Pse po kundërshtohet deklarata e kryeministrit Hoti?

Politika

Pse po kundërshtohet deklarata e kryeministrit Hoti?

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 17 korrik 2020 Në ora: 08:30
Avdullah Hoti

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ditë më parë ka thënë se Kosova do përfaqësohet në dialogun me Serbinë, nga vetë ai, pasi këto kompetenca ia përcakton Kushtetuta e Kosovës.

“Kosova përfaqësohet nga kryeministri i vendit në bazë të kompetencave kushtetuese...do kem ekipin shtetëror që më mbështesim mua në këtë proces. Unë i kam kompetencat e plota për të përfaqësuar Kosovën”, theksoi Hoti.

E në lidhje me këtë njohësit e çështjeve politike vlerësojnë se deklarata e Hotit është jo normale, tepër cinike dhe antikombëtare.

Sipas tyre, Kosova ka probleme historike të mëdha me shtetin serb, andaj ato probleme janë kombëtare dhe këtu vetëm mbi bazën kombëtare duhet biseduar.

Bulliqi: Kryeministri nuk ka fuqinë dhe autoritet për të marrë vendime në emër të Kosovës

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e VV-së, Shpejtim Bulliqi ka thënë se kryeministri aktual i Kosovës nuk mund të ketë kurrfarë kompetence për të udhëhequr dialogun, duke e parë se si është zgjedhur kjo qeveri në mënyrë të paligjshme dhe kundër vullnetit popullor ajo s’mund të negociojë në emër të Kosovës.

Sipas tij, duke e parë këtë situatë ne si subjekt politik kërkojmë zgjedhje të reja, ku qeveria duhet të ketë legjitimitetin qytetar për të përfaqësuar Kosovën në arenën ndërkombëtare dhe autoritetin e plotë për të marrë vendime.

Image
Shpejtim Bulliqi

“Avdullah Hoti përfaqëson vetëm interesat brenda partiake që janë në funksion të vazhdimit të plaçkitjes në buxhetin e shtetit dhe vazhdën e kapjes së institucioneve dhe mbushjen e bordeve me militantë partiakë. Kryeministri aktual nuk e ka fuqinë dhe nuk gëzon autoritet për të marrë vendime në emër të Republikës së Kosovës, ai është vetëm funksionar që i shërben politikave të presidentit dhe partnerëve të koalicionit”, ka thënë deputeti i VV-së Shpejtim Bulliqi.

Kelmendi: Deklarata e Hotit është jo normale, tepër cinike dhe antikombëtare

Ndërsa njohësi i çështjeve juridike profesor Muhamet Kelmendi ka thënë Kryeministri i Kosovës i ka kompetencat për të përfaqësuar Kosovën jashtë vendit dhe kompetenca të tilla por më të ngushta, ka edhe Presidenti.

Image
Muhamet Kelmendi

“Kuptohet se përfaqësimi në rastin konkret nuk është vetëm çështje juridiko-kushtetuese, por më tepër është politike, emocionale dhe kombëtare. Prandaj nuk është në pyetje Kushtetuta. Në raportet e jashtme, ku ka partneritet dhe reciprocitet, është normale përfaqësimi nga instancat e tilla. Mirëpo në raport me shtetin serb, i cili ka vrarë dhe terrorizuar, ka shkaktuar dëme të mëdha dhe vuajtje shpirtërore. Andaj deklarata e Hotit është jo normale, tepër cinike dhe antikombëtare. Kosova ka probleme historike të mëdha me shtetin serb. Ato probleme dhe çështje janë kombëtare dhe këtu vetëm mbi bazën kombëtare duhet biseduar”, ka thënë profesor Kelmendi.

Sipas tij, çështja është tek Prishtina dhe tek Tirana, pasi ato në raport me Serbinë duhet të merren vesh.

“Nuk ka të drejtë Kosova pa Tiranën të bëjë marrëveshje me shtetin serb. Shqiptar ka edhe jashtë Kosovës, si p.sh. në Preshevë kërkojnë zgjedhje. Ndërsa, çështja me Serbinë fillon para shekullit të kaluar, atëherë kur nuk ka pasur ndarje territoriale si tash. Me këto dua të them se nuk ka fuqi juridike Kushtetuta në raport me Serbinë. Hotit i duhen konsultime me Tiranën dhe me çdo subjekt politik për të mundur me nxjerr qëndrime. I duhet gjithashtu një grup ekspertesh që njohin çështje të tilla dhe që kanë njohuri nga e kaluara për të dhënë mendime për të ardhmen”, ka thënë  Kelmendi.

Ai tutje ka shtuar se krejt kjo në funksion të kombit dhe të paqes, sepse në fund çdo marrëveshje duhet të dal në Kuvend për ratifikim.

“Por marrëveshja me shtetin serb, kërkon një bazë shumë më të gjerë, kërkon një Referendum për tu ratifikuar. Kjo tregon se normat juridike të Hotit nuk kanë fare vlerë dhe se çështja është shumë më komplete kundrejt Serbisë. Vetëm si komb duhet të përgjigjemi dhe kurdoherë në unitet. Hoti që tash duhet të deklarohet për Referendum si bazë e miratimeve të marrëveshjeve me shtetin serb. Nuk ka kompetenca përfundimtare as Kuvendi pa popullin”, ka thënë njohësi i çështjeve juridike profesor Muhamet Kelmendi.

Smaka çuditet!

Njohësi i çështjeve juridike profesor Riza Smaka ka thënë se në Kushtetutën e Republikës së Kosovës askund nuk figuron autorizimi që Kryeministri të përfaqësojë Kosovën në politiken e jashtme.

Ai ka thënë se përkundrazi sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës  së në aplikim Presidenti i RK- së është shef i shtetit, i cili përfaqëson shtetin dhe udhëheq politikat e jashtme.

Image
Riza Smaka

“Ndërkaq, Kryeministri konsultohet me Presidentin përkitazi me ekzekutimin e politikave, në përgjithësi. Është për tu çuditur se pos Kryeministrit edhe disa të quajtur analistë theksojnë sikundër Kryeministri”, ka thënë njohësi i çështjeve juridike profesor Riza Smaka.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat