Paralajmëron analisti: Nëse PDK do të bëhet pjesë e Qeverisë Hoti, kjo do ta priste partinë e Kadri Veselit

Politika

Paralajmëron analisti: Nëse PDK do të bëhet pjesë e Qeverisë Hoti, kjo do ta priste partinë e Kadri Veselit

Nga: N. H Më: 4 korrik 2020 Në ora: 18:51
Qeveria e Kosovës

Janë shtuar zërat që pohojnë se partia e Kadri Veselit (PDK), do të bëhet pjesë e qeverisë aktuale, përkundër që një gjë të tillë e ka mohuar shefi i qeverisë, kryeministri Avdullah Hoti.

Analisti dhe njohësi i çështjeve politike, Mustafë Kadriaj, në një prononcim dhënë gazetës “Bota sot”, ka thënë se partia e Kadri Veselit duhet të jetë pjesë e negociatave duke ruajtur kështu sipas tij kontiunitetin e kursit të vet politik që të kontribuojë si parti opozitare në bisedimet Kosovë-Serbi.

“Parimisht vlerësoj që për dallim nga Lëvizja Vetëvendosje që nuk pranon asgjë duke kontestuar çdo të arritur që nga paslufta në vend në këtë rast vlerësoj që PDK-ja ka një kurs tjetër politik të veprimit që nga Rambuje duke qenë pjesë e grupit të unitetit në çdo moment që është dashur pa marrë parasysh se a ka qenë në pozitë apo opozitë. Konsideroj që për pozicionin e tanishëm si parti opozitare që është PDK-ja vlerësoj që duhet të jetë pjesë e negociatave duke ruajtur kontiunitetin e kursit të vet politik që të kontribuojë si parti opozitare në bisedimet Kosovë-Serbi”, ka thënë Kadriaj.

Kurse, i pyetur se a do mund të bëhet PDK-ja pjesë e Qeverisë Hoti, Kadriaj shprehet se kjo do ishte autogol për këtë subjekt, dhe kjo tek elektorati do të vlerësohej si parti e skenarit për rrëzimin e ish-qeverisë Kurti.

Image
Mustafë Kadriaj

“Ndërsa, se a ka gjasa Partia Demokratike në Kosovë (PDK) që të jetë pjesë e Qeverisë Hoti, gjërat ndryshojnë brenda nate, por kjo do ishte autogol për PDK-në nëse do hynte në qeveri për faktin që para qytetarëve do vlerësohej si parti e skenarit për rrëzimin e Qeverisë Kurti. Pra, si përfundim vlerësoj që duhet të jetë pjesë e grupit për bisedime Kosovë –Serbi. Por, jo si pjesë e qeverisë për faktin që të dëshmojë para elektoratit si parti serioze që nuk është medoemos pushteti, por interesi i qytetarëve dhe njëherit që pa marrë parasysh pozitën e saj të japë kontributin e saj në interes të vendit”, ka shtuar ai.

Kurse, për AKR-në e Pacollit, ai ka deklaruar se nëse do t’i ofrohej një pozitë e mirë, kjo e fundit do mund të bëhet pjesë e Qeverisë Hoti.

“Ndërsa, për AKR-në dhe liderin e saj, koha e dëshmoi që përkundër pritjeve nga qytetarët është parti e kusurit politik dhe nëse do t’i ofrohej ndonjë pozitë për liderin e saj Behxhet Pacolli mund të bëhet pjesë e Qeverisë Hoti. Duke mos përfillur kodin moral politik dhe njëherit besimin e qytetarëve dhe njëherit duke mos përfillur as kryesinë dhe Këshillin e Përgjithshëm të AKR-së”, ka thënë krejt në fund, njohësi i politikës në vend, Mustafë Kadriaj, për gazetën “Bota sot”.

Kujtojmë se kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti është pyetur dje në Tiranë nëse po planifikohet hyrja e PDK-së në qeverinë të cilën ai udhëheq.

Hoti ka thënë se kjo çështje është hipotetike e që qeveria në të cilën ai udhëheq është stabile.

Kryeministri ka shtuar se presidenti ka mandat të plotë, e nëse do të krijohen ato rrethana, atëherë do të vendoset për zgjedhjen më të mirë për vendin.

“Gjithmonë e dini qasjen time se si i trajtoj këto gjëra, nuk përgjigjem asnjëherë në pyetje hipotetike, qeveria është stabile, presidenti është me mandat të plotë, nëse krijohen ato rrethana do të ulemi dhe do të gjejmë zgjidhjen më të mirë për vendin”, ka thënë ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat