Hoti u takua me Macronin në prag të rifillimit të dialogut me Serbinë, analisti politik: Sinjal i qartë mbështetjeje dhe besimi në lidershipinin e Kosovës

Politika

Hoti u takua me Macronin në prag të rifillimit të dialogut me Serbinë, analisti politik: Sinjal i qartë mbështetjeje dhe besimi në lidershipinin e Kosovës

Nga: N. H Më: 7 korrik 2020 Në ora: 22:39
Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti në Pallatin Elysee gjatë takimit me presidentin francez Emmanuel Macron.

Franca mbetet e përkushtuar për të ndihmuar Kosovën në mbështetjen e procesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, është thënë nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti.

Hoti, në vizitën e tij të parë në Francë si kryeministër, të martën është pritur në Pallatin Elise në Paris nga presidenti francez Emmanuel Macron.

Analisti politik, Fatmir Bajraj, në një prononcim dhënë gazetës “Bota sot”, ka folur për takimin e mbajtur në Pallatin Elise në Paris, për të cilin ka thënë se ardhja e Avdullah Hotit në krye të qeverisë, i hapi dyert dhe shtigjet Kosovës dhe procesit të integrimeve euro-atlantike.

“Kosova dhe kryeministri Hoti në krye të dialogut Kosovë-Serbi, e hapur ndaj BE-së dhe SHBA-së dhe e koordinuar me partneret strategjik siç janë Gjermania e Franca, dhe Amerika si partner strategjik, unik dhe jetik për Kosovën dhe shqiptarët. Ardhja e Hotit në krye të Qeverisë së Kosovës, hapë dyert dhe shtigjet Kosovës dhe procesit të integrimeve euro-atlantike, gjë që do shihet shpejtë me liberalizimin e vizave për qytetarët tanë, duke i dhënë fund izolimit të vendit dhe politikes izolacioniste që nga rënia e Qeverisë Mustafa. Vizitë historike e kryeministrit Hoti në njërën nga dy vendet më të fuqishme të BE-së, dhe anëtare e përhershme e KS të OKB-së, Franca e presidentit Makron”, ka thënë Bajraj.

Bajraj shprehet se klima favorizuese për Kosovën dhe institucionet e saja legjitime dhe legale në arenën ndërkombëtare është derivat i zhvillimeve të brendshme pozitive pas vetë-rrëzimit të Qeverisë Kurti.

Image
Fatmir Bajraj

“Sinjal i qartë mbështetjeje dhe besimi në lidershipin aktual të Kosovës dhe në kryeministrin Hoti nga ana e perëndimit dhe kryesisht nga vendet e fuqishme të bashkësisë ndërkombëtare, siç është Franca, Gjermania dhe sidomos SHBA-të. Klima favorizuese për Kosovën dhe institucionet e saja legjitime dhe legale në arenën ndërkombëtare është derivat i zhvillimeve të brendshme pozitive pas vetë-rrëzimit të Qeverisë Kurti e cila provokoi shkarkimin si pasojë e mosgatishmërisë së përballjes me proceset sfiduese dhe të formimit të Qeverisë Hoti, si vullnet dhe gatishmëri për të shtyrë proceset para në njërën anë, si dhe kursi dinamik i politikes amerikane ndaj dialogut Kosovë-Serbi për një marrëveshje historike me njohje reciproke. SHBA-të, shtuan vokabularin për një zgjidhje efektive dhe gatishmërinë për udhëheqje të dialogut gjë që s'ishte rasti që nga 2013-ta, ku SHBA-të ishin mbështetës të dialogut të zhvilluar dhe në Bruksel dhe të drejtuar nga ana e BE-së, dhe me këtë rast, dinamizuan procesin dhe “shkundën” Brukselin, Prishtinën dhe Beogradin nga amullia dhe inertësia e procesit rigid të zhvilluar në Bruksel”, ka thënë ai.

Analisti thekson po ashtu se zgjimi i BE-së ndodhi pas impenjimit amerikan dhe seriozitetit të Administratës së Presidentit Trump, për zgjidhje të ngërçit dhe gatishmërisë që të marrë në dorë edhe njëherë fatin e Kosovës dhe shqiptarëve, ashtu siç ndodhi në Rambuje dhe në Vjenë.

“Stërzgjatja dhe stërkeqa e dialogut të Brukselit, u bë “shtrat” i etablimit të një diskursi negociator, i cili nxori në sipërfaqe temën e korrigjimit të kufijve edhe pse një temë e tillë nuk ishte e pranueshme për Kosovën dhe shqiptarët, ngase kufijtë e Kosovës janë jo vetëm kufij shtetëror por edhe nacional, megjithatë kësaj ideje serbe i’u bashkuan presidenti Thaçi dhe kryeministri Rama, fatkeqësisht. Heterogjeniteti i BE-së në njërën anë, dhe gabimet trashanike të Thaçit e Ramës në anën tjetër, bënë që dialogu i Brukselit në vend të një marrëveshje të paralajmëruar gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të obligueshme, të rezultojë në një dështim dhe bllokim të procesit. Dialogu Kosovë-Serbi, në krye të agjendës së SHBA-ve dhe BE-së”, tha ai.

Ai është i mendimit se drejtimi i dialogut nga ana e SHBA-vë, është jo vetëm imediat dhe jetik, por është i pa alternativë.

“BE-ja , përkundër vullnetit dhe predispozicionit gjeo-politik dhe gjeo-strategjik, “falë” konstruksionit të saj të brendshëm, nuk ka kapacitetet e nevojshme për kurorëzim të një marrëveshje Kosovë-Serbi, andaj, përfshirja dhe drejtimi i dialogut nga ana e SHBA-vë, është jo vetëm imediat dhe jetik, por është i pa alternativë. SHBA-të, do të ‘disiplinojnë’ palët në dialog dhe do t’i shtyjnë ato në një zgjidhje e cila siguron integrimet dhe zhvillimet pozitive në Ballkanin perëndimor , dhe ku palët njohin njëra-tjetrën dhe dakaordësohen që të jetojnë në paqe pran njeri-tjetrit. Kondicionimi i dialogut nga ana e SHBA-vë, dhe synimi i qartë për kurorëzim të një marrëveshje me njohje reciproke, tanimë ka fituar teren, ka influencuar zhvillimet e BE-së dhe ka shtuar fokusin dhe vëmendjen e Gjermanisë dhe Francës në kuadër të BE-së, që të rrinë në hap me Amerikën në procesin të cilin e kishin drejtuar që nga 2013-ta me rezultate minore”, ka shtuar analisti politik”, ka potencuar Bajraj.

Në fund, ai nënvizon se zgjidhja ‘Evropiane’ e dialogut Kosovë-Serbi, një zgjidhje e cila do kënaqte, jo vetëm Serbinë dhe Rusinë, por të gjitha palët, duke mos përjashtuar as pesë vendet jo-njohëse të Pavarësisë së Kosovës brenda BE-së, ishte e pamundur dhe irealiste, ngase mund të arrihej vetëm në dëm të Kosovës dhe pa miratimin e saj.

“Marrëveshjen me njohje reciproke, mund ta imponojë vetëm Amerika, derisa BE dhe veçanërisht Gjermania dhe Franca, duhet t’i japin suportin imediat”, ka deklaruar ai krejt në fund.

Kujtojmë se, më 12 korrik, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti do të takohet në Bruksel me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Ky takim ndërmjet Hotit dhe Vuçiqit do të shënojë rinisjen e dialogut, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat