Takimi Hoti-Vuçiq, këto janë kushtet e Kosovës për marrëveshjen finale me Serbinë

Politika

Takimi Hoti-Vuçiq, këto janë kushtet e Kosovës për marrëveshjen finale me Serbinë

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 13 korrik 2020 Në ora: 08:33
Ilustrim

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti në një konferencë për media, të dielën e ka konfirmuar takimin e radhës me palën serbe në Bruksel.

Kryeministri Hoti tha se në çdo takim të tij potencon se platforma e Kosovës është që të arrihet një marrëveshje përfundimtare, e cila ka njohjen reciproke dhe normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

“Në të gjitha takimet që kemi pas deri tash, unë kam prezantuar në emër të qeverisë, në bazë të kompetencave kushtetuese platformën e shtetit të Kosovës për procesin e dialogut që ne në këtë proces hymë për vetëm një qëllim që është njohja reciproke dhe normalizimi i plotë i mosdhënieve në mes dy vendeve. Sot kemi arritur pajtueshmëri në parim që të kemi takimin e radhës të enjten që vjen në Bruksel, është takimi i parë pas 20 muajve prej që është ndërprerë procesi i dialogut. Është vlerësuar edhe nga ndërmjetësit e këtij procesi që takimi ka qenë konstruktiv duke qenë se kemi prezantuar qëndrimin tonë shtetëror dhe jemi të gatshëm të ulemi në çdo tavolinë e dialogut për të mbrojtur shtetësinë e Kosovës dhe për të kërkuar plotësisht normalizim të marrëdhënieve i cili normalizim vjen vetëm pas njohjes reciproke në mes të dy vendeve“, ka thënë Hoti.

Ndërkaq, disa ditë më parë, Hoti ka përmendur edhe pesë objektivat që Kosova synon të arrijë me marrëveshjen përfundimtare me Serbinë.

Sipas tij, këto objektiva janë:

- Marrëveshja Gjithëpërfshirëse e Paqes midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë duhet të rezultojë në njohje reciproke. Pa një përfundim të tillë të këtij procesi marrëveshja nuk mund të ketë sukses.

- Njohja e ndërsjellë midis dy vendeve është mënyra e vetme për të normalizuar marrëdhëniet dhe ecur para për të dy vendet në integrimin evropian. Rezultati i kësaj marrëveshje duhet të jetë gjithashtu detyrim i BE-së për të përfshirë njohjen e Kosovës nga pesë vendet e BE-së.

- Anëtarësimi i Kosovës në OKB duhet të jetë gjithashtu pjesë e rezultatit të Marrëveshjes gjithëpërfshirëse të paqes midis Kosovës dhe Serbisë. Kjo natyrisht nënkupton zëvendësimin e Rezolutës 1244 të Sigurimit të KB.

- Anëtarësimit në organizata të tjera ndërkombëtare dhe hapja e qartë e perspektivës evropiane për Kosovën është objektivi dhe apeli ynë krahas këtij procesi.

- Personat e humbur dhe viktimat e të gjitha formave të dhunës, dëmeve të luftës, viktimave, janë çështje që na shqetësojnë. Asnjë normalizim nuk mund të bëhet para se të vendoset drejtësia.

Mehmeti: Objektivat e Hotit janë të kota

Image
Faton Mehmeti

Por se sa janë të realizueshme këto objektiva, kanë folur njohësit e ҫështjeve politike.

Kështu, analisti, Faton Mehmeti thotë se pavarësisht përpjekjeve të kryeministrit Hoti, kushtet dhe objektivat është dashur të vendosen qysh në fillim të bisedimeve me Serbinë.

“Megjithëse z.Hoti po mundohet të tregohet parimor në negociatat me Serbinë, e ka të vështirë të vë objektiva në këtë etapë të përfundimtare. Kushtet, objektivat dhe synimet është dashur më herët të vendosen, konkretisht ne fillim negociatave me Serbinë, tanime është vonë”, thekson Mehmeti.

Ai thotë më tutje se përpjekjet e kryeministrit Hoti janë të kota, për arsyen se ai është bërë kryeministër për të nënshkruar marrëveshjen në letër të arritur nga Thaҫi-Vuҫiqi, jo për të negociuar.

“E gjithë përpjekja e Hotit është që para qytetarëve të duket fitues, me humbjet e trashëguar nga qeveritë e mëparshme. Duhet theksuar se objektivat e Hotit janë të kota në ketë fazë, të paarritashme dhe utopike. Dulla është bërë kryeministër jo për të negociuar, por për të nënshkruar marrëveshjen në letër të arritur nga Thaҫi-Vuҫiqi .Jam pesimist se z.Hoti do të mund të arrij dicka në këtë proces, duke njohur pafuqinëe tij politike”, vlerëson analisti Mehmeti për “Bota sot”.

Shahu: Pa presionin amerikan asnjëherë nuk mund të ketë marrëveshje

Image
Rexhep Shahu

Ndërkaq, analisti tjetër, Rexhep Shahu thotë se objektivat që Kryeministri Hoti i ka përmendur i synon Kosova, por ende nuk i dimë objektivat që i synon Serbia.

“Objektivat që ka përmendur kryeministri Hoti si synime të Kosovës që duhet të plotësohen me marrëveshjen finale të paqes me Serbinë janë skeleti apo eshtrat e marrëveshjes. Këto objektiva synon Kosova, por nuk dimë objektivat që synon Serbia. Gjithsesi Kosova shpreh kushtet e veta, kushtet që i vihen agresorit. Këto objektiva nuk mund të bëhen marrëveshje, nuk bëhen dot dokument apo traktat paqeje pa ndikimin e garancitë e Fuqive te mëdha me në krye Amerikën. Pa presionin amerikan asnjëherë nuk mund të ketë marrëveshje paqeje mes shqiptarëve e serbëve”, vlerëso Shahu.

Analisti Rexhep Shahu thotë më tutje se duhet të shpresojmë në këmbënguljen e ekipit shqiptar që do të veprojnë sikur bënte Presidenti historik, Ibrahim Rugova.

“Kjo edhe për faktin e thjeshtë se pa miratimin e Këshillit të sigurimit nuk ndryshon Rezoluta 1244. Le të shpresojmë në këmbënguljen e ekipit shqiptar, le të shpresojmë se do të bëjnë si Rugova, të flasin pak dhe këto kërkesa t’i kenë për çdo herë që marrin fjalën, të mos thonë asnjë fjalë gjetët, ta mësojnë si poezi tekstin e këtyre kërkesave”, vlerëson analisti Shahu, për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat