Kjo është e vërteta, PDK-ja hynë në Qeveri për të kaluar marrëveshjet me Serbinë

Politika

Kjo është e vërteta, PDK-ja hynë në Qeveri për të kaluar marrëveshjet me Serbinë

Elona Bajgora Nga Elona Bajgora Më 5 korrik 2020 Në ora: 20:14
Kadri Veseli dhe Isa Mustafa

Së fundmi në Kosovë janë shtuar zërat për përfshirjen e mundshme të Partisë Demokratike të Kosovës në Qeverinë Hoti.

Rreth kësaj çështje janë deklaruar partia e PDK-së duke e mohuar lajmin, por së fundmi edhe kryeministri Hoti ka mohuar këtë gjë.

Këto zëra janë lidhur edhe me vizitën e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, ku është thënë se kishte një qëllim të tillë.

Deputeti i VV-së: LDK nuk po mund të shkëputet nga kthetrat e PDK

Gazeta “Bota sot” ka biseduar me deputetin nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Agon Batushën për këtë çështje.

Image
Agon Batusha

Batusha ka thënë se PDK-ja përmes LDK-së ka rrëzuar qeverinë Kurti dhe se tani po sillen sikur janë në opozitë.

Ai ka shtuar se LDK-ja nuk po mundet të shkëputet nga kthetrat e PDK-së, të cilët ai i quan ideatorë të kësaj qeveria ilegale.

“PDK përmes LDK-së e rrezoi qeverinë. Tani sillen sikur janë opozite. E vërtetë është që LDK nuk po mund të shkëputet nga kthetrat e PDK të cilët janë ideatorë të kësaj qeverie ilegale”, ka thënë deputeti.

Tutje, ka shtuar se nëse PDK hyn në qeveri do të ishte vetëm zyrtarizim i një bashkëpunimi të thellë që kanë këto dy parti.

Deputeti ka thënë se PDK mund të hyjnë qeveri që të sigurojë 2/3 e votave të deputetëve për ta kaluar marrëveshjen me Serbinë që e quan për territor.

“Prandaj, hyrja në qeveri, nëse ndodhë, është veç zyrtarizim i bashkëpunimit të thellë që kanë që sa kohë këto dy parti. Asgjë e re! Qëllimi është ogurkeq sepse PDK hynë në qeveri që të siguroj 2/3 për ta kaluar marrëveshjen e shumëpërfolur me Serbinë për territorin. Mund të ndodhe të bëjnë koalicion zyrtarisht. Fundja bashkë kanë qenë dhe bashkë janë edhe tash. Mirë kish qenë të zyrtarizojnë që të mos e mashtrojnë popullin kot. Fundja gjithë po e dinë”, ka përfunduar deputeti Batusha.

Tali: Do të ishte gabim i radhës për PDK

Image
Driton Tali

Kurse, ish-këshilltari i ish-kryeministrit Kurti, Driton Tali, hyrjen e PDK-së në qeveri e ka quajtur gabim të radhës.

Ai ka shtuar se ky do të ishte gabim sepse PDK-ja ka kohë që është deklaruar kundër kësaj qeverie dhe se është pro zgjedhjeve.

“Do të ishte gabim i radhës për PDK-në. Edhe për faktin se PDK ka kohë që është deklaruar se është kundër kësaj qeverie pa legjitimitet demokratik dhe se është pro zgjedhjeve. Ndonëse atëherë kur z. Thaçi i ftoi partitë politike PDK u deklarua se ishte kundër zgjedhjeve”, ka thënë Tali.

Tali ka përfunduar duke thënë se ndërrimi i qëndrimeve e bënë jo serioze PDK-në.

“Andaj ndërrimi i qëndrimeve orë e çast e bënë PDK-në edhe më jo serioze. Dhe natyrisht këtë ngritje në përqindje në popullaritetit që e përjetoi kohën e fundit ta humbasë tërësisht”, ka thënë Tali për “Bota sot”.

Kuçi: PDK-ja të bëhet formalisht pjesë e koalicionit në Qeverinë Hoti

Image
Gurakuç Kuçi

Ndërsa, analisti, Gurakuç Kuçi, ka thënë se realisht PDK-ja është pjesë e kësaj qeverie.

Kuçi ka shtuar se arsyet e PDK-së për tu bërë pjesë e qeverisë Hoti janë që të jetë pjesë e pazareve përtej Kosovës.

“Partitë Politike të cilat u bashkuan për rrëzimin e Qeverisë së kaluar e përbëjnë edhe substancën e ruajtjes së Qeverisë së tanishme, pra realisht pjesë e koalicionit është edhe PDK-ja. Ky bashkim partish është gardian për ruajtjen dhe ndaljen e ndryshimeve në Kosovë. Pjesa tjetër është një shpërfaqje manipulative formale. Andaj krejt çka mund të flitet që PDK-ja të bëhet formalisht pjesë e koalicionit në Qeverinë Hoti, janë arsyet që do lejonin këtë subjekt politik të jetë pjesë e pazareve me influenca përtej Kosovës. Kjo nevojë e PDK-së është shpërfaqur pas komunikatës nga Prokuroria Speciale për dyshimet ndaj Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe kryetarit të PDK-së, Kadri Veselit”, ka thënë Kuçi.

Gjithashtu, ka shtuar se formalizimi i PDK-së në qeverinë Hoti publikisht e quan qeveri të mashtrimit. Kuçi shton se nëse PDK kalon në qeveri tregon se matematikat e PDK-së për rikthim në pushtet pas komunikatës së Prokurorisë Speciale janë dëmtuar tej mase.

Analisti Kuçi përfundon duke thënë se duket të ndryshohet loja dhe se duhet të i tregojnë BE-së dhe SHBA-së ja se uniteti i kastës politike të vjetër në Kosovë është mundësia e vetme për dialog dhe kompromisi për Kosovën dhe siç thotë ai kjo formulë mund të bëjë që dyshimet nga presidentit Thaçi dhe Kadri Veselit të mos pranohet nga Gjykata Speciale.

“Foramilizimi i PDK-së në qeverinë Hoti, në qeverinë që z. Veseli publikisht e quan qeveri të mashtrimi sa për ta luajtur një rol formal opozitarizmi, tregon se matematikat e PDK-së për rikthim në pushtet pas komunikatës së Prokurorisë Speciale janë dëmtuar tej mase. Tani duhet të ndryshohet loja dhe të përçohet mesazhi tek SHBA-ja dhe BE-ja se uniteti i kastës politike të vjetër në Kosovë është mundësia e vetme për dialog dhe kompromisi për Kosovën dhe për këtë kastë nuk fillon me nivelin shtetëror por atë individual. Kjo taktikë mbetet në plan të parë edhe nëse PDK-ja nuk hyn formalisht në koalicionin qeverisës. Kjo formulë mund të bëjë që dyshimet ndaj z. Thaçi dhe z. Veseli kurrë të mos pranohen nga Gjykata Speciale”, ka përfunduar Kuçi.

Vata: Politika e vjetër në Kosovë po përpiqet të fsheh të vërtetën

Image
Ilir Vata

Analisti, Ilir Vata, ka thënë se Avdullah Hoti ka marrë drejtimin e qeverisë së Kosovës por edhe atë të negociatave.

Vataka shtuar se ngjarjet në Kosovë nuk janë aspak të qeta pasi qe presidenti Thaçi dhe kryetari i Partisë Demokratikë të Kosovës, Kadri Veseli, kanë marrë një aktakuzë për krime.

Analisti thotë se pavarësisht hetimit, Thaçi dhe Veseli janë pengë i drejtësisë kur Kosova ka bisedimet me marrëveshjen me Serbinë.

Ilir Vata ka përmendur edhe deklarimet e presidentit Amerikan, Donald Trump, kur ai ka thënë se bisedimet Kosovë-Serbi të firmosen deri në fund të vitit

“Avdullah Hoti ka marrë drejtimin jo vetëm të qeverisë së Kosovës por dhe atë të negociatave e bisedimeve të Kosovës me Serbinë që do zhvillohen në SHBA dhe kjo është një besim i madh institucional që iu besua Hotit. Por ngjarjet në Kosovë nuk janë të qeta, ato po lëvizin shpejt, pasi Thaçi dhe Veseli morën një aktakuzë që rëndon mbi to për krime dhe do përgjigjen para Prokurorisë Speciale. Pavarësisht hetimit, ata janë pengë i drejtësisë në momentin kur Kosova ecën me ngut drejtë marrëveshjes me Serbinë deri në fund të vitit, ashtu siç edhe e pat deklaruar më herët presidenti Trump, që për krishtlindje duhet që Kosova dhe Serbia të firmosin marrëveshjen, ndryshe Ballkanin Perëndimor e pret një situatë e vështirë”, ka thënë Vata.

Ilir Vata e ka quajtur të natyrshme hyrjen e PDK-së në qeveri pas ngjarjeve të fundit që kanë ndodhur në Kosovë. Ai ka thënë se në fillim PDK ishte kundër qeverisë, por tani kanë ndryshuar rrethanat.

Në fund analisti ka thënë se aktakuza e presidentit dhe e Veselit dhe çështja e bisedimeve nuk është rastësi. Vata është shprehur se mund të ketë politikanë në Kosovë që janë bërë pjesë e pazarit për tradhti ndaj sovranitetit territorial të Kosovës.

“Në këto kontekst, në këtë vorbull ngjarjesh është e natyrshme që PDK dhe Veseli të kenë aksesin qeverisë, apo mbështetës në këtë proces, historik mund ta quajmë. Më herët PDK doli kundër qeveris Hoti, sot kemi një qasje ndryshe sepse dhe rrethanat janë të tilla. Dy gjeneralët nën akuzë, ndërsa çështja e bisedimeve ec para. Kjo nuk është rastësi, por në heshtje flet shumë duke e çuar mendjen se mos vallë ka nga ata politikanë në Kosovë që janë bërë pjesë e pazarit për tradhti ndaj sovranitetit territorial të Kosovës. Ky është problemi që mundohet të fsheh politika e vjetër në Kosovë”, ka thënë Vata për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat