Beogradi nuk dëshiron as dialogun, as integrimin në BE!

Politika

Beogradi nuk dëshiron as dialogun, as integrimin në BE!

Prof. Dr. Enver Bytyçi Nga Prof. Dr. Enver Bytyçi Më 13 korrik 2020 Në ora: 22:08
Avdullah Hoti dhe Aleksandar Vuçiq

Po bëhen shumë ditë që protestues të shumtë në Beograd mblidhen te parlamenti dhe demonstrojnë me dhunë kundër, siç ata e quajnë, masa izoluese të Vuçiç në kohë pandemie. Këto demontrata u shitën fillimisht si përpjekje për "demokraci", si "luftë kundër izolimit", si "kundërshti ndaj autoritarizmit të presidentit të Serbisë", madje edhe si kërkesë për një "Serbi ndryshe"! Por në fakt gjithçka mbeti një fasadë, një propagandë e pastër. Asgjë nuk është ashtu si duket. Aleksandër Vuçiç është ideatori dhe frymëzuesi i këtyre protestave. Ato po dëshmojnë karakterin e tyre të vërtetë, se nuk drejtohen kundër qeverisë dhe mazhorancës së frikshme të Vuçiç, por drejtohen kundër Kosovës, kundër dialogut Kosovë-Serbi e madje kundër integrimit të Serbisë në Bashkimin Europian.

Si të tilla, protestat e Beogradit vijnë si tentativë e politikave dhe strategjisë ruse për të mbajtur Serbinë nën çadrën e saj. Protestat e Beogradit brenda pak orësh e shfaqën qëllimin, orientimin dhe kundërshtinë e tyre. Një grup protestuesish u drejtua kundër liderit të opozitës serbe, duke e akuzuar atë se "ka shitur Kosovën"! Ishte ky akt, i cili dekonspiroi faktin se protesta është instrument i Aleksandër Vuçiç, i projektuar në dukje si kundështi ndaj tij. Në vend që kjo protestë të shfrytëzohej nga opozita serbe për të kundërshtuar autoritarizmin dhe shkeljen flagrante të parimeve të demokracisë nga ana e presidentit Vuçiç, ajo u shndërrua shpejt dhe papritmas në mjet të vetë presidentit kundër opozitës dhe qëndrimit të Jeremiq sa i përket Kosovës. Jeremiq është shfaqur publikisht si ekstremist në raport me zgjidhjen që duhet të ketë konflikti shqiptaro-serb.

Por ai, me ose pa dije, i bëri një shërbim Kosovës kur e dërgoi në vitin 2009 çeshtjen e saj dhe aktin e shpalljes së pavarësisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Ky akt i tij dha mundësinë që kjo gjykatë të konfirmojë që pavarësia e Kosovës ishte në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe me Rezolutën 1244. Ishte goditje e pariparueshme kjo për diplomacinë serbe. Nëse presidenti Thaçi dhe kryeministri Rama do të donin ta shfrytëzonin këtë vendim të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, ata do të kishin zgjedhur presionin ndaj Vuçiç për të shkuar drejt finalizimit të një marrëveshjeje midis Kosovës dhe Serbisë. Por ata e hodhën menjënaë vendimin në fjalë dhe u vunë për interesa personale në dispozicion të projektit të presidentit serb. Ky projekt i Vuçiç vijon tashmë në kushte të reja të rrethanave politike e diplomatike. "Kali i karrocvës" së dialogut, që përfaqësonte Kosovën, pra Hashim Thaçi, nuk e tërheq më karrocën në fjale përkrah Vuçiç.

Për pasojë edhe roli i Edi Ramës në projektin serb është. Ndaj presidenti i Serbisë aplikoi një mënyrë të re për bllokimin e dialogut dhe refuzimin e integrimit të Serbisë në BE. Kjo mënyrë e re është protesta e shpallur fillimisht si protëstë kundër masave të izolimit për shkak të COVID-19, por e orientuar te Kosova. Me numrin e madh të deputetëve në parlamentin e Serbisë Aleksandër Vuçiç ka bërë "vetëvrasje". Ai tashmë i ka votat që ta ndryshojë kushtetutën dhe të heqë dorë nga Kosova. Fitorja e tij e thellë antidemokratike ka zbuluar dhe do ta zbulojë hipokrizinë e Aleksandër Vuçiç ndaj Perendimit. Gjithmonë ai është justifikuar para partnerëve të Perendimit se "për të heq dorë nga Kosova i duhet të ndryshojë kushtetutën dhe se për këtë nuk i ka votat"! Tani që votat i ka, ai po provokon një qasje tjetër. Dëshiron t'u thotë perendimorëve se "është i gatshëm për kompromis, por nuk e lejon opozita, populli protestues"! Manovrat dhe makinacionet e lideshipit serb nuk kanë fund.

Mjafton që ato të jenë në funksion të qëllimit kryesor, krijimit të Serbisë së Madhe! Në fakt jo pak rraste Aleksandër Vuçiç është treguar i sinqertë si me shqiptarët dhe me ndërkombëtarët. P.sh, para dy vitesh ai gjatë një vizite ne veriun e Mitrovicës pati lavdëruar Milosheviçin dhe pati deklaruar se "atë që nuk mundi ta bëjë Milosheviçi me luftë, Vuçiç do ta bënte me paqe"! Se çfarë kishte projektuar Milosheviçi gjatë viteve 1990 dihet: - Lufta, konflikti, vrasjet, masakrat kundër popujve jo serbë për të krijuar Serbinë e Madhe - Të njëjtën gjë ka të projektuar në mendjen dhe skicat e tij edhe bashkëpunëtori i Milosheviçit, sot president i Serbisë, Aleksandër Vuçiç. Për këtë arsye dialogu i udhëhequr nga Brukseli do të dështojë. Beogradi, sa kohë do të jetë Vuçiç në krye të shtetit serb, nuk do të pranojë dialog dhe pajtim me shqiptarët e për pasojë as integrim në Bashkimin Europian. Eshtë shumë vështirë të përceptosh se politika serbe do të mund të shkëputet ndonjë ditë nga kthetrat e politikës ruse. Rusia krijon probleme për Perendimin atje ku duket krejt e pamundur, jo më në Beograd, ku i ka të gjithë instrumentet e nevojshëm për ta nënshtruar atë. Para së gjithash Rusia ka si mbështetje opinionin serb.

Ndaj dhe protestat anti-Kosovë dhe jo anti-Vuçiç në Beograd janë mjet presioni kundër BE-së, me qëllim që të destabilizohet sërishmi rajoni dhe më pas të përcaktohen zonat e influencës ruse e perendimore në Ballkan! Por nuk e di nëse qeveria e zotit Hoti i ka ose jo parasysh këto rrethana të reja, apo vërtet beson qorrazi se dialogu do të përfundojë me njohjen e Kosovës nga ana e Serbisë! Zoti Hoti vijon deklaratat e tij të tipit të deklaratave të Hashim Thaçit, duke premtuar se shpejt Kosova do të njihet nga Serbia! Kjo lloj politike e ka dëmtuar Kosovën. Prandaj dhe duhet përgatitur për skenarë të tjerë.

Ndaj e çmoj kërkesën e zotit Hoti që BE të bëjë presion që pesë vendet anëtare të saj ta njohin shtetin e Kosovës. Këtu duhet këmbngulur fort. Sepse njohja e Kosovës nga vendet anëtare të BE-së, njëherazi anëtare të NATO-s, bën që shteti më i ri në Europë të integrohet në strukturat euro-atlantike dhe kësisoj do të vinte natyrshëm proçedura e pranimit në OKB. Përmes një marrëveshjeje me Serbinë, Kosova nuk do të mund të hapë perspektivën e saj euro-atlantike. Sepse prapa Serbisë qëndron Rusia.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat