe SHBA e kanë kapacitetin të koordinohen në mënyrë që zgjidhjet të jenë në harmoni me interesat dhe standardet evropiane dhe euroatlantike.

“Në fazat vendimtare të çfarëdo procesi për Kosovën, BE dhe SHBA kanë kapacitetin të koordinohen ndërmjet vete, në mënyrë që zgjidhjet të jenë në harmoni me interesat dhe standardet evropiane dhe euroatlantike”, vlerëson profesor Murtezaj.

Bytyçi: Të harmonizohen qëndrimet SHBA-BE

Image
Enver Bytyçi

Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Enver Bytyci thotë se Kosova është produkt i vullnetit politik të SHBA-ve dhe Europës. Shtetësia e saj është një kontribut i ish-sekretares së Shtetit Amerikan, Madlain Olbright për të harmonizuar qëndrimet e SHBA-ve me ato të vendeve të Evropës. Shtetësia e Kosovës është sintezë e qëndrimeve pro-shqiptare të disa Fuqive të Mëdha, veçmas të SHBA-ve, Gjermanisë dhe Britanisë së Madhe!

Sipas tij një moskordinim ndërmjet të dyja këtyre vendeve e dëmton interesin kombëtar të shqiptarëve, qoftë në Kosovë, Shqipëri, apo kudo që janë.

“Moskoordinimi i këtyre vendeve në çështjet shqiptare, përfshirë dialogun dhe një marrëveshje të mundshme midis Kosovës dhe Serbisë, ndikon dhe e dëmton interesin kombëtar të shqiptarëve në Kosovë, në Shqipëri dhe kudo që janë, në Ballkan e jashtë Ballkanit. Por duhet ta themi me zë të lartë, se edhe në rast se SHBA e BE nuk koordinohen në rastin e dialogut Prishtinë-Beograd, dëmi më i madh nuk vjen nga ky moskoordinim. Dëmi vjen prej atyre politikanëve dhe liderëve shqiptarë, të cilët shfrytëzojnë këtë dobësi të bashkëpunimit perëndimor për të realizuar interesat okulte personale me këtë rast”, vlerëson Bytyçi.

Tutje, profesor Bytyҫi thotë se ideja dhe aktiviteti për ndryshimin e kufijve nuk erdhën nga moskoordinimi midis Uashingtonit, Berlinit e Londrës. Ajo u përcoll nga dy liderët më të fuqishëm të kohës në hapësirën shqiptare, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Ndaj askush nuk ka të drejtë të ankohet për ish-këshilltarin e Sigurisë Kombëtare të presidentit Trump, John Bolton dhe ish-zëdhënësin e Bolton, Richard Grenell.

“Derisa kryeministri i Shqipërisë dhe presidenti i Kosovës u paraqitën vullnetarisht te Bolton për të biseduar dhe implementuar një marrëveshje me Serbinë për shkëmbim territoresh, atëherë nuk ka asnjë arsye që të fajësohet ish-këshilltari i Sigurisë Amerikane Kombëtare për këtë projekt. E përmenda këtë fakt me qëllim që politika shqiptare në përgjithësi, sidomos ajo e Kosovës, të mos fshihet pas grindjeve midis Amerikës dhe Europës. Liderët politikë e kanë për detyrë të ndërtojnë strategjinë e tyre të sjelljes dhe marrëdhënieve të ekuilibruara edhe në këto raste. Më së paku ata duhet të jenë unikë në qëndrimet e tyre. Nëse Rama dhe Thaçi bëjnë thirrje për qëndrim të përbashkët të faktorit shqiptar në mbështetje të projektit serb të ndarjes së Kosovës ose kur ata ndjehen ngushtë për veten e tyre, ky kjo nuk është thirrje për bashkim në dobi të interesave të vendit. Në këtë rast grindjet shtohen”, vlerëson ai.

Tutje ai thotë se politika në Prishtinë u pozicionua pro dhe kundër Amerikës ose Europës në rastin e dialogut dhe angazhimit të Thaçit për firmosjen e një marrëveshjeje që parashikon ndyshimin e kufijve dhe zhbërjen e Gjykatës Speciale.

“Në dorën tonë me kë të bashkëpunojmë”

“Thaçi sulmoi me artileri të rëndë Europën dhe sidomos Gjermaninë e Mbretërinë e Bashkuar. Kurti si kundërpeshë gaboi kur adresoi hartat në Shtëpinë e Bardhë, jo se nuk ishte e vërtetë kjo, por se Shtëpia e Bardhë dhe Amerika nuk mund të ishte Bolton ose Grenell. Kam shkruar vazhdimisht se për ne shqiptarët mund të ekzistojnë dhe dy Amerika, një Amerikë, e cila e mbron interesin shqiptar dhe një tjetër që mbron interesin serb. Është në dorën tonë me kë bashkëpunojmë. Thaçi, Rama dhe disa tjerë bashkëpunuan dhe bashkëpunojnë me Amerikën "proserbe"! Haradinaj bashkëpunoi me Amerikën pro-shqiptare. Këtij ekziston dallimi dhe prej kësaj rrejdh e gjithë problematika që ne vuajmë. Nuk buron e keqja asund tjetër, përveçse te ne shqiptarët”, thotë ai.

Profesor Bytyҫi përmend edhe vizitën e Ramës në Kosovë kur ai tha se ‘shqiptarët janë pikërisht ashtu si i do hasmi’. Ai thotë më tutje se ka rëndësi që politikanët shqiptarë të jenë të përgjegjshëm, të bëjnë politikë properendimore pa anuar dhe pa cenuar as marrëdhëniet me Europën, as marrëdhëniet me SHBA-të.

“Në vizitën e tij zoti Rama, duke perifrazuar Fishtën, tha se "shqiptarët janë pikërisht ashtu si i do hasmi". Por ai nuk guxon të artikulojë si Fishta se kush qenka hasmi i shqiptarëve. E kërkoi "hasmin" në anglisht, kur në fakt ai flet serbisht e rusisht. Dhe nuk mund ta emërtojë, sepse vetë është bashkëpunëtor i hasmit të shqiptarëve. Është kollaj të perifrazosh të madhin Gjergj Fishta, por është shumë vështirë dhe për Edi Ramën e Hashim Thaçin krejt e pamundur, të jesh si ai. Sepse fjala, mendimi dhe vepra e Fishtës ishin të unifikuar në një, ndërsa fjala dhe vepra e Edi Ramës dhe Hashim Thaçit është e ndarë me mur betoni. Prandaj ka rëndësi që politikanët shqiptarë të jenë të përgjegjshëm, të bëjnë politikë properendimore pa anuar dhe pa cenuar as marrëdhëniet me Evropën, as marrëdhëniet me SHBA-të. Në këtë rast ata imponojnë respekt si dhe bashkëpunim midis këtyre dy aktorëve dhe faktorëve perëndimorë. Sa më shumë mirëkuptim dhe bashkëpunim për çështjen e Kosovës dhe atë shqiptare midis këtyre dy kontinenteve, aq më mirë për Kosovën dhe për shqiptarët”, thekson profesori Enver Bytyçi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat