Mos ia ngulni thikën pas shpinës Amerikës!

Politika

Mos ia ngulni thikën pas shpinës Amerikës!

Nga: N.Sh Më: 4 korrik 2020 Në ora: 13:46
Gjykata Speciale

Më 9 korrik do të organizohet një protestë e thirrur nga OVL-UÇK-ja, pas propozim aktakuzës nga Gjykata Speciale e Hagës për presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin dhe kreun e PDK-së, Kadri Veselin.

Madje këto organizatat e dala nga lufta, së shpejti do të nisin edhe një peticion për zhbërjen e Gjykatës Speciale.

Kosova e pat filluar edhe njëherë një iniciativë për të zhbë Gjykatën Speciale, mirëpo kjo ishte cilësuar si thikë pas shpinës për Amerikën.

Image
Gazmend Halilaj

Edhe avokati nga Drenasi, Gazmend Halilaj po e vlerëson të tillë nisjen për Gjykatën Speciale.

Madje, ai thotë se as që guxon të mendohet një gjë e tillë.

Halilaj për gazetën “Bota sot” e ka përmendur raportin e Departamentit Amerikan të vitit 2017, që është deklaruar për këtë çështje.

“Kush guxoj ta zhbëj Gjykatën Speciale, pasi kemi miliarda dollarë dhe 20 vite kohë që janë investu në Kosovë”, thekson Halilaj.

Avokati përmend edhe anën tjetër, pra qindra njerëz të vrarë, që sipas tij s’ka logjikë zhbërja e Speciales.

“Shikoni raportin e Departamentit Amerikan në vitin 2017, ku u mor nisma për zhbërjen e Gjykatës Speciale, që DASH tha që tendenca për zhbërjen e Speciales është thikë pas shpine për Amerikën. Pra, nëse zhbëhet Gjykata Speciale, atëherë do të formohet Tribunal Ndërkombëtar me prokuror dhe gjyqtar nga të gjitha shtetet përfshirë Rusinë dhe Kinën”, potencon tutje avokati Halilaj.

Ai si përfundim kërkon që kur të flasin për Specialën mos të mendojnë që po flasin për Gjykatën Themelore në Prishtinë Dega e Skenderajt.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, të cilët i akuzon për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Në aktakuzë pretendohet se Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të dyshuar të tjerë janë penalisht përgjegjës për afro 100 vrasje të paligjshme.

Krimet e paraqitura në aktakuzë përfshijnë qindra viktima të identifikuara shqiptarë, serbë dhe romë të Kosovës dhe kundërshtarë politikë.

Njoftimin për aktakuzë prokurori i specializuar deklaron se e ka publikuar pas përpjekjeve për pengimin dhe sabotimin e punës së Dhomave të Specializuara.

Ndonëse Gjykata Speciale ishte miratuar më 3 gusht të vitit 2015 përpjekjet e para për zhbërjen e saj kishin filluar në dhjetor të vitit 2017.

Me iniciativën e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, shumë qytetarë, por edhe ish-pjesëtarë të UÇK-së kishin nisur të nënshkruajnë një peticion ku kërkohej ndryshimi i Ligjit për Gjykatën Speciale.

Më 22 dhjetor 2017, Kryesia e Kuvendit të Kosovës kishte dështuar për herë të dytë që të sigurojë kuorumin për shqyrtimin e kërkesës së 43 deputetëve nënshkrues, me të cilën kërkohej seancë e jashtëzakonshme për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale.

Nisma për revokimin e Ligjit mbështetej nga partitë e koalicionit qeverisës të vendit – PDK, AAK dhe Nisma Socialdemokrate.

Propozimi për shfuqizimin e Gjykatës Speciale kishte ngjallur reagime të ashpra të ambasadorëve të vendeve të Quintit.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë në atë kohë, Greg Delaëie, e kishte cilësuar këtë veprim si “ngulje e thikës pas shpinës ndaj Amerikës”.

Ndërkaq, ambasadori i Britanisë së Madhe i asaj kohe, Ruairi O’Connell, e ka quajtur mbrëmjen e 22 dhjetorit, si “nata më e rrezikshme për Kosovën që nga përfundimi i luftës”.

Më 6 mars 2020 ishin publikuar disa letra që tregonin tentativën e presidentit për të penguar punën e Speciales.

Komunikimi ishte bërë në nëntor të vitit të kaluar, ku presidenti i vendit, Hashim Thaçi i kishte dërguar një letër Sekretarit të amerikan të Shtetit, Mike Pompeo në të cilën Thaçi ka shprehur shqetësimet e tij lidhur me Gjykatën në Hagë, duke shtuar që “Qeveria amerikane duhet urgjentisht të marrë parasysh që reformat kritike janë ndërmarrë para se gjërat të zhvillohen me tutje”.

“Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe donatorët tjerë kanë ofruar mjete domethënëse për zhvillimin e kësaj infrastrukture fizike të Gjykatës në Hagë”, ka shkruar Thaçi në letrën dërguar Sekretarit Pompeo.

Ndaj letrës së Thaçit, Pompeo është përgjigjur duke thënë që “heqja ose dëmtimi i strukturës së punës ose lokacionit të Dhomave të Veçanta ose Prokurorisë së Specializuar, në çfarëdo mënyre, do ta dëmtonin seriozisht kredibilitetin dhe reputacionin ndërkombëtar të Kosovës”.

“Puna e Dhomave të Veçanta në formatin aktual është mënyra më e mirë që Kosova ta mbyllë këtë kapitull në historinë e saj”, thuhet ndër të tjera në përgjigjen e sekretarit Pompeo, autenticitetin e të cilës e kishte konfirmuar Zyra e presidentit të Kosovës.

Gjykata Speciale ishte miratuar më 3 gusht të vitit 2015 në Kuvendin e Kosovës, pas kërkesave të shumta nga ndërkombëtarët.

Me 82 vota për, 5 kundër dhe 1 abstenim, deputetët e asaj legjislature i kishin votuar ndryshimet e nevojshme kushtetuese të cilat i kishin hapur rrugë themelimit të kësaj gjykate të kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare.

Në atë kohë, kryeministër kishte qenë Isa Mustafa, ndërsa zëvendëskryeministër Hashim Thaçi. Ky i fundit kishte qenë shumë i zëshëm në mbështetjen e krijimit të kësaj Gjykate.

Gjykata Speciale për Kosovën në përbërjen e saj do të ketë vetëm prokurorë e gjykatës ndërkombëtarë.

Lëvizja Vetëvendosje kishte qenë partia e vetme e cila unanimisht kishte votuar kundër krijimit të kësaj Gjykate, ndërsa nga partitë e tjera ka pasur disa figura të pakta që kanë votuar kundër.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat