Parashikimi: Ja momenti kur PDK do të bëhet pjesë e Qeverisë, interesi është që...

Politika

Parashikimi: Ja momenti kur PDK do të bëhet pjesë e Qeverisë, interesi është që...

Nga: BS Më: 20 korrik 2020 Në ora: 20:25
Kadri Veseli

Anëtari i kryesisë së PDK-së, deputeti Enver Hoxhaj, ditë më parë  ka deklaruar se PDK edhe më tej do të mbetet në opozitë, duke mohuar zërat që partia e Veselit do të bëhet pjesë e qeverisë Hoti.

“Ne si Parti Demokratike e Kosovës e kemi qëndrimin që e kemi pas para disa muaj që ne mbesim në opozitë dhe deri më tash në organet drejtuese të partisë, as kryetari i partisë, as kryesia dhe as grupi parlamentar nuk kanë diskutuar për temën se a do të duhej të hymë në qeveri….. me mbesim te qëndrimi jonë që PDK mbetet në opozitë. Ndërsa, tek tema e zgjedhjeve të parakohshme, mendoj që deputetët e Kuvendit të Kosovës e kanë dhënë fjalën e tyre kur kanë vendos të formohet një qeveri e re, e cila është brenda Kushtetutës dhe e ka mbështetje ligjore sikurse çdo qeveri tjetër që del nga rezultati zgjedhor”, tha Hoxhaj.

Kurse, për mundësinë e hyrjes së PDK-së në Qeveri, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti nuk e ka mohuar një gjë të tillë, duke thënë se në këtë moment nuk mund të thotë asgjë. 

Por ndryshe mendojnë analistët politikë në vend, sipas të cilëve nëse konfirmohet aktakuza e Speciales ndaj Kadri Veselit, atëherë PDK do të jetë pjesë e Qeverisë Hoti.

“PDK do të futet në qeveri nëse Kadri Veselit i konfirmohet aktakuza, pasi do e ketë shumë të vështirë të ruaj homogjenitetin brenda partisë kushdo që vjen, duke pasur parasysh aspiratat e shumta , të atyre që do të vijnë pas Veselit. Edhe pse kjo gjë mund të ndikojë që PDK të fus në punë ata që do të jenë të pakënaqur pas procesit të brendshëm zgjedhor, kjo bie ndesh me parimet e saja të deklaruara se do të jenë në opozitë”, thotë analisti Faton Mehmeti për “Bota Sot”. 

Image
Faton Mehmeti

 

Sipas Mehmetit, futja e PDK-së në qeveri është interes i LDK-së dhe i ndërkombëtarëve, në mënyrë që të arrihet marrëveshja finale me Serbinë.

“Sigurisht, qëndrimi në opozitë ka kosto, në afatshkurtër, por në planin afatgjatë mund të përfitoj. Në anën tjetër është në interes të LDK të forcojë pozicionin e qeverisë, kur dihet se ajo është e brishtë. Edhe pse PDK deklaron se s’do të futet në qeveri, është interes edhe i të huajve që ne përfundim të marrëveshjes me Serbinë të ketë nënshkrimin e një qeverie të fortë, jo të brishtë siç është kjo e sotme.  Prandaj, nëse amerikanët ndërhyjnë PDK do të futet në qeveri, ndryshe mbetet për tu parë, pasi ska asgjë të sigurte. Por , po them prape është interes i kryeministrit Hoti të fus PDK në qeveri, për të pasur një qeveri të fortë, dhe mos të varet nga Lista Srpska”, shprehet më tej analisti Mehmeti.

Për fund, Mehemeti deklaron se gjithçka varet nga ajo se çfarë ndodhë me presidentin aktual, Hashim Thaçin.

“Natyrisht se të gjitha zhvillimet në PDK lidhen me Thaçin, dhe kjo s’ka diskutim. Varet nga ajo çfarë do të ndodh me Thaçin, i cili nëse mbetet në presidencë mund të kërkojë që PDK të futet në qeveri për të arritur marrëveshjen me Serbinë, e që kjo të ketë më tepër peshë nga një qeveri e fortë, dhe jo kjo që është tashmë krejt e brishtë”, përfundon për “Bota Sot”, analisti Faton Mehmeti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat