A është antikushtetues izolimi i qytetarëve?

Politika

A është antikushtetues izolimi i qytetarëve?

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 9 korrik 2020 Në ora: 20:51
QKUK

Për shkak të përkeqësimit të situatës më COVID 19, kryeministri Avdullah Hoti ka ndërmarrë masa të reja. Komunat me më së shumti të infektuar i ka futur në karantinë, ndërsa kafiteritë duhet të mbyllen nga ora 21.00 deri në orën 05.00 të mëngjesit.

Në këtë mënyrë janë izoluar qytetarët të lëvizin brenda kësaj periudhe kohore.

Çështja e bllokimit të lëvizjes së qytetarëve është përmendur disa herë si antikushtetuese. Mirëpo, njohësit e çështjeve juridike vlerësojnë se ajo nuk është në kundërshtim me kushtetutën.

Smaka thotë se mund të debatohet për masat kundër pandemisë

Image
Riza Smaka

Kështu, profesori i çështjeve juridike, Riza Smaka thotë se masat e ndërmarra nuk janë në kundërshtim. Mirëpo masat kundër pandemisë edhe duhet të debatohen.

“Në parim masat nuk janë në kundërshtim referuar situatës së jashtëzakonshme. Mirëpo përkitazi me rregullomin ligjor të masave kundër pandemisë mund të debatohet. Aq më parë kur sikundër shihet masat që ndërmerren janë të natyrës ad hoc, improvizative, por jo të planifikuara më parë sa dhe si do të kërkohej”, thekson Smaka.

Profesor Smaka thotë më tutje se kjo temë nuk është e rregulluar juridikisht plotësisht dhe kjo mund të bëhej me pak angazhim profesional.

“Shkaqet e veprimeve qeveritare të tilla prodhojnë pasoja të rënda që manifestohen me të dhëna statistikore ditore. Gjithsesi kjo temë nuk është e rregulluar juridikisht plotësisht as qartësisht. Kjo punë do të mund të bëhej me pak angazhim profesional, por deri tani nuk është bërë, gjasat janë që gjatë një periudhe nuk do të bëhen kryesisht për shkak të strukturës së Qeverisë jo nga profesionalistë të fushave, por kryesisht nga partizanë partiak si dhe të indolencës operative”, vlerëson ai.

Burjani: Masat janë antikushtetutese

Ndërkaq, njohësi i çështjeve juridike, Blerim Burjani thotë se nuk ka ligj për situate të jashtëzakonshme.

Image
Blerim Burjani

“Jo, këto janë antikushtetuese, pa ligj për situata të jashtëzakonshme nuk janë në harmoni me të drejtat civile dhe liritë themelore, bien ndesh edhe me Konventën evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe deklaratën për të Drejtat Universale të OKB-së, tashmë është praktikë të mbyllen qytetarët nëpër shtëpitë vetëm me vendime administrative që nuk e kanë fuqinë e ligjit”, vlerëson Burjani.

Ai thotë më tutje se duhet të ketë ligj dhe i njëjti të jetë në pajtim me Kushtetutën.

“Duhet të ketë ligj, madje edhe po të ketë ligj ai duhet të jetë në pajtim me kushtetutën, dhe të jenë arsyet e fuqishme për të kufizuar lirinë e lëvizjes”, thotë Burjani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat