Heshtja e Prokurorisë para Gani Kocit, Mehmeti e quan “mbeturinë të enverizmit”

Politika

Heshtja e Prokurorisë para Gani Kocit, Mehmeti e quan “mbeturinë të enverizmit”

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 8 korrik 2020 Në ora: 13:40
Gani Koci

Gjatë javës së kaluar, Ish- zëvendësministri dhe zyrtari i lartë i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Gani Koci ka linçuar publikisht disa personalitete të rëndësishëm, si politikanë e gazetarë. Për të cilët ka thënë se ka gropa septike serbe që duhet mbyllur me beton, duke e publikuar fotot e këtyre personaliteteve.

“Ka ardh koha, jo me i dezinfektu por me i mbyll me beton gropat septike serbe, të mbetura akoma në Kosovë. Shumë po kundërmojnë!”, ka shkruar në Facebook.

Këtë postim në Facebook, e ka fshirë Koci, duke publikuar një shkrim tjetër, por pa fotografi.

“Jurishnikët udbash e VV-istë ma fshin statusin që kisha bërë për gropat septike serbe të mbetura në Kosovë! Ato duhet, jo me i dezinfektu por me i mbyll me beton! Shumë po kundërmojnë!”, ka shkruar në postimin e dytë Koci.

Lidhur me këtë çështje, gazeta “Bota sot” ka tentuar që të marrë përgjigje nga prokuroria se a kanë filluar të merren me rastin e Kocit, po nuk janë përgjigjur.

Nagavci kërkon që drejtësia të merret me Kocin

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje dhe nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Arberie Nagavci, ka thënë për “Bota sot” se e vetmja arsye pse ka reaguar ndaj Kocit është se ai është pjesë e këshillit të Partisë Demokratike të Kosovës dhe se ka qenë deputet dhe zëvendësministër.

Image
Arberie Nagavci

“Nuk mendoj se duhet të merrem me një nivel të tillë të komunikimit. Kam bërë një reagim publik në faqen time të fb, vetëm për faktin se i njëjti është anëtar i KP të një partie politike, gjegjësisht të PDK-së dhe se i njëjti ka qenë dhe deputet e zv. ministër, pra çfarë niveli i përfaqësimit”, ka thënë Nagavci për “Bota sot”.

Ndërkaq, në reagimin e saj në Facebook, Nagavci  ka shkruar se organet e drejtësisë duhet të merren me të, ndërkaq në aspektin politik ajo ka thënë se  janë tjera adresat ku mund të kërkojë përgjigje për Gjykatën Speciale e për temat e cenimit të sovranitetin e integritetit të vendit.

“Anëtari i Këshillit të PDK-së, deputeti e zyrtari i lartë i saj, madje edhe zv.ministër, z. Koci paska krijuar një listë të personave nga LV e shoqëria civile për groposjen e tyre. Madje kjo nuk qenka hera e parë, ai paska fyer edhe herë të tjera edhe në drejtim timin, më paska pas kërcënuar me "heqje koke".

Organet e rendit duhet që sa më parë të merren me të.

Në anën tjetër, sa i përketë aspektit politik, dua t'i bëjë me dije këtij personi që janë tjera adresat ku mund të kërkojë përgjigje për Gjykatën Speciale e për temat e cenimit të sovranitetin e integritetit të vendit.

Sot, siç kemi deklaruar dhe më parë, po përballemi me pasoja të reja të gabimeve të vjetra dhe të gjithë ata që votuan me thelb e inicim nga KM i partisë së z. Koci, kanë nje faj të madh politik.

Por edhe një gjë dua të theksoj, nëse z. Koci mendon se mund të më frikësojë mua apo dikë nga Lëvizja VETËVENDOSJE! atëherë sërish ka gabuar adresë”, ka shkruar Nagavci.

"Fjalën e fundit kurrë mos e shprehni të parën"!

Image
Riza Smaka

Ndërkaq, njohësi i çështjeve juridike, Riza Smaka, ka thënë se forca e  pikëpamjeve politike duhet të bazohet në prova, fakte e kurrsesi në shprehje denigruese, degraduese, kanosëse. 

“Në shtetet e së drejtës çfarë mendon të bëhet edhe Kosova, nuk lejohet asnjëfarë fyerjeje, ofendimit e të mos flitet për kanosje të çfarëdo natyre. Forca e pikëpamjeve politike duhet të bazohet në prova, fakte e kurrsesi në  shprehje denigruese, degraduese, kanosëse. Këtë e kërkon edhe kultura  politike e juridike”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Gjithashtu, Smaka ka potencuar se kundër fyerjeve, ofendimeve , kanosjeve pos organeve të drejtësisë do të duhej të angazhoheshin edhe shoqëritë civile , institucionet edukative e arsimore.

“Shqiptarët shekuj me parë deri në ditët e sotme e kanë pas përfillur  vetëpërmbajtjen në moton "fjalën e fundit kurrë mos e shprehni të parën"! Kundër fyerjeve, ofendimeve, kanosjeve pos organeve të drejtësisë do të duhej të angazhoheshin edhe shoqëritë civile, institucionet edukative e arsimore!”, ka deklaruar Smaka për “Bota sot”.

Mehmeti e quan mbeturinë Kocin

Image
Faton Mehmeti

Ndërkaq, analisti politik, Faton Mehmeti, në një prononcim për “Bota sot” është shprehur se fatkeqësisht askush nga PDK nuk është distancuar nga gjuha e anëtarit të tyre.

“Duhet theksuar se Gani Koci është soji i enveristëvë, që fatkeqësisht ende vazhdojnë të kenë hapësirë publike për të kontaminuar opinionin publik me gjuhën e tyre të urrejtjes. Fatkeqësisht askush nga PDK nuk është distancuar nga gjuha e anëtarit të tyre, duke dëshmuar se janë pro qëndrimeve të tija, heshtja është miratim. Nuk është hera parë që Gani Koci flet përçart, me stilin e tij enverist, me një urrejtje patologjike ndaj atyre që e quan klanin "pronto" në opozitë” ka theksuar Mehmeti për “Bota sot”.

Ai ka theksuar se Ky njeri duhet të ndiqet nga drejtësia për gjuhën e tij kërcënuese dhe ka kërkuar që faqja e tij në Facebook duhet t`i bllokohet pasi që përmes saj po nxit urrejtje.

“Edhe z.Buxhovi, ashtu sikur edhe z.Kurti dhe zonja Osmani janë nivel tjetër nga ai i Gani Koacit, janë ajka e shoqërisë, ndërsa Gani Koci është mbeturinë e enverizmit, që fatkeqësisht ende ekziston në mesin tonë. Ky njeri duhet të ndiqet nga drejtësia për gjuhën e tij kërcënuese, dhe të kuptojë se koha xhaxhit Enver ka përfunduar moti. Duke qenë se drejtësia është e kapur, nuk besoj të ketë prokuror që të dënoj Gani Kocin, i cili është mbeturinë dhe asgjë më shumë. Duhet edhe fb me ja blloku atij, pasi përmes saj po nxit urrejtje, një njeri i tillë me një gjuhë të tillë duhet të dënohet, edhe pse nuk besoj. Gani Koci është pjesë e PDK, një parti që ka vjedhur vendin, ka zhvatur shoqërinë dhe i ka vrarë ëndrrat e këtij populli, kaq mjafton për të kuptuar se ke e mbështet Ganiu, dhe çfarë përfaqëson ai megjithatë ky njeri dhe partia e tij nuk e kanë mbështetjen e qytetarëve”, ka përfunduar Mehmeti për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat