As SHBA e as BE, Ramush Tahiri tregon nga kush u dha ideja për shkëmbim territoresh, të cilën e pranoi më pas Thaçi

Politika

As SHBA e as BE, Ramush Tahiri tregon nga kush u dha ideja për shkëmbim territoresh, të cilën e pranoi më pas Thaçi

Nga: G.B Më: 16 korrik 2020 Në ora: 10:09
Hashim Thaçi

Ish-këshilltari për Siguri i Donald Trump, John Bolton, është deklaruar sërish për idenë e ndryshimit të kufijve, duke thënë se Richard Grenell nuk e di se çka thotë kur deklaron se ideja ka qenë e tij.

Ai ka thënë se ka qenë politikë e Administratës së SHBA-së që nëse udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë pajtohen – të pajtohet edhe SHBA.

Lidhur me këtë, politologu Ramush Tahiri, ka thënë për gazetën “Bota sot” se ideja për shkëmbimin e territoreve bëhet nga ata që i zotërojnë ato.

“Ideje a shkëmbimit të territoreve bëhet ndërmjet atyre që i zotërojnë këto territore, pra që i kanë dhe që i administrojnë efektivisht. Ideja e shkëmbimit të territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nënkupton që kufiri është shtetëror dhe jo administrativ dhe nënkupton që ky kufi është përcaktues në integritetin territorial dhe sovranitetin e ushtrimit të pushtetit dhe të administrimit në territorin e përcaktuar brenda kufijve. Kjo për Kosovën është fakt ndërsa për Serbinë e cila e ka Kosovën në preambulën e Kushtetutës po del që nuk është një fakt i mirëqene dhe i administruar”, është shprehur ai.

Sipas Tahirit, shkëmbimi bëhet kur ato shtete janë të pranuara në mes vete dhe ndërkombëtarisht dhe mund të bëhet pasi më parë kufiri të jetë i pranuar nga shtete që e ndajnë të njëjtin kufi.

“Shkëmbimi i territore ndërmjet dy shteteve bëhet pasi ato shtete të jenë të pranuara edhe ndërmjet veti por edhe ndërkombëtarisht dhe pasi të kenë territorin e tyre të pranuar e të njohur edhe me dokumente përkatës e të besueshëm. Shkëmbimi i territoreve ndërmjet të dy shteteve proceduralisht mund të bëhet pasi që më parë kufiri të jetë i delimituar pra të jetë i vizatuar në hartë dhe të jetë i pranuar nga shtete që e ndajnë të njëjtin kufi. Mandej ky kufi pas dhe sipas delimitimit dhe përshkrimit në hartë dhe përshkrimit tekstual se kah shkon dhe çka nënkupton me përshkrim konkret të terrenit duhet të bëhet demarkimi faktik në vend, në natyrë fizikisht në terren duke i shënjuar me elemente beton apo hekuri apo tjetër vijën kufitare në gjithë gjatësinë e shtrirjes me shënimin përkatës në gurë me numër dhe me shkronja për formën e të cilave shtetet merren vesh”, ka vlerësuar politologu.

Ai thotë se pas caktimit të vijës në hartë dhe përcaktimit të vijës së kufirit në natyrë, atëherë mund t’i hyjnë procesit të shkëmbimit të territorit.

Image
Ramush Tahiri

“Pra pas caktimit të vijës në hartë dhe pas përcaktimit të vijës së kufirit në natyrë në vendin, atëherë shtetet që e dinë dhe e kanë kufirin mund t’i hyjnë procesit të shkëmbimit të territorit sipas kriterit gjeografik metër për metër apo sipas strukturës etnike apo fetare apo tjetër të popullsisë, sipas kritereve të kombinuara barabar apo me dominim të njërit apo disa kritereve si bie fjala fiziko-gjeografik, gjeopolitik, gjeostrategjik, historik etj”, ka theksuar Ramush Tahiri për “Bota sot”.

Tutje, ai tregon se marrëveshje arrihet dhe nënshkruhet nga Qeveritë e shteteve dhe më pas ratifikohet në Kuvend me dy të tretat e votave të deputetëve.

“Marrëveshja arrihet dhe nënshkruhet ndërmjet Qeverive dhe ratifikohet në Kuvendet e shteteve me dy të tretat e votave të të gjithë deputetëve për secilin shtet. Në paqe ky proces dhe kjo marrëveshje është me vullnet dhe interes të dyanshëm ndërsa në luftë, ne kapitullim, në marrëveshje si rezultat i fituesit dhe humbësit kjo marrëveshje për kufirin është e imponuar”, ka deklaruar ai.

Tahiri thekson se Bolton me të drejtë deklaron se ideja ka dalë nga palët e Kosovës dhe Serbisë, pasi nëse këto duan, nuk do të jetë kundër as SHBA e as BE.

“Gjon Bolton me të drejtë shpjegon se kjo ide është nga palët sepse nëse Kosova dhe Serbia dëshirojnë por edhe arrijnë të normalizojnë marrëdhëniet ndërmjet vete si dy shtete sovrane e të pavarura dhe kështu të përmbyllin një mosmarrëveshje atëherë as Evropa e as Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk do të ishin kundër nëse palët në marrëveshje e kanë shkëmbimin e territorit ndërmjet tyre si pjesë të rëndësishme të marrëveshjes e cila gjithsesi do të ishte në funksion të paqes dhe të stabilitetit në rajon...si dhe do tu mundësonte vendeve të bëheshin vend anëtare të Bashkimit Evropian ndërsa Kosovës vend anëtar i Kombeve të Bashkuara”, është shprehur ai.

Tahiri thotë se këtë ide e ka dhënë i pari Aleksandar Vuçiq, duke thënë se Serbia nuk do ta njeh Kosovën me këta kufij, e më pas idenë e ka pranuar presidenti Thaçi, i cili thotë se Kosovës do t’i bashkëngjitet Lugina e Preshevës dhe se komunat Leposaviq, Zveçan e Zubin Potok mund t’i kalojnë Serbisë.

“Nuk është sekret se këtë ide i pari e paraqiti publikisht Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq duke thënë se Serbia përkatësisht ai kur nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës në këta kufij ekzistues dhe se kurrë nuk do ta pranojë shtetin e Kosovës pa marr diçka si kompensim. Vuçiq disa herë ka thënë se Kosova nuk është e Serbisë dh ky është realiteti sepse në shumë mjedise nuk ka dhe nuk ka pasur serb dhe mandej i ka numëruar konkretisht disa vendbanime të Kosovës për të dëshmuar pikëpamjen e tij. Këtë ide shihet që e ka pranuar Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi por i cili thotë se Kosovës do t’i bashkëngjitet Lugina e Preshevës, përkatësisht viset e banuara me shqiptarë në Serbi pa dhënë asgjë Kosova dhe më vonë thotë se komunat Leposaviq, Zveçan e Zubin Potok mund t’i kalojnë Serbisë sepse si thotë, ato Rankoviqi për qëllime të caktuara ia bashkëngjiti Kosovës”, ka thënë Tahiri.

Sipas tij, siç ka thënë edhe Bolton kjo ide nuk do të përfshinte popuj të tjerë dhe do të hapej Kutia e Pandorës, derisa shton se ka mundësi që marrëveshja për normalizim marrëdhëniesh në mes të dyja shteteve ta pranojë kufirin ekzistues.

“Shihet që këtu kemi të bëjmë me një ide për caktimin e një kufiri të ri, përkatësisht të një përkufizimi në baza etnike të një vije ndarëse të kufirit ndërmjet popullit serb dhe popullit shqiptar si thotë Vuçiq në gjithë linjën e takimit të këtyre të dy kombeve. Si thotë edhe Bolton kjo ide nuk do të përfshinte shtete e popuj të tjerë sepse do të hapej Kutia e Pandorës e një procesi të pakontrollueshëm , gjë që nënkupton se shqiptarët e serbët për të parën herë ne histori po e definojnë dhe rregullojnë kufirin ndërmjet vete si të barabartë në mënyrë të vullnetshme dhe me marrëveshje. Kjo nuk do të thotë se edhe popujt e tjerë do të ndjekin lë të shembull dhe as nuk do të thotë se shqiptarët si popull do të bëjnë sipas këtij shembulli një kufi të ri me malazezët, me maqedonët, me grekët .... shqiptarët e serbët patën një luftë, Serbia kapitulloi në Kumanovë dhe përgjithmonë e lëshoi Kosovën në të cilën në vitin 1912 kishte hyrë me dhunë dhe okupim të përcjellë me masakra dhe shpërngulje të popullsisë shqiptare...dhe tash shteti i Serbisë dëshiron një kufi të ri ndërmjet Kosovës dhe Serbisë si shtet. Mundet që marrëveshja për normalizim marrëdhëniesh ta pranojë kufirin ekzistues”, ka përfunduar Ramush Tahiri për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat