Albin Kurti kërkoi zgjedhje, analisti politik i përgjigjet – tregon zgjidhjen se si të kalohet kjo gjendje e rëndë për Kosovën

Politika

Albin Kurti kërkoi zgjedhje, analisti politik i përgjigjet – tregon zgjidhjen se si të kalohet kjo gjendje e rëndë për Kosovën

Nga: N. H Më: 5 korrik 2020 Në ora: 21:57
Albin Kurti

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se zgjedhjet janë zgjidhja e vetme si për shëndetin e qytetarëve, ashtu edhe për shëndetin e demokracisë dhe të shtetit.

Ish-kryeministri i Kosovës këto deklarime i bëri në mbledhjen e 40-të të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje.

“Të dashur anëtarë të Lëvizjes VETËVENDOSJE! Neve na donë populli, kurse ata e duan njëri-tjetrin. Dikur e kanë frikësuar popullin, tash po i frikësohen zgjedhjeve. E zgjedhjet janë zgjidhja edhe për shëndetin e qytetarëve, edhe për shëndetin e demokracisë, edhe për shëndetin e shtetit”.

Kurti në fillim të fjalimit të tij ka folur për pandeminë dhe ka bërë thirrje te qytetarët e Kosovës që të respektojnë masat mbrojtëse për të shpëtuar jetën e tyre dhe të dashurve të tyre.

E, për të folur lidhur me kërkesën e kreut të Lëvizjes Vetëvendosje, këtë çështje e ka komentuar analisti politik.

Analisti dhe njohësi i çështjeve politike, Faton Mehmeti, në një prononcim dhënë gazetës “Bota sot”, ka thënë se kërkesa e liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për zgjedhje të reja është e gabueshme, marrë parasysh gjendjen në të cilën është duke kaluar vendi.

Mehmeti thotë se ka qenë gabim i madh rrëzimi i Qeverisë Kurti, derisa, të njëjtin mëndim ka edhe nëse në këtë kohë mbahen zgjedhjet e reja.

Sipas tij, jeta aktuale e qytetarëve të vendit duhet të jetë prioriteti kryesorë i kastës politike.

Image
Faton Mehmeti

“Gjendja alarmante me Covid-19, nuk është situatë për luftë për pushtet. As rrëzimi i Qeverisë Kurti dhe eventualisht mbajtja e zgjedhjeve në këtë situatë nuk janë në favorin e Kosovës. Ka qenë gabim rrëzimi i Qeverise Kurti, ashtu siç do ishte gabim tjetër nëse mbahen zgjedhjet tani. Jeta e qytetarëve duhet të trajtohet si prioriteti kryesor, jo postet politike”, ka thënë Mehmeti, të dielën për gazetën “Bota sot”.

Tutje, ai thekson se ideale në këtë kohë do të ishte krijimi i një qeverie gjithëpërfshirëse, deri të stabilizimi i gjendjes, në mënyrë, siç shprehet analisti, që vendi mos të kolapsojë.

“Albin Kurti bën gabim nëse kërkon zgjedhje, pavarësisht formës së dobët të kësaj qeverie. Më mirë është të krijohet qeveri gjithëpërfshirëse, derisa të kalohet pandemia, që vendi mos të kolapsojë si në shëndetësi ashtu edhe në ekonomi. Duhet të bëhet çdo gjë për të mirën e qytetarëve, jo duke i rrezikuar ata”, ka thënë analisti dhe njohësi i çështjeve politike, Faton Mehmeti, për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat