Shkëmbimi i territoreve, analisti: Serbia planifikonte sa më shumë territor Kosove, për një pjesë të vogël nga Lugina

Politika

Shkëmbimi i territoreve, analisti: Serbia planifikonte sa më shumë territor Kosove, për një pjesë të vogël nga Lugina

Nga: G.B Më: 16 korrik 2020 Në ora: 14:08
Ilustrim

Shkëmbimi i territoreve u prezantua si ide kohë më parë.

E tani ende vazhdojnë deklaratat se e kujt ishte si ide.

Emisari amerikan Richard Grenell tha se ideja ishte e John Bolton, për çka ky i fundit e mohoi, duke thënë se Grenell nuk e di se çfarë flet.

Bolton së fundmi ka folur sërish për këtë temë, duke thënë se ata e kishin pranuar si ide nga Kosova e Serbia, nëse shtetet do të pajtoheshin për një marrëveshje të tillë.

Lidhur me këtë, njohësi i çështjeve politike, Leon Duhanaj, ka thënë për gazetën “Bota sot” se ideja e ndarjes së Kosovës është ide e vjetër serbe, me të cilën është menduar të spastrohet një pjesë e madhe e territorit të Kosovës, por fatmirësisht ka mbetur vetëm plan i parealizuar.

Image
Leon Duhanaj

“Ideja e ndarjes së Kosovës, nuk është e re por është ide e vjetër serbe. Me ketë projekt është menduar që përmes ndarjes të spastrohet një pjesë e madhe e territorit të Kosovës. Fatmirësisht kjo mbeti vetëm plan, pra nuk u realizua. Tani kjo ideja e përpunuar e shkëmbimit ka për synim krijimin e një zone serbe në Kosovë përmes enklavave aktuale dhe krejt këtë për ta shitur si shkëmbin në mënyrë që shqiptarët ta hanë me lehtë karremin. Për ketë arsye krerët e shtetit serb, vazhdimisht janë thirrur në marrëveshje shqiptaro- serbe, e jo marrëveshje Kosovë-Serbi”, është shprehur ai.

Sipas Duhanajt, serbët janë përpjekur që të marrin më shumë territor të Kosovës, për t’i dhënë pastaj një pjesë të vogël të Luginës.

“Për fat të keq, tashmë veç po dihet që këto tema janë zhvilluar dhe promovuar nga disa çarqe. Përpjekja e serbëve ka qenë sa më shumë territor të Kosovës, për t'i dhënë me pastaj një pjesë të vogël nga Lugina, në mënyrë që edhe pala shqiptare ta ketë më të lehtë ta paraqes para opinionit”, ka vlerësuar ai.

Duhanaj thotë se amerikanët kanë qenë të qartë se e mbështesin çdo marrëveshje për të cilën palët pajtohen dhe Bolton e ka mbështetur por nuk ka qenë ideja e tij.

“Mendoj që amerikanët kanë qenë të qartë çdoherë, duke deklaruar që ne mbështesim çdo variant për të cilin palët bien dakord. Duke qenë se palët i kanë biseduar disa variante, z. Bolton si i afërt me lobistët serb, e ka mbështetur, por ka pasur të drejt kur ka thënë që nuk ka qenë ideja e tij. Tani kjo ide është larguar nga orbita. Askush as atëherë dhe as tani, nuk mund t'i detyrojë shqiptarët që të bëjnë marrëveshje të dëmshme për vendin. Prandaj e mira e së mirës është që shqiptarët të jenë unik dhe konsistent”, ka deklaruar Leon Duhanaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat