Paralajmërohet dorëheqja e Hashim Thaçit, ja skenari që e pret Kosovën

Politika

Paralajmërohet dorëheqja e Hashim Thaçit, ja skenari që e pret Kosovën

Nga: BS Më: 18 korrik 2020 Në ora: 17:24
Hashim Thaçi

Ditëve të fundit janë shtuar zërat për përfshirjen e PDK-së në Qeverinë Hoti. E kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti kur është pyetur për mundësinë e hyrjes së PDK-së në Qeveri, nuk e ka mohuar një gjë të tillë, duke thënë se në këtë moment nuk mund të thotë asgjë. 

E lidhur me këto zhvillime në skenën politike në Kosovë pas propozimit të aktakuzës ndaj Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit, për “Bota Sot” ka folur analisti dhe njohësi i zhvillimeve politike në vend, Gani Qarri.

“Duke pasur parasysh gjendjen në të cilën ka rënë aktualisht PDK, me kryetarin aktual Kadri Veseli dhe ish liderin shumëvjeçar të saj dhe të parin e shtetit Hashim Thaçi të akuzuar që të dy përnjëherësh, për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, një goditje kaq e rëndë dhe e dyfishtë, që nuk ka ndodhë me asnjë parti tjetër deri më tani, e ka sjellë PDK-në, në situatë aq të vështirë sa që të përpiqet të kapet edhe për një fije kashte, si i mbyturi në ujë, për të shpëtuar, atë çka është e mundur, nga më e keqja”, thotë Qarri për “Bota Sot”. 

Image
Gani Qarri

 

Më tej, Qarri ka treguar arsyet pse Partia Demokratike e Kosovës mund të përfshihet në Qeverinë Hoti.

“Të mësuar gjithmonë që të parët e saj (PDK-së) të firmosin vet vulosjen e çdo vendimi me rëndësi për vendin, nga frika se kësaj radhe do tu ikë kjo mundësi nga dora, dhe LDK me kryeministrin Avdullah Hoti, mund të marrë primatin e përfundimit të marrëveshjes me Serbinë, pa ndryshim kufijsh, këmbim territoresh as falje të tokave më të vlershme të Kosovës dhe firmosë këtë arritje maratonike, kohëve të fundit është paralajmëruar që PDK mund dhe pritet ti bashkohet qeverisë Hoti, vetëm e vetëm, që edhe kjo të jetë pjesë e vendimeve kaq të mëdha historike. Në anën tjetër, pasi që për marrëveshje (të tilla) të shekullit, siç pritet të jetë marrëveshja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, kërkohet një konsensus i madh dhe i gjerë ndërpartiak i të gjithë spektrit politik në vend, i vetëdijshëm se me njerëz të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit nuk mund të  siglohen vendime si këto, kryeministri Hoti, me të drejtë deklaroi se vetëm nëse z.Thaçi jep dorëheqje edhe PDK mund të jetë pjesë e qeverisë”, deklaron Qarri. 

Sipas Qarrit, të gjitha zhvillimet e fundit në Kosovë, janë duke e paralajmëruar dorëheqjen e Thaçit nga posti i Presidentit dhe skenari që e pret Kosovën, është futja e PDK-së në Qeverinë Hoti.

“Madje të gjitha zhvillimet e fundit, japin sinjale të qarta se përfundimisht po paralajmërohet edhe dorëheqja e shumëpritur e Hashim Thaçit, i cili duke pasur parasysh, se vetëm marrja maratonike në pyetje, nga Prokuroria e Gjykatës Speciale në Hagë, zgjati hiq më pak se 4 ditë me radhë dhe thyerjen e tij totale shpirtërore, pas të cilave pritet të vërtetohet edhe aktakuza nga gjykatësi i procedurës paraprake, ai edhe vet ka deklaruar se do te jap dorëheqje, gjë pas aktakuzës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, është plotësisht e natyrshme të pritet nga ana e tij”. 

Por përfshirjen e PDK-së në Qeveri, Qarri e sheh si një paralajmërim të keq për LDK-në.

“Kështu që nëse vërtetë PDK futet në qeveri, gjë që pas goditjeve kaq të rënda të pësuara kohëve të fundit, duket se e ka mese të nevojshme, për ruajtjen sadopak të rejtingut të saj politik, LDK duhet ta di se e pret një konkurrencë tejet e fortë dhe luftë e pamëshirshme për qeverisjen e Kosovës, ngase PDK synon të qeverisë vet dhe të dominojë serish në marrjen dhe vulosjen e vendimeve të mëdha politike për vendin. Kjo për vet faktin se çdo sukses i LDK-së, do të jetë edhe një goditje më tepër për PDK-në e cila pas zhvillimeve të fundit pritet ta humbë mbështetjen e elektoratit dhe në zgjedhjet e ardhshme të bie nën LDK-në, që donë të thotë në vendin e tretë apo edhe të katërt dhe barazohet me AAK-në, nëse sidomos tani para arritjes së marrëveshjes me Serbinë, nuk behet pjesë e qeverisë”.

“Ndaj duke marrë në konsideratë të gjitha këto, paralajmërimi për LDK-në, do të ishte që ajo si parti, para vendimit për bashkëqeverisje me PDK-n, të jetë shumë e kujdesshme, të tregojë vëmendje të shtuar dhe qëndrim të fortë e të paluhatshëm politik, në mënyrë që të mos e humbas këtë shans historik të cilin për momentin e ka në dorë dhe të mos dështojë e bie serish pre e ambicieve të PDK-së, edhe në gjendjen në të cilën ajo ka rënë, me lider dhe ish lider të shpallur nën aktakuzë penale, si parti dhe segment politik”, përfundon për “Bota Sot”, analisti dhe njohësi i zhvillimeve politike në vend, Gani Qarri. 

Kurse, anëtari i kryesisë së PDK-së, deputeti Enver Hoxhaj, ka deklaruar se PDK edhe më tej do të mbetet në opozitë.

“Ne si Parti Demokratike e Kosovës e kemi qëndrimin që e kemi pas para disa muaj që ne mbesim në opozitë dhe deri më tash në organet drejtuese të partisë, as kryetari i partisë, as kryesia dhe as grupi parlamentar nuk kanë diskutuar për temën se a do të duhej të hymë në qeveri….. me mbesim te qëndrimi jonë që PDK mbetet në opozitë. Ndërsa, tek tema e zgjedhjeve të parakohshme, mendoj që deputetët e Kuvendit të Kosovës e kanë dhënë fjalën e tyre kur kanë vendos të formohet një qeveri e re, e cila është brenda Kushtetutës dhe e ka mbështetje ligjore sikurse çdo qeveri tjetër që del nga rezultati zgjedhor”, tha Hoxhaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat