Takimi i 12 korrikut, Shahu: Nisje e seancës së fundit të bisedimeve për të arritur marrëveshjen

Politika

Takimi i 12 korrikut, Shahu: Nisje e seancës së fundit të bisedimeve për të arritur marrëveshjen

Nga: G.B Më: 9 korrik 2020 Në ora: 15:04
Avdullah Hoti

Pas dështimit të takimit në Shtëpinë e Bardhë për dialogun, me 12 korrik në Bruksel do të mbahet takimi në mes të Avdullah Hotit dhe Aleksandër Vuçiq, me ndërmjetësim të BE-së.

Se çfarë mund të pritet nga ky takim, për gazetën “Bota sot” ka folur njohësi i çështjeve politike, Rexhep Shahu.

Sipas tij, takimi i tyre është rinisja serioze e bisedimeve mes Kosovës e Serbisë dhe është nisja e seancës së fundit e bisedimeve, ku marrëveshja do të jetë e shpejtë.

“Takimi mes kryeministrit të Kosovës dhe presidentit serb me 12 korrik në Bruksel me ekipet respektive besoj është rinisja serioze e bisedimeve mes Kosovës e Serbisë në prani të funksionarëve të rinj të BE-së, pasi nuk është më në lojë Mogherini. Nga ky takim pres thjeshtë nisje e seancës së fundit të bisedimeve për të arritur një marrëveshje. Sa më shumë që thotë Serbia e Vuçiqi, kurrë, aq më e shpejtë është marrëveshja”, është shprehur ai.

Shahu thotë se takimi nuk bëhet pa lejen e Amerikës dhe asgjë nuk bëhet pa lejen e mirëkuptimin e saj, pasi BE nuk ka më fuqi të neglizhojë.

Image
Rexhep Shahu

“Sa i përket se po bëhet kjo seancë në Evropë e nuk u bë ajo e planifikuara në Amerikë, unë besoj se asgjë nuk bëhet pa leje e mirëkuptim amerikan, pa bashkëpunim e mirëkuptim amerikan. Involvimi amerikan në bisedime, nxitja amerikane këtë efekt ka, nuk tolerohet më tej nga amerikanët statukoja dhe zvarritja e bisedimeve. Nuk ka më fuqi Evropa të neglizhojë sepse është ndezur tani interesi amerikan që çështja e Kosovë duhet të zgjidhet dhe nuk ka askush mundësi të pengojë”, ka vlerësuar ai.

Sipas tij, fillimi i bisedimeve pohon se Kosovën askush nuk e mban peng dhe se asaj i ka borxhe Serbia.

“Dhe e fundit, fillimi i bisedimeve pohon dhe një të vërtetë tjetër, nuk mundet askush në Kosovë të mbajë peng askënd e asgjë se nuk ka pronar bisedimesh, nuk është Kosova peng e askujt dhe të krijohet bindja se janë institucionet e jo individët ata që flasin në e për Kosovën. Unë shpresoj se Kosova ka arsye deri në qiell të jetë e dinjitetshme në bisedime dhe jo kokulur sepse asaj vetëm sa i ka borxhe Serbia dhe Kosova nuk i ka askujt asnjë borxh përveç të jetë mirënjohëse ndaj Amerikës dhe shteteve të NATO-s që luftuan për lirinë e saj”, ka theksuar Shahu.

Ndërsa për takimin në Washington, ai thotë se nuk dështoi por u shtye.

“E fundit, nuk mund të thuhet se takimi në Uashington dështoi, por mund të thuhet se u shty, me miratim amerikan. Kështu mendoj unë”, ka deklaruar Rexhep Shahu për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat