“Hashimi e ka kuptuar çfarë dëmi i ka sjellë vetes, Kosovës dhe UÇK-së”, analisti tregon sa mund të zgjasë intervistimi i Thaçit

Politika

“Hashimi e ka kuptuar çfarë dëmi i ka sjellë vetes, Kosovës dhe UÇK-së”, analisti tregon sa mund të zgjasë intervistimi i Thaçit

Nga: N. H Më: 14 korrik 2020 Në ora: 22:06
Hashim Thaçi

Ka përfunduar dita e dytë e intervistimit të presidentit Thaçi nga Dhomat e Specializuara pranë Prokurorisë Speciale në Hagë.

Edhe sot, njëjtë sikur dje, presidenti Thaçi ka qëndruar për 6 orë brenda Dhomave të Specializuara në intervistim.

Pas përfundimit të intervistimit sot, ai nuk ka folur për media por është larguar menjëherë me veturën e tij. Kurse, pas intervistimit të djeshëm, ai ka thënë se avokati i tij dhe prokurorit kanë shkëmbyer teknikalitete.

Për të komentuar gjithë këtë proces, në të cilin është duke kaluar i pari i vendit, për gazetën “Bota sot”, ka folur analisti politik Rexhep Elezaj.

Ai ka thënë fillimisht se Gjykata Speciale në periudhën e kaluar 5 vjeçare ka qenë e angazhuar maksimalisht në grumbullimin e materiale dhe fakteve në teren, siç pretendohej shkelja e ligjeve të luftës si dhe “krimet” e mundshme kundër njerëzimit të “bëra” nga individë dhe përgjegjës ushtarak të UÇK-së.

Image
Rexhep Elezaj

“Po, pyetja juaj është mjaft sugjestive dhe e komplikuar, dhe atë për shkaqe politike dhe juridike, mbase unë do përqendrohem tek ato politike, që në fakt janë pjesë përbërëse e gjithë zanafillës së formimit të Dhomave speciale për Kosovën, gjegjësisht për atë që njihet si Gjykatë Speciale për hulumtimin e “krimeve” të mundshme të disa individëve dhe komandantëve të UÇK-së, e cila siç dihet me vendim të Kuvendit të Kosovës është formuar në vitin 2015. Kjo Gjykatë në periudhën e kaluar 5 vjeçare ka qenë e angazhuar në grumbullimin e materiale dhe fakteve në teren, siç pretendohej shkelja e ligjeve të luftës si dhe “krimet” e mundshme kundër njerëzimit të “bëra” nga individë dhe përgjegjës ushtarak të UÇK-së, e që siç e dimë ka qenë i pari deputeti i Parlamentit Evropian, Dick Martyt, ai i cili ka paraqitur dyshimet e para, se ushtarë të UÇK-së kanë “bërë” transplantimin dhe pastaj edhe kontrabandë me organet e serbëve të vrarë, pra me veshkat e tyre, duke akuzuar me emër Hashim Thaçin, Xhavit Halitin, etj. Dhe, kjo ka çuar drejt kërkesës nga ana e disa qarqeve të drejtësisë ndërkombëtare për formimin e një gjykate për Kosovën e cila do merrej me dyshimet e pretenduara nga Dick Martyt, Karla Del Ponte dhe të tjerë”, ka thënë Elezaj.

Ai deklaron se paradoksi më i madh si dhe absurditeti më i çuditshëm i gjithë kësaj storie tragjiko-komike për luftën çlirimtare të UÇK-së ishte insistime i presidentit Thaçi, për formimin e kësaj Gjykate, dhe se Kosova dhe UÇK-ja nuk humbin asgjë.

“Por, paradoksi më i madh si dhe absurditeti më i çuditshëm i gjithë kësaj storie tragjiko-komike për luftën çlirimtare të UÇK-së, ishte dhe do mbetet pa asnjë dyshim, sjellja dhe insistimi këmbëngulës dhe tejet i habitshëm i Hashim Thaçit, mbase ishte personi i parë i apostrofuar për “krime” në raportin e Dick Martyt, ai i cili duke bërë presion të pa parë ndaj deputetëve të Kuvendit të Kosovës, arriti që t’i bindë ata, se me formimin e kësaj Gjykate Kosova dhe UÇK-ja nuk humbin asgjë, se Kosova duhet ta plotësojë gjithsesi këtë kërkesë të faktorëve ndërkombëtarë, etj., që përfundoi me formimin e saj”, ka thënë ai.

Elezaj ka shtuar se ndoshta tani nga këto dy ditë intervistime e kuptuar Thaçi se çfarë dëme i ka sjellë vetes, por edhe krejt Kosovës dhe UÇK-së me insistimin e tij për formimin e kësaj gjykate.

“Pra, e gjithë kjo dramë politike dhe diplomatike do t’i imponohet Kosovës në kohën kur Thaçi ishte kryeministër i saj, dhe siç dihet, ai ishte aktori kryesor që ka ndikuar që të formohet Gjykata Speciale për Kosovën, pra e cila do t’i gjykonte “krimet” një etnike të shqiptarëve, e që është një shembulli i pa presedan në botë. Për fat të keq, tanimë kur kjo Gjykatë para pak ditëve njoftoi opinionin përmes medieve se ndaj Thaçit dhe Veselit ka filluar procedura për ngritjen e aktakuzës së parë, pikërisht ndaj këtyre dyve, kur dje dhe sot vetë Hashimi po intervistohet nga gjyqtarët e kësaj Gjykate, dhe ndoshta njëkohësisht e ka kuptuar se çfarë dëme i ka sjellë vetes, por edhe krejt Kosovës dhe UÇK-së me insistimin e tij për formimin e kësaj gjykate, duke harruar, apo duke mos qenë fare i vetëdijshëm se formimi i një gjykate të këtillë “Sui-generis” vetëm për Kosovën dhe ushtrinë e saj, pra për UÇK-në, një ditë do t’i kthehet domosdo si bumerang, siç po dëshmon edhe intervistimi i tij në Hagë këto dy ditë. Ndoshta do e kupton se për këtë rrjedhë të vështirë për Kosovën fajin kryesor e ka vetë Hashim Thaçi”, ka shtuar analisti politik.

“Gjykata Speciale për Kosovën, tanimë pas marrjes në pyetje të mbi 250 dëshmitarëve shqiptar gjatë vitit të kaluar, ajo i ka paralajmëruar edhe dy aktakuzat e para ndaj Thaçit dhe Veselit, por edhe ndaj 9 personave tjerë, siç thuhet në deklaratën e Prokurorit special, e dhënë në media me 24 qershor, që na del se gjërat, gjegjësisht aktakuzat ndaj disa ish udhëheqësve të UÇK-së do janë mjaft serioze”, potencon ai.

Kurse, sa i përket epilogut që do ta ketë Specialja, ai thekson se procedura e hetuesisë ndaj presidentit do të zgjas ndoshta edhe me ditë të tëra.

“Nëse eventualisht argumentohet se individë ushtarë dhe udhëheqës të UÇK-së kanë bërë “krime kundër njerëzimit” si dhe shkelje të ligjeve të luftës, është e sigurt se ata do marrin dënime nga ana e kësaj gjykate. Ndërsa, sa i përket epilogut rreth aktakuzës ndaj Hashim Thaçit, i cili këto ditë po merret në pyetje nga kjo Gjykatë, mendoj se procedura e hetuesisë ndaj tij do të zgjas ndoshta edhe me ditë të tëra, e që varësisht nga të gjeturat e hetimeve ndaj tij, i tillë do të jetë edhe fati i tij personal, dhe jo vetëm. Mbase, për politikën kontraverse të Thaçit, për perfiditetin e tij politik si dhe manovrimet me ngjarjet politike, për mënyrën e të menduarit dhe sjelljeve të tij agresive ndaj kundërshtarëve politik, sikur edhe për dinakërinë e tij për të mbijetuar kaq gjatë në skenën politike në Kosovë, do shkruhet në vazhdimësi, pa marrë parasysh epilogun se çfarë do të ndodhë me të në ditët në vijim, do i ngritët apo do hidhet si e pa bazuar aktakuza ndaj tij”, ka thënë krejt në fund, analisti politik, Rexhep Elezaj, për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat