Jep dorëheqje Hashim!

Politika

Jep dorëheqje Hashim!

Nehat Shaqiri Nga Nehat Shaqiri Më 9 korrik 2020 Në ora: 15:24
Hashim Thaçi

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, të hënën do të paraqitet në Hagë, në Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale.

Kjo paraqitje e Thaçit atje, bëhet pas ftesës së Speciales e cila e ka thirr për intervistim.

Megjithatë, kjo intervistë e Thaçit nuk do të jetë bash e lehtë për të, pasi tashmë është në procedura ngritja e aktakuzës nga Gjykata Speciale kundër tij dhe kreut të PDK-së, Kadri Veselit.

Që nga publikimi i ngritjes së aktakuzës disa oponent politik në Kosovë kanë kërkuar dorëheqjen e Thaçit nga posti i Presidentit.

Më e zëshmja në këtë drejtim është Lëvizja Vetëvendosje.

Kurse vet Thaçi ka paralajmëruar se do të tërhiqet nga posti i Presidentit në momentin që i konfirmohet aktakuza.

Por, ai të hënën është në Hagë, deshi s’deshi, ai do të pyetet për krimet e luftës dhe rreth aktakuzës ku e akuzon Thaçin, Veselin dhe 8 persona të tjerë për vrasjen e 100 personave, ndër ta edhe vrasjet politike.

Por, a duhet të jap presidenti Hashim Thaçi dorëheqje para se të shkoj të hënën në Hagë, pas thirrjes nga Gjykata Speciale?

Gashi: Thaçi të japë dorëheqje para shkuarjes në Hagë

Image
Tomë Gashi

Avokati Tomë Gashi thotë se, të gjitha njohurit që i kemi lidhur me ngritjen a aktakuzës kundër Hashim Thaçit janë nga komunikata e Prokurorisë Speciale në Hagë e datës 24.06.20

Sipas tij, e njëjta komunikatë është publikuar ne uebfaqen e Gjykatës Speciale dhe kjo i bien se Gjykata e ka ditur dhe e ka dhënë pëlqimin për këtë komunikatë duke besuar se Prokuroria ka pasur arsye të besueshme që ta bëjë publike komunikatën dy muaj pas ngritjes së aktakuzës edhe pse ende e pakonfirmuar.

“Njoftimin se presidenti Thaçi do të shkoj të hënën në Hagë për t’u intervistuar poashtu e kemi kuptuar nga postimi i tij në FB, në atë postim nuk janë dhënë sqarime të tjera, por të gjithë besojmë se intervistimi ka të bëjë me aktakuzën e bërë publike para dy jave”, thotë Gashi për gazetën “Bota sot”.

Ai thotë se, me vet ngritjen aktakuzës kundër Presidentit të Kosovës, Kosova është goditur si shtet dhe në të gjitha mediat botërore tani më është bërë publike ngritja e aktakuzës kundër presidentit të Kosovës.

“Unë dhe plotë të tjerë kemi besuar se Presidenti do të duhej të jepte dorëheqje menjëherë pas njoftimit se aktakuza kundër tij është ngritur. Tani jemi në situatë të re ku ai edhe fizikisht do të jetë në Hagë përballë prokurorëve të Gjykatës Speciale”, shton tutje avokati.

Sipas tij, Thaçi nuk do të duhej të paraqitej në Hagë me postin e presidentit të Kosovës, ngase kjo e dëmton edhe më shumë shtetin-Republikën tonë.

“Akuzat shpresojmë që janë të pa baza dhe shpresojmë që gjyqtari nuk do ta konfirmoj aktakuzën, por prapë se prapë kemi të bëjmë me aktakuzë individuale dhe tani secili duhet të bëjë gjithçka në mbrojtje të shtetit -Republikës tonë por edhe të individ e të akuzuarve duke përfshirë edhe z. Hashim Thaçi”, përfundon avokati Tomë Gashi.

Islami: Më e ndershme të shkoj Thaçi në Hagë si ish-President

Image
Gazmend Islami

Kryetari i Ballit Kombëtar Demokrat për Kosovë, Gazmend Islami thotë se për të, Gjykata Speciale është Gjykatë politike e cila i dedikohet vetëm luftë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe përfaqësueseve të saj.

Përkundër kësaj, ai thotë se presidenti Hashim Thaçi duhet të jap dorëheqje nga posti i tij para se të shkoj në Hagë për intervistim në Gjykatën Speciale.

“Unë mendoj që, do të ishte edhe në nderin e tij edhe në nderin e Kosovës, që Hashim Thaçi të jepte dorëheqje nga posti i Presidentit dhe mos të thirret si i dyshuar për krime lufte, apo në çfarëdo cilësie që është ftuar në Hagë si President dhe shumë më e ndershme do të ishte të shkon atje si ish-president”, thotë Islami për gazetën “Bota sot”.

Sipas tij, kjo shtë për të vetmen arsye sepse në këtë formë do të mbronte së parti pastërtinë e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe pastërtinë e shtetit të Kosovës.

“Pra shkuarja e tij si president i vendit e dëmton imazhin e Kosovës, sepse në të gjitha mediat ndërkombëtare do të shkruhet që presidenti i shtetit të Kosovës është ftuar në Hagë si i akuzuar për krime lufte”, përfundon Islami.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat