Heshtja e frikshme përballë të vërtetës!

Politika

Heshtja e frikshme përballë të vërtetës!

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 10 korrik 2020 Në ora: 21:48
Aleksandar Vuçiq, John Bolton dhe Hashim Thaçi

Shkëmbimi i territoreve mes Kosovës dhe Serbisë si pjesë e marrëveshjes finale është shtyrë dhe promovuar nga liderët e të dyja vendeve.

Kështu ka thënë John Bolton, ish-këshilltar për siguri i presidentit amerikan Trump, sipas të cilit ky opsion mori hov në fillim të vitit 2018.

Bolton ka thënë se kjo ide për shkëmbim territoresh ishte e liderëve të Kosovës dhe Serbisë, konkretisht Hashim Thaçit dhe Aleksandër Vuçiq.

Mirëpo, pas kësaj deklarate të Bolton më nuk kemi dëgjuar asnjë deklaratë nga Thaçi e Vuçiq për këtë çështje.

Ata po heshtin para të vërtetës!

Kjo është periudha kur presidenti i Kosovës, Thaçi, kishte zhvilluar disa takime me homologun serb Vuçiq, pas të cilave e lansoi idenë për korrigjim të kufijve.

“Një nga gjërat që do të diskutonim ishte shkëmbimi i territoreve, por në Ballkan dhe Evropë u prit me kundërshtime për shkak të frikës se shkëmbimi i territoreve atje mund të ndodhte edhe në Evropë apo diku tjetër. Kjo ka ndodhur në histori, diçka me të cilën duhet të jetoni, ta pranoni.”

Më 26 gusht të vitit 2018, presidenti Thaçi, me liderët e Ballkanit Perëndimor, kishte folur hapur për ndryshim kufijsh në Ballkan.

Analistët politik vlerësojnë se, vazhdimi i bisedimeve është rasti më i mirë që më në fund të jemi unik, si në bisedimet në Paris ashtu edhe në bisedimet në Uashington.

Sipas tyre, duket se ka ardhur më në fund në shprehje një dakordim më i mirë ne mes Brukselit dhe Uashingtonit lidhur më finalen e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Mehazi: Keq na mashtruan

Image
Sulejman Mehazi

Në lidhje me këtë njohësi i çështjeve politike profesor Sulejman Mehazi ka thënë për “Bota sot” se deklarata e Boltonit tregoi se ideja për shkëmbime territoresh ka dal dalë nga vet Thaçi e Vuçiqi e jo nga ish-këshilltari i Trumpit, sa keq na paska mashtruar Thaçi duke na gënjyer se plani i shkëmbimeve të territoreve ka qenë plani i Boltonit.

Sipas tij, kritikat tona ndaj, John Boltonit, ish-këshilltarit për siguri të presidentit amerikan Trump gjatë 2018 paskan qenë të zbrazëta.

“Kot e kemi fajësuar, kritikuar e qortuar Boltonin se ka qenë për shkëmbime territoresh me Serbinë. Kur më 26 gusht të vitit 2018, presidenti Thaçi, në forumin Alpbach me liderët e Ballkanit Perëndimor, kishte folur hapur për ndryshime kufijsh në Ballkan, ne mendonim se kjo ide ishte e lansuar nga ish-këshilltari i presidentit Trump, Boltoni, po ja që u zbulua nga vetë Boltoni se ideja e ndryshimeve të kufijve pa skërka dalë së pari, nga presidenti Thaçi, së dyti, në përkrahje absolute të Vuçiqit. Këtë më së miri e tregon dhe heshtja totale e Thaçit dhe Vuçiqit pas kësaj deklarate të Boltonit, sikur të mos ishte e vërtetë deklarata e ish-këshilltarit të Trumpit atëherë këta nuk do rrinin të heshtur si pulat e sëmura, por do reagonin. Vet heshtja e tyre, argumenton fajësinë e tyre, simbolika e heshtjes së Thaçit pas deklaratës së Boltonit e ka kuptimin e zbulueses së planeve të errëta të Thaçit, për shkëmbime territoresh, prandaj ai nuk ka forcë argumentuese për të mohuar e pohuar këtë ide të fshehur e të shëmtuar politike nga Boltoni. Pra, heshtja e Thaçit ndaj deklaratës së Boltonit shpreh idetë e tij të mbrapshta, marrëveshjet tinëzare të Thaçit me Vuçiqin për shkëmbime territoresh”, ka thënë profesor Mehazi.

Mulliqi: Idetë për shkëmbim territoresh ranë poshtë nga administrata Tramp

Image
Skënder Mulliqi

Kurse analisti politik Skënder Mulliqi ka thënë se ish sekretari për Sigurinë Kombëtare në administratën e Tramp, John Bolton, bëri të qartë gjithçka që u përfole gjatë në opinion së kush qëndronte prapa idesë për shkëmbime territoriale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Sipas tij, Bolton deklarojë së ideja e shkëmbimit të territoreve ka ardhur nga liderët e Kosovës dhe Serbisë, qysh ne vitin 2018. Por, në deklarimin e Boltonit ekzistonte dilema së edhe ai ishte pro shkëmbimeve territoriale, që me gjasë lidhet edhe me shkarkim i tij nga presidenti Tramp

“Shumë ka qarkulluar në opinion së Bolton është me qëndrime politike pro-serbe. Deklaratat e ndërmjetësit ne bisedime Grenel bien ndesh më qëndrimet e tija të mëparshme së kurrë nuk ka pasur një ide të tillë për shkëmbime territoriale. Kjo kundërshtohej ashpër nga shtetet e BE-së, e veçmas nga Gjermania e zonjës Merkel, e cila ka merita të mëdha në stopimin e një ideje të tillë, e cila më siguri nuk do të kalonte pa një zinxhirë të një krize tjetër të madhe shpërthyese në Ballkanin Perëndimor. Futja e një teme të tillë për shkëmbime territoriale do të kishte mundësi të ndikimit edhe në shtetet Baltike. Kur është fjala për idenë e shkëmbimeve ekzistojnë edhe variante të tjera”, ka thënë analisti politik Mulliqi.

Ai ka thënë se këtyre ditëve u plasua në opinion nga Sonja Biserko, së këtë ide, e ka paraqitur edhe kryeministri shqiptarë, Edi Rama në takimin qe e ka pasur më presidentin serb, Aleksander Vuçiq ne Nish.

“Nëse ka pasur opsione të shkëmbimeve tashmë ato duket se kanë rënë poshtë nga administrata e presidentit Tramp. Kjo temë e interesit nacional më të drejtë ka ngritur shqetësime serioze në mesin e popullatës shqiptare jo vetëm të Kosovës. Shqiptarët gjithmonë u bën viktimë e shteteve te mëdha të kohës, duke dhuruar toka shteteve fqinje. Ne bisedimet që priten të vazhdohen nuk ishte dashur të na ndodhë që serish ta dalim humbës. Askush nuk ka të drejtë të dalë jashtë vullnetit të shumicës shqiptare”, ka thënë Mulliqi.

Sipas tij, pas deklarimeve të Bolton dhe Grenel, ishte dashur të kemi edhe një deklarim të dy presidenteve, atij të Kosovës dhe presidentit të Serbisë, që kjo të sqarohet përfundimisht për opinionin e gjerë publikë.

“Për tema kaq të ndjeshme duhet një koncenzus i të gjitha partive politike në Kosovë, por sipas meje duhet të ketë konsensus nacional, se edhe tema është e karakterit kombëtar. Vazhdimi i bisedimeve është rasti më i mirë që më në fund të jemi unik, si në bisedimet në Paris ashtu edhe në bisedimet në Uashington. Duket së ka ardhur më në fund në shprehje një dakordim më i mirë ne mes Brukselit dhe Uashingtonit lidhur më finalen e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë analisti politik Skënder Mulliqi.

Berisha: Pesë vite biseduan për ndarje...

Image
Ejup Berisha

Ndërsa analisti politik Ejup Berisha ka pohuar se çështja e shkëmbimit të territoreve mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë u ri aktualizua kohëve të fundit pas paralajmërimeve se më 27 Qershor në Uashington do mund të mbahet një takim trepalësh në të cilin do të takoheshin Presidentët e dy shteteve Hashim Thaçi i Kosovës dhe Aleksandar Vuçiq i Serbisë si dhe dy Kryeministrat Avdullah Hoti dhe Ana Bërnabiç me ndërmjetësimin e të dërguarit të posaçëm të Presidentit të SHBA-ve Donald Trump për dialogun Kosovë Serbi Riçard Grenel.

“Si pasojë e të cilit takim do të mund të riniste dialogu i ndërprerë mes dy palëve në vitin 2018. Kjo ndërprerje e dialogut ndodhi me vendosjen e masës së taksës prej 100% për mallrat dhe lëndët e para të Serbisë që do të futeshin në territorin e Republikës së Kosovës nga ana e Serbisë. Masën në fjalë e pati miratuar ish Qeveria e Republikës së Kosovës të cilën e udhëhiqte Ish Kryeministri Ramush Haradinaj. Çështja e shkëmbimit të territoreve ishte folur dhe përfolur nga të dy Presidentët e shteteve fqinje, atij të Republikës së Kosovës Hashim Thaçi dhe atij të Republikës së Serbisë Aleksander Vuçiç dy vite më parë në kuadër të një forumi ndërkombëtar. Thaçi dhe Vuçiq në atë takim kishin pranuar se gati pesë vite kishin biseduar për temën shkëmbim territoresh apo siç e kanë riformuluar ata të dy si korrigjim kufijsh. Më i zëshëm në Kosovë lidhur me këtë çështje ishte Presidenti i RKS-së Hashim Thaçi. Për dallim prej Presidentit të Kosovës Thaçi ai i Serbisë Vuçiq nuk ka ngurruar disa herë të flet për shkëmbim territoresh por ky i fundit në deklaratat e tij ka folur edhe për mundësinë e shkëputjes të një pjese të territorit të Kosovës apo të disa komunave në veri të Mitrovicës dhe bashkëngjitjen eventuale të tyre Serbisë”, ka thënë analisti politik Berisha.

Sipas tij, presidenti i Kosovës nuk e fshihte entuziazmin dhe shpresën e tij se si rezultat i arritjes së marrëveshjes eventuale me Serbin, Lugina e Preshevës do të mund ti bashkëngjitej Republikës së Kosovës.

“Mirëpo edhe përkundër faktit se ka pasur deklarata dhe sinjale se gjatë dialogut të zhvilluar Kosovë-Serbi në Bruksel është diskutuar edhe për çështjen e shkëmbimit të territoreve apo me fjalorin e Presidentëve Thaçi dhe Vuçiq për korrigjim kufijsh vetë këta në disa raste kanë mohuar se është biseduar për temën e përmendur . Kjo çështje kohëve të fundit rikthehet në opinion si pasojë e një konflikti verbal mes të dërguarit të posaçëm të Presidentit të SHBA-ve Donald Trump për dialogun dy palësh Kosovë-Serbi Riçard Grenel dhe ish këshilltarit për siguri kombëtare të Presidentit të SHBA-ve John Bolton. Por Bolton para disa ditësh i ka hedhur poshtë pohimet e Riçard Grenelit duke thënë se shkëmbimi i territoreve i ishte sugjeruar atij nga të dy Presidentët Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiç dhe se nuk ishte çështje që e ka iniciuar ai vetë. Grenel është shprehur se për shkak të Boltonit ai është dashur ti luftoj thashethemet për shkëmbim territoresh”, ka thënë Berisha.

Ai konsideron se Grenel ka sqaruar se gjatë takimit të dështuar trepalësh në Uashington në rend dite nuk do të ishte tema e shkëmbimit të territoreve, por ajo e ngritjes së një zone të përbashkët ekonomike mes Kosovës dhe Serbisë.

“Takimi i 27 Qershorit u anulua si pasojë e paralajmërimeve të Prokurorisë speciale të Gjykatës së Hagës se do të propozoj ngritjen e aktakuzave për krime lufte për dhjetë persona nga Kosova pjesëtar të ish UCK-së në mesin e të cilëve edhe për Presidentin Hashim Thaçi dhe për Kryetarin e PDK-së Kadri Veseli. Të gjithë këta nëse ngritën aktakuzat e paralajmëruara do të mund të paditen për krime lufte. Mundësia e rinisjes së dialogut Kosovë Serbi akoma ekziston një gjë të tillë e ka paralajmëruar Riçard Grenel i cili ka thënë se nuk do të ndalen përpjekjet për ti ulur palët në tavolinën e bisedimeve për ta rinisur dialogun dhe për të arritur marrëveshje. Se për çfarë marrëveshje flet Grenel ai akoma nuk ka sqaruar. Dhe tani disa ditë pasi që ish këshilltari për siguri kombëtare i Presidentit të SHBA-ve Donald Trump John Bolton ka pohuar se ideja për shkëmbim territoresh është shtyrë dhe iniciuar nga dy Presidentët Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiç nga këta të dy të përmendurit nga Bolton nuk ka asnjë paraqitje publike. Edhe pse të dy personalitetet e apostrofuara janë të detyruar që të dalin në opinion me deklarata dhe të japin sqarime të nevojshme dhe të domosdoshme lidhur me situatën e krijuar lidhur me temën në fjalë”, ka thënë analisti Berisha.

Sipas tij, kjo heshtje e tyre kaq e gjatë është çështje për të cilën duhet që sa më parë të sqarojnë vet ata apo të njëjtët duhet që patjetër të paraqiten në opinion dhe të dy Presidentët të sqarojnë.

“Politikanët ndonjëherë heshtin dhe nuk prononcohen për çështje dhe tema të caktuara atëherë kur në shesh del e vërteta absolute, ndërsa pas kësaj ata e llogarisin se gjithçka që do të duhej të thuhej apo të sqarohej do të ishte e pakuptimtë, e panevojshme apo dhe e rrezikshme. Ka gjasa që të dy Presidentët të mos prononcohen kaq gjatë në opinion për faktin se mund të kenë rekomandime të prera nga ana e autoriteteve amerikane të cilët po mundohen që ta ndërmjetësojnë dialogun. Pra këta rekomandohen që të heshtin me qëllim që të mos hedhet benzinë në shtetet e tyre meqë bëhet fjalë për një çështje shumë të ndjeshme të brendshme që do të mund të inicionte dhe rigjeneronte pakënaqësi, revoltë, apo dhe demonstrata, përleshje dhe konflikte me qëllim që të pengohet arritja e një marrëveshjeje eventuale për shkëmbim territoresh kundër të cilës nuk janë shprehur akoma në mënyrë të prerë as autoritetet më të larta amerikane. E për këta arritja e një marrëveshjeje mes Kosovës dhe Serbisë është e një rëndësie të veçantë”, ka thënë analisti politik Ejup Berisha.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat