Gjykata Speciale a po e gjykon UÇK-në apo individët?

Politika

Gjykata Speciale a po e gjykon UÇK-në apo individët?

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 5 korrik 2020 Në ora: 08:02
Gjykata Speciale

Gjykata Speciale nuk duhet të lidh gjithë strukturën e UÇK-së me disa emra edhe nëse janë prej krerëve më të lartë të UÇK-së, pasi me këtë veprim ajo po e njollos UÇK-në.

Edhe zyrtarë të lartë ndërkombëtare kanë deklaruar se aktakuzat janë për individë e jo për strukturën e UÇK-së.

E për këtë njohësit e çështjeve politikë dhe profile të ndryshme vlerësojnë se Gjykata Speciale nuk duhet të lidh gjithë strukturën e UÇK-së me disa emra edhe nëse janë prej krerëve më të lartë të UÇK-së.

Berisha: Ne shkuam në UÇK për të mbrojtur kombin shqiptarë dhe tokën e Kosovës

Ish komandanti i Koshares gjeneral Hisen Berisha ka thënë për “Bota sot” se së pari një herë duhet të potencohet se në aktakuzën e publikuar ne dimë se akuzohet Hashim Thaçi, Kadri Veseli edhe tetë tjerë.

Image
Hisen Berisha

“Nëse flasim për dhjetë burra nuk kemi të bëjmë me emra të përveçëm po me akuzë kundër strukturës drejtuese të UÇK- së e cila shikuar nga ky aspekti që i referoheni, sepse po ashtu janë emra të përveçëm. E dyta ne po mbrojmë jo UÇK-në, por Republikën e Kosovës dhe ShBA-të si shtete. Presidentit i Republikës së Kosovës ndonëse është emër i përveçëm çdo herë e në çdo kohë është Presidenti i shtetit. Pra nuk kemi të bëjmë me emra të përveçëm të cilët rastësisht u ndodhen ne UÇK dhe duke i ikur vëmendjes së drejtuesve ushtarak shkaktuan krime lufte. Andaj nuk besoj se aktakuza nga gjykata speciale e thotë kështu në aktakuzën e saj apo jo?!”, ka thënë gjeneral Berisha.

Sipas tij, struktura e UÇK- së sipas historisë gjithmonë është përbërë nga disa individ dhe në fillimet e saj të para nuk kishte as dhjetë njerëz, ndërsa me zhvillimin e saj nuk e kaloj asnjëherë njëqindshin.

“Nga ajo që ne mund të supozojmë Gjykata Speciale do akuzojë mbi 100 veta për 100 vrasje që i pretendojnë ata në gjykatë, pra ne në mbrojtje nuk po lidhim strukturën por aktakuza rendon mbi ata njerëz që drejtuan UÇK- në që nga fillimi e deri ne transformimin e saj në TMK. Edhe vetë drejtuesit e UÇK-së kanë luftuar për lirinë dhe çlirimin e Kosovës, siç thonë për ideale bile këta njerëz të cilëve iu referoheni ju e kanë lidh gjenetikën e tyre me tri shkronjat duke u shndërrua në shpresën e njerëzve të robëruar në Kosovë, NATO shumë më vonë ndërhyri për ta ndalur gjenocidin e aparatit shtetërore serb ndaj shqiptarëve të Kosove. Në Koshare psh ku kam luftuar unë të gjithë vullnetarët vinin për të luftuar e ndihmuar UÇK- në dhe jo asnjërin prej nesh që komandonim. Edhe ne shkuam në UÇK për të mbrojtur kombin shqiptarë dhe tokën e Kosovës, të cilën e kishin djegur me zjarr e plumb forcat ushtarake të Serbisë”, ka thënë gjeneral Berisha.

Sipas tij, deklaratat e ndërkombëtareve janë bërë qëllimshëm të tilla dhe e kanë për qëllim që komandantëve të akuzuar t’ua heqin përkrahjen e gjerë popullore dhe të arrijnë qe të zhveshin nga nderi dhe kontributet të akuzuarit edhe ashtu përveç se arrijnë ti dënojnë dhe ti poshtërojnë para bashkëkombëseve të tyre.

“Si mundet që ta akuzosh Hashim Thaçin se kreu vrasje të rivalëve politik vetëm e vetëm që struktura politike e dalë nga lufta të vijë ne pushtet dhe në të njëjtën kohë ti quash aktakuza kundër individëve dhe aktakuza që nuk e dëmtojnë njollosin luftën e UÇK- së? Pra kjo nuk ka as shpjegim logjik dhe as interpretim logjik, sepse nëse flitet për Hashim Thaçin e luftës është strukturë e vlerës së UÇK-së, e kur e akuzojnë se kreu vrasje të rivalëve politik i njëjti njeri qenka individ!? Pra kemi të bëjmë me një gjykatë dhe koncepte akuzash të cilat edhe në interpretim të qëllimit edhe në formulimin e aktakuzës kanë shkelur ligjet mbi te cilat është krijuar Gjykata special”, ka thënë Gjeneral Hisen Berisha.

Elezaj: UÇK-në dhe luftën e saj të shenjët çlirimtare e kanë dëmtuar dhe denigruar

Analisti politik Rexhep Elezaj ka thënë se UÇK-ja dhe lufta e saj e shenjtë për liri dhe pavarësi të Kosovës nuk mbrohet, duke mbrojtur emra të përveçëm të cilët ishin në cilën do strukturë të saj udhëheqëse dhe komanduese.

Image
Rexhep Elezaj

Sipas tij, Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk ka qenë dhe as nuk mund të jetë kurrë pronë e as monopol e askujt, sepse ajo është vlerë dhe pronë vetëm e popullit martir shqiptar të Kosovës.

“UÇK-në dhe luftën e saj të shenjët çlirimtare e kanë dëmtuar dhe denigruar, pikërisht ata udhëheqës të saj, të cilët pas çlirimit në mënyrë krejt të paskrupullt uzurpuan dhe i përvetësuan meritat e saja të luftës, duke ia m’veshur vetes dhe disa grupeve të ngushta të interesit sukseset e saja në frontin e luftës. Mjerisht, kjo logjikë dhe ky egoizëm primitiv i disa ish udhëheqësve të UÇK-së ishte faktor dominues në politikën dhe organet shtetërore të pas luftës, të cilët pas çlirimit ardhjes në pushtet si dhe në qeverisje iu qasen përmes formimit të partive politike dhe klaneve oligarkike mu në emër të saj, duke i plaçkitur pasuritë shtetërore të popullit, si dhe duke ia dhënë vetes çdo meritë dhe sukses të UÇK-së në luftë”, ka thënë Elezaj.

Ai konsideron se duke i akuzuar forcat oponentë politike për tradhti kombëtare, vetëm se kundërshtonin metodën e uzurpimeve, plaçkitjeve, kapjes së pushtetit si dhe keqpërdorimin e meritave të UÇK-së, e cila logjikë ka qenë shumë e dëmshme për shtet ndërtimin e Kosovës.

“Po ashtu, lidhja e UÇK-së me disa emra të veçantë nga strukturat e saj politike dhe ushtarake, ka qenë ndër metodat dhe taktikat më bizare dhe staliniste që i kanë ndodhur ushtrisë sonë çlirimtare, ngase kështu, jo vetëm se UÇK-ja dëmtohej rënd në aspektin ushtarak dhe në karakterin e saj kombëtar, në fakt ajo u shndërrua në një formacion me premisa lokale, duke e ndarë tërësinë territoriale mbrojtëse të Kosovës në taborre dhe njësi ushtarake regjionale, që faktikisht solli edhe deri tek çarjet e mëdha politike në nivel të Kosovës, pasojat e të cilës logjikë primitive jemi duke i vuajtur edhe sot 20 vite pas mbarimit të luftës”, ka thënë Elezaj.

Sipas tij, ky mentalitet përçarës në mendësinë politike dhe primitive kosovare, me atribute fshatareske të mbarsura me xhelozi, hasmëri, urrejtje dhe bajraktarizëm, për fat të keq, vazhdon ta ngulfat sot e gjithë ditën zhvillimin, emancipimin, arsimimin si dhe shtet-ndërtimin e Kosovës.

“Dhe unë, në vazhdimësi kam shprehur habinë e time, se si rinia dhe studentët tanë asnjëherë në dy dekadat e fundit nuk janë ngritur, së paku njëherë, kundër këtyre veprimeve të dëmshme të këtyre “komandantëve” të Bllacës, të cilat vendit tonë me njëmijë e njëqind halle të pas luftës ia kanë zënë frymën, diellin e lirisë dhe demokracisë së mirëfilltë perëndimore!?Është shumë e dhimbshme dhe tragjike, që ushtarët e vërtetë të UÇK-së, ata që dhanë çdo gjë nga vetja e tyre në mbrojtje të Kosovës nga masakrat dhe gjenocidi serb, duke qëndruar për dy vite në vijën e parë të frontit, pas mbarimit ë luftës u lanë nën mëshirën e fatit, mbeten pa asnjë falënderim, shpërblim dhe meritë, madje edhe pa kulm mbi kokë dhe pa ushqim për fëmijët e tyre, ndërsa ata të cilët nga hotel “Rogneri” komandonin me UÇK-në, pas luftës brenda natës u gdhinë milionerë, të cilët para luftës siç i kemi njohur mirë, nuk kishin me ngrënë bukë në familjet e tyre. Ky është pra ai paradoksi i zi dhe “epokal” që i ka ndodhur Kosovës dhe shoqërisë sonë, e cila edhe sot po përballet me sfida tepër të rrezikshme”, ka thënë Elezaj.

Ai konsideron se Gjykata Speciale për Kosovën është formuar me vendim të Kuvendit të Republikës së Kosovës, gjegjësisht me pëlqimin dhe presionin e “Krahut të luftës”.

“Ata sot po përballën me marrinë e vet, dhe vetëm për t’i shpëtuar aktakuzave dhe gjykimeve të mundshme, për gjoja “krime kundër njerëzimit” si dhe për shkelje të ligjeve të luftës nga ana e disa pjesëtarëve të Shtabit të UÇK-së, siç ishte deklarata e dhënë javën e kaluar nga Prokurori special i Zyrës së Gjykatës në Hagë, me të cilën akuzohen Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli për vrasje dhe keqtrajtime të afër 100 civilëve, në asnjë mënyrë të mundshme kjo nuk e njollos dhe as nuk e degradon luftën çlirimtare të UÇK-së. Prandaj, thirrja e disave për zhbërjen e kësaj Gjykate, si dhe ndërlidhja e meritave të UÇK-së me individë të caktuar nga strukturat e saj ushtarake, nuk e zvogëlon fare kontributin e saj për çlirimin e Kosovës”, ka thënë analisti politik Rexhep Elezaj.

Berisha: Të ndahet shapi nga sheqeri

Kurse analisti politik Ejup Berisha ka thënë se pas publikimit të lajmit që Zyra e Prokurorit special se dhomave të specializuara të Gjykatës speciale për trajtimin e akuzave për krime eventuale lufte të kryera nga pjesëtarët e ish UCK-së së Kosovës.

Image
Ejup Berisha

“Pra organi i akuzës ka dërguar sinjale se e ka ndërmend të ngrejë aktakuzë për dhjetë persona pjesëtarë ti ish UÇK-së së Kosovës në mesin e tyre edhe për dy udhëheqës kryesor të këtij formacioni ushtarak për Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin në opinion kanë vërshuar deklarata dhe komente të shumta me të cilat po tentohet që të sulmohet e tërë UÇK si organizatë lufte apo si organizim ushtarak i popullit shqiptar të Kosovës. Atyre komentuesve tendencioz dhe qëllimkëqij duhet thënë Stop sepse e kanë shumë gabim që e sulmojnë ish Ushtrinë Çlirimtarë të Kosovës. Vlerësoj se ajo nuk guxon të sulmohet sepse ishte organizim politiko- ushtarak dhe mbrojtës i krijuar nga gjiri i populli shqiptar me mision dhe detyra të mirë përcaktuara dhe të saktësuara për ta mbrojtur vendin dhe popullin shqiptar të Kosovës nga tendencat për shfarosje nga ana e forcave ushtarko-policore dhe paraushtarake vrastare e kriminale serbe”, ka thënë Berisha.

Ai konsideron, se kur të merret parasysh organizimi fantastik dhe udhëheqja shumë e mirë e rezistencës gjithë popullore ndaj forcave pushtuese serbe atëherë askush nuk ka të drejtë që ta sulmoj dhe të hedh baltë e gurë mbi ish UÇK-në e cila e bëri misionin e domosdoshëm me plot përkushtim dhe ndershmëri.

“Disa autorëve dhe komentuesve të ngutshëm të papërgjegjshëm e të dyshimtë dua tu dërgoj porosi të qartë se nuk kanë të drejtë të akuzojnë pa dëshmi, pa argumente dhe pa fakte vetëm se në saje të supozimeve të tyre të pabaza dhe të paqëndrueshmit sulmojnë dhe ta akuzojnë forcën mbrojtëse të një populli. Këtë nuk e ka bërë askush deri tani në botë përpos disa njerëzve të caktuar që janë shumë të zëshëm në akuzimin e ish UÇK-së e jo në numërimin e meritave dhe të sukseseve të saj. Mendoj se nëse ka pasur individ që kanë tentuar ta keqpërdorin angazhimin dhe kanë devijuar nga misioni i shenjtë sjelljet dhe veprimet e tyre nuk duhet ti m’vishen tërë ish UÇK-së. Në jetë assesi nuk duhet të përgjithësohen gjërat. Në shoqëritë bashkohore përgjegjësia është çështje individuale e jo kolektive atë pra e bartë dhe për të llogari jep individi e jo të gjithë pjesëtaret e shoqërisë. Nëse ndonjë individ që ka pranuar të jep kontribut në UÇK dhe për X arsye ka bërë veprime të këqija dhe të papranueshme ai ato i ka bërë në emrin e tij personal e jo në emër të kolektivitetit pjesë përbërëse e të cilit është apo ka qenë” ka thënë analisti Berisha.

Sipas tij, në rastin konkret kur flitet për UÇK-në duhet nda shapin nga sheqeri. “Shapi janë individët e caktuar e të izoluar të cilët kanë vepruar në kuadër të UÇK-së dhe për arsye që vetëm se ata i dinë kanë marrë guximin për të bërë sjellje dhe veprime të pahijshme dhe të papranueshme”.

“Ndërsa sheqeri i pastër dhe i shijshëm janë bijtë dhe bijat më të mirë më të ndershëm, më të moralshëm dhe më të devotshëm të kombit të cilët me ndershmërinë më të madhe dhe me plot sinqeritet e përgjegjësi i kanë dal në ndihmë e në mbrojtje vendlindjes dhe kombit të tyre. Këta nuk ka të drejtë as morale e as ligjore askush që ti anatemoj, as që ti sulmojë e akuzoj për asgjë e as ti fus në një thes me ata pak individ që kanë devijuar nga misioni i shenjtë dhe i vërtetë i Ish UÇK-së. Thash se gjërat nuk guxojnë të përgjithësohen dhe përskaj të një dy tre apo dhe dhjetë personave të pandërgjegjshëm dhe të papërgjegjshëm e të njollosen edhe të gjithë ata luftëtar dhe luftëtare trima që kanë dalur që t’ia lajnë borxhin kombit dhe vendit të tyre pa hile dhe pa kurrfarë interesi”, ka thënë Berisha.

Ai konsideroj se sa i përket paralajmërimit për ngritje të aktakuzave duhet mundësuar organeve të drejtësisë ndërkombëtare që ta kryejnë detyrimin e tyre.

“Mendoj se ata persona që akuzohen dhe nuk kanë bërë vepra që përmenden në aktakuza nuk kanë pse frikohen sepse nëse janë të pafajshëm dhe të pastë ata detyrimisht do të shpallen të pafajshëm. Trishtimi dhe histeria e ngritur në opinion lidhur me aktakuzat nuk i ndihmon mbarëvajtjes së procesit të vërtetimit të gjendjes reale dhe faktike e aq më pak aktivitetit të vërtetimit të pafajësisë të atyre personave të cilët akuzohen nga Prokuroria speciale apo dhe të cilët do të mund të gjykohen nga Gjykata speciale. Ne si shqiptarë duhet të jemi të guximshëm dhe duhet pranuar faktin se edhe në kuadër të UÇK-së ka pasur individ të izoluar me sjellje dhe me veprime delikuente. Plotësisht i pastër, i pagabueshëm dhe i absolutisht i ndershëm është vetëm se Perëndia e madhëruar ndërsa njerëzit janë qenie të gabueshme”, ka thënë Berisha.

Sipas tij, ata individ që eventualisht kanë bërë krime nën uniformën e UÇK-së ata duhet të gjykohen dhe të dënohen ndërsa ata individ që akuzohen pa bazë pa dëshmi dhe pa fakte të besueshme dhe konkrete ata duhet të përkrahen dhe të mbrohen.

“Konsideroj se të gjithë duhet të pajtohen me konstatimin dhe me faktet reale se ideja dhe koncepti për formimin dhe veprimin e ish UÇK-së ishin fenomenale ndërsa veprimet dhe sjelljet e shumicës së pjesëtareve të ish UÇK-së duhet konstatuar dhe përfunduar se ishin komfor ligjeve të vendit dhe të atyre ndërkombëtare. UÇK-ja ka qenë është dhe mbetet krenaria më e madhe e popullit shqiptar të Kosovës dhe të mbarë kombit shqiptar në përgjithësi. Lidhur me akuzat që vijnë edhe nga ana e disa qarqeve ndërkombëtare konsideroj se duhet mobilizim dhe angazhim maksimal i diplomacisë së Republikës së Kosovës për ta prezantuar realitetin faktet dhe dëshmitë për sjelljet dhe veprimet e pjesëtareve të ish UÇK-së. Shpërblimin që pjesëtaret e ish UÇK-së ia sollën kombit është liria dhe pavarësia flas për ish UÇK-në e Kosovës”, ka thënë analisti politik Ejup Berisha.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat